Gonzalo Hiuguain e konsideron si një seancë stërvitore ndeshjen kundër Shqipërisë. Në një intervistë të dhënë për mediat argjentinase, sulmuesi i Realit të Madridit thotë se ndeshja miqësore e 20 qershorit do të jetë një shans i mirë për skuadrën që të rigjejë formën e duhur. “Ndeshja me Shqipërinë do të jetë një shans i mirë për të na ndihmuar të gjejmë formën e duhur. Unë dhe një pjesë e mirë e skuadrës nuk luajmë prej një periudhe të gjatë dhe mendoj se miqësorja e 20 qershorit do të jetë një test i nevojshëm për të parë nivelin tonë”, ka thënë sulmuesi për “TyC Sports.es”. Sido që të luajë Argjentina në ndeshjen kundër Shqipërisë, në fushë do të ketë gjithnjë yje nga skuadra amerikano-latine. Kjo, pasi trajneri Batista ka bërë publike edhe listën e futbollistëve që do të grumbullojë për Kupën e Amerikës dhe rrjedhimisht, edhe ata që do të jenë në dispozicion për miqësoren kundër Shqipërisë. “Unë jam i nderuar që kam në dispozicion një brez lojtarësh të jashtëzakonshëm. Pa dyshim që ne kemi një organikë të plotë dhe kompetitive, por duhet të sillemi në fushë si një grup kompakt, pasi vetëm kështu mund t’i shkojmë deri në fund këtij kompeticioni të rëndësishëm”, ka thënë trajneri i përfaqësueses argjentinase, Batista.











