Dy shkolla në Tiranë rrezikojnë të mos hapin dyert për nxënësit në vitin e ri shkollor. Bëhet fjalë për 9-vjeçaret “Siri Kodra” dhe “Ahmet Gashi”, të cilat kanë probleme madhore me kushtet e higjienës sanitare. Edhe pse inspektorët pas kontrolleve në muajin qershor u lanë drejtorive të këtyre shkollave porosi të përmirësonin mjediset, sërish situata mbetet e njëjtë. Një pjesë e klasave janë me lagështi dhe mungon uji i pijshëm. Nga sa bëjnë me dije inspektorët e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, kontrollet po vazhdojnë edhe në 10 shkolla e kopshte të tjera, ku është tërhequr vëmendja për të ndërhyrë sa i përket higjienës. “Janë lënë detyra nga Inspektorati në muajin qershor dhe ne jemi në fazën e kontrollit të zbatimit të këtyre detyrave që kemi lënë”, shprehen specialistët. Investimet janë drejt përfundimit në kopshtet 24, 29 dhe 35, të cilat nga qershori deri në gusht kanë punuar për të përmbushur detyrat e lëna. Pas inspektimeve të fundit, këto kopshte plotësojnë kushtet higjeno-sanitare për të pritur fëmijët. Nga një studim i Institutit të Shëndetit Publik, i kryer pak kohë më parë në shkolla, nxënësit dhe mësuesit ndeshen me zhurmat, lagështirën dhe mykun në klasa. Po kështu, mungon ndriçimi sipas standardeve e ngrohja. Ndërkaq, sipas studimit, rreth 60 për qind të klasave paraqesin kontaminim mikrobik të ajrit. Kjo do të thotë se nxënësit që mësojnë në këto ambiente janë të predispozuar për të pasur probleme të aparatit të frymëmarrjes apo probleme me alergjinë. Një tjetër problem me shkollat është edhe trafiku shumë i rënduar pranë këtyre ndërtesave. Pavarësisht mangësive me higjienën, për vitin e ardhshëm shkollor problemi më madhor do të jetë mbinkarkesa. Drejtoria Arsimore e Tiranës ka ngritur disa herë shqetësimin për fluksin e madh në gjimnazet e mëdha të Tiranës. Këtë problem e kanë edhe vetë prindërit. Sipas një studimi të kryer nga Ministria e Arsimit, për vitin e ri shkollor do të zhvillojnë mësim me turne 2100 nxënës në gjimnaze dhe më shumë se 1/3 e nxënësve të shkollave 9-vjeçare. Ndërsa në një pjesë të shkollave ka dyndje, në të tjera ka ambiente të lira. Sidomos për gjimnazet, aryseja në të cilën kanë dalë edhe specialistët është përqendrimi i nxënësve në shkollat më me emër. Është një tendencë e prindërve dhe e vetë atyre që, duke parë rezultatet që kanë pasur ndër vite këto shkolla, duan patjetër të regjistrohen aty. Kjo ka rritur fluksin dhe ka bërë që të ketë mbingarkesë. Ndërkohë që në shkolla të tjera ka ambiente të lira. Aktualisht janë 21 ambiente të lira në gjimnaze dhe rreth 90 ambiente të lira në shkollat 9-vjeçare.
12 shtator
është data e përcaktuar nga Ministria e Arsimit për nisjen e vitit të ri shkollor në sistemin parauniversitar
60 per qind
e klasave në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze janë të ndotura me mikrobe. Kjo ka rezultuar pas një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik
Regjistrimet
MASH ka vendosur të forcojë rregullat e regjistrimit në arsimin parauniversiter. Nuk do të tolerohen më regjistrime në shkolla sipas preferencave, por vetëm sipas vendbanimeve. Tolerancë do të ketë vetëm për raste shumë të veçanta të nxënësve të shkëlqyer. Do të lihet një përqindje tolerimi 3-5%. Nxënësit, për t’u regjistruar, duhet të plotësojnë një formular që shkolla të marrë masa për përgatitjen, ndarjen e klasave, ofertat që i jepen, për interesat që kanë fëmijët, kështu që domosdoshmërisht periudha e regjistrimit të gjimnazit fillon jo më vonë se 1 shtatori dhe mbaron më datë 9 shtator.
© Panorama.al











