
Tregje jashtë standardeve e, për rrjedhojë, vatra infeksionesh për konsumatorët. Rreziku për shëndetin e tyre është më i lartë në stinën e verës, ku helmimet si pasojë e ushqimeve janë të shumta. Pavarësisht ngritjes së problemit të higjienës në tregje, masat e ndërmarra gjatë këtyre viteve kanë qenë të pakta. Pas ankesave të qytetarëve, Bashkia e Tiranës u rikthehet kontrolleve higjieno-sanitare në tregjet e Tiranës. Inspektorët e Bashkisë lëshuan dje disa akt-kontrolle. Po kështu, ata morën mostra ushqimorë për t’i analizuar nëse janë të ndotur me baktere. Gjatë kontrolleve, inspektorët sanitarë ndërgjegjësuan tregtarët dhe qytetarët, lidhur me masat që duhen marrë për të shmangur infeksionet apo helmimet me prejardhje ushqimore. Kontrolli dhe mbikëqyrja u krye fillimisht në tregun e “Uzinës Dinamo”. Në këtë treg me një sipërfaqe prej rreth 1 ha, ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 60 shitës dhe biznese që tregtojnë produkte bujqësore dhe me bazë blegtorale, mjaft të ndjeshme nga kontaminimi biologjik, fizik dhe kimik. Për këtë arsye tregtarët duhet të kenë kushtet e përshtatshme për shitjen e produkteve të tyre, duke i tregtuar ato në mjedise në temperaturë të freskët, larg pluhurit, rrezeve të diellit. Më pas kontrolli vazhdoi dhe tek tregu i prodhimit të mishit, pranë sheshit “Avni Rustemi”. “Inspektorët kërkuan nga tregtarët, respektimin e kushteve higjieno-sanitare të ushqimeve, kryesisht atyre me bazë shtazore, si qumështi, mishi dhe peshku dhe kërkuan plotësimin e standardeve të zinxhirit ftohës të produkteve”, tha tha Ermiona Hajdini, drejtuesja e Sektorit të Kontrollit Veterinar Zooteknik. Sipas këtij institucioni, inspektorët shpërndanë edhe fletëpalosje për qytetarët me informacion për gjërat më të rëndësishme, që duhet të kenë parasysh konsumatorët gjatë blerjes dhe konsumit të ushqimit në temperaturat e larta. Kontrollet pritet të intensifikohen në ditët në vijim dhe nuk do të mungojnë penalizimet për të gjithë ata tregtarë që shesin produkte jashtë kushteve të higjienës. “Mbrojtja e konsumatorit dhe siguria ushqimore janë objektiva prioritar për Bashkinë e Tiranës, e cila po punon për ngritjen e Agjencisë së posaçme për Mbrojtjen e Konsumatorit”, tha Hajdini. Kryebashkiaku i ri Lulzim Basha ka premtuar uljen e çmimeve dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve.
Agjencia e mbrojtjes së konsumatorit
Me krijimin e Agjencisë Bashkiake të Mbrojtjes së Konsumatorit do të forcohet inspektimi dhe raportimi i çdokujt që spekulon me çmimet në Tiranë. Bashkia do të punojë për përmirësimin e infrastrukturës, për të ulur koston e transportit që lidhet me mallrat dhe shërbimet në mënyrë që këto kursime t’i kalojnë konsumatorit.
Masat në tregje
Inspektorët kërkuan të merren masa për përmirësimin higjieno-sanitar. Dyqanet duhen kompletuar me depozita uji 1000 litra, të përmirësohet infrastruktura e jashtme e tregut, territori, kanalizimet. “Po kështu duhet të forcohen masat për përsosjen e kushteve higjieno-sanitare të tregtimit, të eliminohet tregtimi i produkteve shtazore në ambiente të jashtme, një problem që duhet normalizuar nga të gjitha subjektet që operojnë në treg”,janë shprehur inspektorët.











