Hidink: Çelsi s’më ka kërkuar ende të firmos

Jun 13, 2011 | 10:30

Pritej zyrtarizmi i Gus Hidinkut brenda javës, por stoli i Çelsit edhe këtë javë do të mbetet bosh. Trajneri holandez i Turqisë ka mohuar të ketë mbërritur një ofertë zyrtare nga ish-klubi i tij. Hidink për momentin drejton përfaqësuesen ballkanase në fushatën eliminatore të “Euro 2012-s” dhe presidenti i Federatës turke ka kërcënuar se do ta padisin Roman Abramoviçin, në rast se firmos me teknikun e tyre për sa kohë është nën kontratë. Përveç të tjerash, 64-vjeçari ka hedhur poshtë dhe kërkesën për të sjellë në “Stamford Bridge” nxënësin e tij, Uesli Shnajder. “Dua të sqaroj se mes meje dhe klubit nuk ka pasur asnjë kontakt këto javët e fundit. Pas ndeshjes Belgjikë-Turqi, unë udhëtova drejt Koresë së Jugut. Nuk shkova me pushime, por në një nga projektet e një vendi, Kombëtaren e të cilit e drejtova në Botërorin e 2002-shit. Kam bërë shumë punë bamirësie atje. Kur u ktheva sërish në Europë dëgjova të gjitha këto histori, ku njëra prej tyre ishte se gjoja kisha kërkuar firmosjen e Çelsit me Shnajderin”, tha Hidink.

© Panorama.al

Te lidhura