Hida: Deputetët e PD s‘kanë kërkuar analizë të Qeverisë

Jul 3, 2012 | 12:56

Deputeti i PD, Sybi Hida

Deputeti i PD: Ç’duhet të ndryshojë maxhoranca.

“Noka ministër i Brendshëm, zgjidhje e drejtë dhe e arsyeshme e Kryeministrit”

Deputeti i PD-së, Sybi Hida, e quan të shëmtuar shpërdorimin e informacioneve zyrtare të Presidentit lidhur me njerëzit me dosje të Sigurimit të Shtetit në politikë. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai komenton edhe ndryshimet e fundit në qeveri dhe zgjedhjen e kreut të shtetit.
Pavarësisht zërave të shumtë brenda Grupit Parlamentar të PD-së për ndryshime në qeveri, Kryeministri Sali Berisha u mjaftua me emërimin e sekretarit Organizativ, Flamur Noka, si ministër i Brendshëm. Ndërsa në radhët e LSI-së pati përgjithësisht një rokadë në pozicionet që ajo mban prej 3 vitesh. Si i vlerësoni këto zhvillime brenda koalicionit qeverisës?
Jo vetëm çdo i mandatuar, por çdokush që do të kishte mundësinë për të krijuar një qeveri, do ta formonte atë sipas vlerësimeve të veta, dhe gjasat që emrat e ministrave të jenë të njëjtë janë pothuajse të pamundura. Në një republikë parlamentare si e jona këtë tagër e ka vetëm një person; pesha e formimit të qeverisë i takon atij: Kryeministrit. Të tjerët duhet të vëzhgojnë dhe të monitorojnë programin dhe ecurinë e saj. Ndonëse ju thoni zëra të shumtë, deri tani asnjë deputet apo grup deputetësh brenda PD nuk ka kërkuar një analizë të qeverisë, gjë e cila do të thotë që ekziston një bindje e përgjithshme mbi arritjet e kësaj qeverie. Vendosja e zotit Noka ministër të Brendshëm është një zgjidhje e drejtë dhe e arsyeshme e Kryeministrit. Zoti Noka është një politikan i ri, i cili ka qenë i angazhuar plotësisht dhe palodhshmërisht në proceset politike dhe organizative, dhe çdo logjikë elementare do të kuptonte se kemi të bëjmë me një emërim të natyrshëm. Është një mundësi që i jepet zotit Noka dhe, pa dyshim, një përgjegjësi. Në demokraci, në postet qeveritare shkojnë ata që merren me politikë dhe që përballen me votuesit si gjatë fushatave, ashtu edhe në kontaktet e përditshme. Për shkencëtarët dhe kërkuesit shkencorë që e kalojnë kohën në biblioteka dhe laboratorë ka mundësi të pafundme dhe qasje të përkora ku ata mund të ndihmojnë shoqërinë, vendin dhe të mbështesin proceset demokratike dhe politike. Kjo nuk do të thotë se ekziston ndonjë pengesë, përkundrazi, ata mund të jenë aktivë në jetën politike të vendit apo të garojnë në zgjedhje. Sigurisht që gradat shkencore janë të mira për zhvillimin dhe përsosjen e shoqërisë, por në politikë grada është vota.
Me gjithë deklaratat e Kryeministrit për konsensus me opozitën, Presidenti i ri u zgjodh vetëm me votat e PD-së dhe të aleatëve të saj. Gjykoni se kjo do të ndikojë në favor të PD-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm?
Dua të theksoj që zgjedhja e Presidentit nuk është bazuar te rezultatet e pritshme të zgjedhjeve, por te fuqia që i jep Kushtetuta Parlamentit shqiptar dhe një kuorumi prej 71 deputetësh. Jemi dëshmitarë të një procesi transparent dhe demokratik të zgjedhjes së Presidentit, proces që u përpoq të përfshinte të gjithë spektrin politik të vendit. Në lidhje me ndikimin e këtij procesi në zgjedhjet e vitit që vjen, dua të them se ai nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi në një kuptim të drejtpërdrejtë. Pa dyshim, në një kuptim tjetër, drejtimi me maturi i Presidencës, moderimi i debatit politik në vend prej zotit Nishani, ndihma që ai mund t’u japë reformave, mund të bëjë që kjo maxhorancë të gjykohet nga qytetarët si një entitet politik që i dha vendit një President të mirë. Nga ana tjetër, ne besojmë se aseti ynë në zgjedhjet e ardhshme do të jenë vetëm arritjet tona. Është kjo maxhorancë, që, me reformat e saj, bëri të mundur që vendi të jetë anëtar i NATO-s, është kjo maxhorancë që bëri të mundur që shqiptarët të lëvizin si qytetarë të lirë në Europë, është kjo maxhorancë që me kurajë mbështeti biznesin privat dhe rindërtoi infrastrukturën rrugore.
Pak ditë më parë, Presidenti Topi deklaroi se në politikë ka njerëz me dosje. Ndërkohë që gjatë negociatave për Presidentin, dy kandidatë dhanë dorëheqjen për shkak të dyshimeve mbi të kaluarën e tyre. E gjykoni si kohën ideale për ta ndërmarrë një nismë sot për hapjen e dosjeve?
Fillimisht dua të them se është joetike dhe krejtësisht jo në përputhje me atë që duhet të përfaqësojë institucioni i Presidentit, që kreu i shtetit të bëjë deklarata të tilla. Është e shëmtuar që Presidenti i Republikës të përfshihet në debate të natyrave të tilla duke përdorur, keqpërdorur apo shpërdoruar informacionin që mund të ketë, por sidomos për vendin që ai zë si kreu i shtetit. Në lidhje me hapjen e dosjeve mendoj se çështja nuk është shtruar në mënyrën e duhur. Çështja thelbësore ka të bëjë me dekomunistizimin e shoqërisë dhe të politikës, ku pa dyshim hapja e dosjeve është një element kyç. Ndonëse kanë kaluar shumë vite, vazhdon të mbetet emergjente zbardhja e krimeve të atyre që ishin arkitektë të regjimit komunist, anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave të regjimit, gjyqtarëve dhe prokurorëve të diktaturës, kryetarëve të komiteteve ekzekutive e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme. Ky proces nuk mund të jetë kurrë i plotë dhe i drejtë në qoftë se nuk nis nga këtu. Ky proces, nëse do të bëhet një ditë – dhe duhet bërë me urgjencë – duhet medoemos të zbardhë para shqiptarëve dhe gjithë ata që bashkëpunuan dhe kryen krime si informatorë të Sigurimit famëkeq të shtetit, duke hapur dosjet e tyre. Sa u takon dy ish-kandidatëve për President, për të cilët ju thoni që dhanë dorëheqjen për shkak të së kaluarës së tyre, më duhet të them se ky është një tregues i turpshëm se si zëra të caktuar në politikë apo në media helmatisin debatin dhe shoqërinë. Askush nuk mund të thotë se zoti Zaganjori dhe zoti Hoxha kanë qenë njerëz të cilët gjatë periudhës së regjimit komunist kanë ndihmuar këtë makinë të shëmtuar dhune të vrasë, të burgosë apo internojë shqiptarë. Është një spekulim i neveritshëm, ndoshta i atyre që vetë kanë bërë gjëra të tilla. Mos-hapja e dosjeve krijon një asimetri informacioni që në botën tonë të abuzimit mund të baltosë çdokënd që ka qenë në moshë madhore para viteve ‘90, mjafton që abuzuesi të ketë hapësirë mediatike, e cila, në këtë kohë, është e pakufishme.
Gjatë negociatave për zgjedhjen e Presidentit u vu re se peshën kryesore të vendimmarrjes e pati tryeza e kryetarëve të partive të koalicionit dhe jo diskutimi brenda Partisë Demokratike, si partia që ka përgjegjësinë kryesore ndaj qytetarëve që e kanë votuar. A mendoni se po zhduket fryma kritike brenda PD-së dhe sa ndikon kjo në ngushtimin e bazës së përfaqësimit të kësaj partie në shtresat e elektoratit të djathtë?
Mendoj që çdo deputet ka qenë i lirë të shprehë mendimin e tij si në forumet e partisë, ashtu edhe në media. Dhe nuk ka pasur pak deputetë që janë shprehur qartë si për procesin e zgjedhjes së Presidentit, ashtu edhe për emra konkretë. Personalisht mendoj që zgjedhja e Presidentit duhej të bazohej vetëm te Kushtetuta dhe nuk i kam parë si një zhvillim pozitiv për politikën negociatat paraprake midis partive për emra të veçantë. Të dyja partitë duhet të kishin dalë që në raundin e parë me disa emra, 3, 4, pse jo edhe 7, dhe pastaj të shkohej te konsensusi, nëse ishte i mundur. Megjithatë, për të plotësuar kërkesat e opozitës, maxhoranca u detyrua që të kërkojë një konsensus paraprak. Dhe sigurisht që i gjithë Grupi Parlamentar i PD nuk mund të shkonte në negociata, por një përfaqësi e tij, e cila ka informuar rregullisht Grupin e PD për ecurinë e tyre. Pavarësisht kësaj, mendoj që zgjedhja e zotit Nishani është një gjetje e duhur, i cili, me korrektësinë e tij, do t’i ofrojë postit të Presidentit cilësitë e kërkuara nga Kushtetuta e vendit. Përsa i përket frymës kritike brenda PD-së, mendoj që PD është një parti e madhe, me kapacitete intelektuale dhe lirimbrojtëse. Kritika nuk është dhe nuk mund të jetë qëllim në vetvete; lira e mendimit dhe e shprehjes së tij është qëllim në vetvete. Ju e shihni se njerëz të PD-së, deputetë apo funksionarë të tjerë janë të pranishëm me mendime, pikëpamje dhe kritika të tyre vazhdimisht në televizione dhe gazeta. Ju duhet të keni parë që edhe gjatë mbledhjeve të qeverisë ka opinione të ndryshme për çështje të caktuara. Nocioni frymë kritike brenda partisë që ju përmendni nuk më duket një kategori politike që ekziston si e tillë. Nuk e shoh këtë as në partinë e zotit Cameron, as në partinë e zonjës Merkel, apo në partinë e Kryeministrit Rajoy. Në këto parti shoh dinamika dhe pikëpamje të ndryshme, por jo frymë kritike si një qëllim në vetvete. Ndërsa në lidhje me elektoratin e djathtë, mendoj që kjo maxhorancë ka treguar me reformat e ndërmarra që beson te filozofia e djathtë e progresit të shoqërisë. Është kjo maxhorancë që ka një Kryeministër, mendoj nga të paktët politikanë në vend, që beson që biznesi nuk është përfituesi, por prodhuesi i të mirave e shërbimeve. Dhe mendoj që ky është një ndryshim shumë i madh dhe konceptual i të bërit politikë në vendin tonë.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura