Hidhet nga kati i 10 biznesmeni

Feb 10, 2012 | 11:23

Vendi ku u gjet i vdekur 37-vjeçari

FIER/ Policia: Po hetojmë për vetëvrasje, viktima kishte mbyllur derën e dhomës

Humb jetën 37-vjeçari, dyshime për lojërat e fatit.

Vetëvritet duke u hedhur nga kati i dhjetë biznesmeni i duraluminit në Fier. Gentian Peshku, 37 vjeç, baba i dy fëmijëve, ka ndërruar jetë në vend, pas rënies nga lartësia e konsiderueshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, në lagjen “Apolonia” të qytetit të Fierit. Sipas burimeve të Policisë dhe personave në vendin e ngjarjes, viktima kishte rënë në pjesën e xhamit të përparmë të mjetit tip “Benz” me karroceri, i përshtatur për mbajtje materialesh duralumini. E njoftuar nga banorët e bllokut të pallateve përreth dhe kalimtarë të rastit, policia mbërriti në vend bashkë me grupin hetimor. Fillimisht është tentuar që t’i jepet ndihma e parë biznesmenit, i identifikuar menjëherë si banor i pallatit prej nga ishte hedhur. Megjithëse dërgimin në spital, mjekët konfirmuan vdekjen e tij në vend, nga plagët e marra prej përplasjes së fortë me makinën. Nga të dhënat e para u dyshua se mund të bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale, ku në rrethana ende të paqarta 37-vjeçarit mund t’i kishte rrëshqitur trupi nga ballkoni dhe ka përfunduar në tokë, nga dhjetëra metra lartësi. Por, grupi i hetimit është kthyer në vend, duke u ngjitur në apartamentin e viktimës, ku në momentet e ngjarjes nuk ndodhej njeri. Dera e dhomës që komunikonte me ballkonin, prej nga u hodh Peshku, ishte e mbyllur, çka ka hedhur dyshimet se bëhej fjalë për një ngjarje të qëllimshme, e menduar nga vetë viktima. Gentian Peshku kishte një biznes përpunim duralumini në qytetin e Fierit. Nga të dhënat e para që ka mbledhur policia, duke pyetur familjarët e tij, është mësuar se 37-vjeçari nuk ka pasur probleme në familje e as në biznes kohët e fundit, që ta shtynin drejt vetëflijimit. Sipas Policisë, e shoqja e tij ishte parukjere dhe familja ishte në gjendje të mirë ekonomike. Megjithatë, dyshimet e vetme mbi shkaqet e vetëflijimit janë hedhur dhe mbi pistën e angazhimit të viktimës në lojëra fati. Ndonëse familja nuk kishte dijeni që 37-vjeçari të ishte përzier në këto lojëra, nga disa verifikime të policisë po shikohet se humbja e ndonjë sasie parash të ketë shtyrë Peshkun drejt vetëflijimit. Pritet që marrja në pyetje të vazhdojë me shokë apo me persona që e njihnin viktimën, për të hedhur dritë mbi shqetësimet e tij të kohëve të fundit.

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura