Hidrocentralet, ndahet maxhoranca

Jun 2, 2011 | 8:56

Maxhoranca është përçarë dje në diskutimin e një projektligji, duke shfaqur qëndrime të ndryshme karshi tij.Bëhet fjalë për projektligjin që sanksionon ndarjen e 5 hidrocentraleve nga KESH-i dhe krijimin e tri shoqërive anonime që u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë. Ky i fundit zgjati për pothuajse dy orë dhe është shoqëruar me debate të forta, sidomos mes përfaqësuesit të Ministrisë së Ekonomisë, Agim Bregasi, drejtor i Energjetikës dhe deputetit të PD-së, Sherefedin Shehu. Qysh në fillim, dy deputetë, ai i opozitës, Andis Harasani dhe ai i maxhorancës, Sherefedin Shehu, kanë “bombarduar” në pyetje përfaqësuesin e METE-s, duke e ndalur vëmendjen në disa pika. Për deputetin e PS-së, Harasani, logjika ekonomike e investimit në hidrocentrale dhe më pas shitja e tyre duket pa sens. Duke iu referuar rastit të Bistricës 1 dhe 2, ku me kredi janë bërë rehabilitime, ai theksoi se nxjerrja në shitje në të njëjtën kohë edhe me Ulëz-Shkopetin nuk do të ndijojë për mirë në çmimet që do të jepen. “Nëse për Bistricën 1 dhe 2, shteti shqiptar nëpërmjet një kredie të BERZH-it dhe KfW-s, ka bërë një punë shumë të mirë, ka bërë rehabilitimin e të dyja veprave, gjendja në Ulëz-Shkopet është shumë e mjerë. Kështu që do të nxirren njëkohësisht dhe do të krijojë diferenca vlerash”, tha Harasani. Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesi i Ministrisë u shpreh se çdo vepër, para se të privatizohet, do të vlerësohet si për investimet që janë bërë në të, ashtu edhe për gjendjen aktuale ku ndodhet. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Harasani ishte ajo e filozofisë së liberalizimit të tregut të energjisë përmes shitjes së hidrocentraleve, çka, sipas tij, nuk është një logjikë e drejtë në kohën që, siç u shpreh ai, kreu i qeverisë po flet për ndërtimin e veprave të reja të energjisë. Pyetjet nuk i ka kursyer as deputeti Sherefedin Shehu, i cili fillimisht është shprehur në favor të koncesionit, dhe jo të shitjes. Një tjetër shqetësim i tij ishte fakti që po nxirren për privatizim vepra me fuqi më të madhe se më parë. Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dha sqarimin se vepra më e madhe e dhënë me koncesion dhe e privatizuar është ajo e Smokthinës, pak më shumë se 9 megavat, ndërkohë që veprat që sanksionon projektligji i diskutuar dje, janë disa herë më të mëdha në fuqi. Shehu ngriti dyshime mbi faktin se pse ligji për ndarjen e hidrocentraleve nga KESH-i dhe më pas privatizimi duhet të vijë me një ligj të veçantë në Komisionin e Ekonomisë, ndërkohë që kjo mund të bëhet edhe nga vetë Ministria e Ekonomisë. Bregasi në këtë pikë ka argumentuar se kjo është një çështje e rëndësishme e një sektori strategjik, siç është energjia dhe për këtë duhet trajtuar me një ligj të veçantë. Në fund deputetët miratuan projektligjin në parim, kurse deputetët Sherefedin Shehu dhe Andis Harasani u larguan para mbylljes së Komisionit.

9 megavat
Deri në këtë fuqi të instaluar maksimale ka qenë hidrocentrali më i madh i privatizuar në vend, që është ai i Smokthinës, sipas Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

24 megavat
është fuqia e instaluar që në Hidrocentralin e Shkopetit, i cili do të privatizohet së bashku me Ulzën, Bistricën 1 dhe 2, ndërkohë që Lanabregas do të lihet për një moment tjetër.

Shitja e HEC-eve, Rama: Do t’i anulojmë

Kreu socialist e cilësoi dje proces mafioz shitjen e hidrocentraleve nga ana e qeverisë. Gjatë një daljeje për mediat, Rama tha dje se nuk njeh si të ligjshëm asnjë proces si ky që po ndërmerr qeveria me shitjen e pronës publike. “Nuk do të njohim si të ligjshëm asnjë proces të kësaj natyre dhe ashtu siç kemi thënë për të tjera procese të korruptuara me sfond mafioz, themi edhe përsa i takon procesit të hapur për privatizimin e këtyre aseteve kombëtare. Do t’i zmbrapsim dhe do t’ua kthejmë shqiptarëve, qytetarëve të këtij vendi”, u shpreh Rama. Kryesocialisti i cilësoi hidrocentralet pasuri e madhe kombëtare që nuk mund të shitet. “Bëhet fjalë për pesë hidrocentrale të Bistricës 1 dhe 2, dy të tjera mbi lumin Mat dhe të HEC-it të Lanabregasit në Tiranë. Janë pjesë e një aseti të madh publik, një pasuri e madhe kombëtare dhe, mbi të gjitha, një pasuri, e cila jo vetëm që nuk është problematike për nga pikëpamja e rentabilitetit, por përkundrazi, fitimprurëse, me rezultate qartësisht të dukshme. E, mbi të gjitha, rinovimi i gjithë këtyre aseteve është bërë thuajse plotësisht me kredi, pra me borxhe të marra bazuar mbi kontributin e të gjithë qytetarëve taksapagues.
Pse Saliu e hedh këtë hap, për ne është shumë e qartë. Shthurja e ekonomisë dhe e financave të këtij vendi tashmë ka hyrë në një fazë jashtëzakonisht të rrezikshme për stabilitetin e vendit”, u shpreh Rama. Duke e akuzuar qeverinë për shitjen e pasurisë kombëtare, Rama tha se qëllimi i saj ka të bëjë me dhurim të kësaj pasurie privatit. “Nuk bëhet fjalë për ndonjë nevojë për rehabilitim. Nuk bëhet fjalë për asnjë nga ato nevoja që zakonisht shtrojnë problemin e kalimit të pronësisë nga duart e shtetit në duart e privatit. Bëhet fjalë për një tjetër grabitje ditën për diell, aq më tepër pastaj kur sheh relacionin e qeverisë që shoqëron një projektligj absolutisht keqbërës për këtë vend. Në projektligj, për më tepër, shfaqen dy formula të ndryshme, duke lënë të hapur formën e privatizimit dhe, sigurisht, duke lënë plotësisht të hapur dhe shtegun e abuzimit të pritshëm. Është parashikuar një kohë shumë e shkurtër 4 muaj, që as bëhet fjalë se mund të jetë një kohë e arsyeshme për privatizime të kësaj natyre, të cilat, në rastin konkret, janë tërësisht të panevojshme, për më tepër plotësisht të dëmshme për të sotmen, por akoma më shumë për të nesërmen e këtij vendi”, u shpreh Rama.

Debatet në Komisionin e Ekonomisë

Andis Harasani: Kam frikë se po hyjmë në një logjikë ekonomike pa sens, që ndërtojmë vepra dhe pastaj ose i japim me koncesion, ose i privatizojmë. Kjo është një logjikë që bota e ka provuar se nuk është ekonomike. Në radhë të tretë, mendoj që është e gabuar nxjerrja njëkohësisht qoftë e Bistricës, Lanabregasit dhe Ulëz Shkopetit. Pse e them këtë? Në radhë të parë për Lanabregasin nuk është e qartë, krijohet shoqëria, por nuk thuhet fare që do  të kalojë për privatizim. Në radhë të dytë, kemi të bëjmë me dy raste që kanë vlera të ndryshme. Në ç’kuptim? Nëse për Bistricën 1 dhe 2, shteti shqiptar nëpërmjet një kredie të BERZH-it dhe KFË-s, ka bërë një punë shumë të mirë, ka bërë rehabilitimin e të dyja veprave, gjendja në Ulëz-Shkopet është shumë e mjerë. Kështu që do të nxirren njëkohësisht dhe do të krijojnë diferenca vlerash. Nuk mendoj se është veprimi i duhur ekonomik.
Sherefedin Shehu: Doja të dija, a ka hidrocentrale që sot janë dhënë me koncesion dhe kanë kapacitet të njëjtë me këta që propozohen për t’u privatizuar ose dhënë me koncesion?
Agim Bregasi: Me ligjin e ’99-s kanë dalë në shitje dhe aty janë përcaktuar dhe dy format e shitjes, apo koncesion HEC-esh, deri në 2 megavat. Ata që janë dhënë deri tani, janë deri në këtë madhësi. Kanë qenë deri në dy mega dhe Bogova Gjanci dhe Smokthina, janë te mbi 3 dhe Smokthina mbi 9 mega, më të mëdhenj se kaq nuk kanë dalë.
Sherefedin Shehu: Po Kalivaçi?
Agim Bregasi: Me koncesion u dha vetëm ndërtimi dhe…
Sherefedin Shehu: Bjeri drejt dhe mos na fut në labirinte? Tjetër, çfarë e shtyn këtë ndarje nga KESH-i të vijë si ligj në Parlament?
Agim Bregasi: Kemi të bëjmë me një sektor strategjik, kërkohet dhe miratimi nga Parlamenti.
Sherefesin Shehu: Mos e vazhdo me këtë argument. Thuaje siç është, se nuk kemi ardhur të tallemi këtu.
Edmond Spaho: Sherefedin, të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt. Përgjigjet janë shumë profesionale dhe korrekte, tani, na pëlqen a s’na pëlqen, mund të kemi horizonte të tjera, por s’mund t’i drejtohemi atij me terma që nuk na takon.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura