Hetimi, si qarkullojnë kartëmonedhat false

Sep 5, 2012 | 12:28

TIRANE – Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj katër personave të akuzuar për hedhjen e parave të falsifikuara në tregun kryeqytetas, mes të cilëve edhe kryetari i komunës Pezë e Vogël. Të akuzuarit u arrestuan në ditët e fundit të qershorit të këtij viti, pas disa muajsh hetime, ku u përdorën edhe metodat speciale hetimore, si përgjime dhe blerje të simuluara nga agjentë nën mbulim. Dosja me të pandehur kryekomunarin Edmond Çela dhe të pandehurit e tjerë Preng Shqalshi, Sandër Pacani dhe Sekret Hallaci është depozituar në Gjykatën e Tiranës. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës, sipas të cilave kjo dosje pret të shqyrtohet nga një trupë gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Shefkie Demiraj. Po sipas burimeve, akuzat që rëndojnë mbi të pandehurit e dosjes janë ato të “falsifikimit të monedhave” në bashkëpunim, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “moskallëzim krimi”. Sipas Prokurorisë, hetimi ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje nisi pas dyshimeve se shtetasi Preng Shqalshi kishte filluar të shpërndante në Tiranë kartëmonedha të falsifikuara, kryesisht lekë shqiptare të prerjeve 1000 lekë, 2000 lekë dhe 5000 lekë. “Nga hetimet është mësuar se shtetasi Preng Nikoll Shqalshi dyshohet se bashkëpunonte edhe me shtetas të tjerë në kryerjen e këtij aktiviteti, pasi gjatë një bisede të kryer prej tij me shtetas të tjerë është shprehur se është dorë e dytë në këtë aktivitet dhe se makinerinë e prodhimit e kanë blerë në Gjermani”, thuhej në materialet e Prokurorisë. Hetuesit kanë mundur të shtien në dorë disa kartëmonedha, që rezultonin të falsifikuara. Po sipas Prokurorisë, në vijim është kryer një blerje e simuluar nga dy agjentë të infiltruar si blerës. “Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Preng Shqalshi, me datë 16.4.2012, është takuar me oficerët e Policisë Gjyqësore, ku u ka sjellë atyre një shumë prej 30.000 lekësh, të prerjes 1000 lekëshe”, thuhej në materialet e akuzës. Në vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, dhënë më 3 korrik, thuhej se “Nga përgjimi kanë rezultuar të përfshirë si emra edhe shtetasit Sekret Hallaçi, Sandër Pacani dhe Edmond Çela, pasi nga komunikimet telefonike ka rezultuar se shtetasi Preng Shqalshi ka folur në telefon edhe me personin nën hetim, Edmond Çela. Pasi është arrestuar në flagrancë shtetasi Preng Shqalshi, në deponimet e tij përpara organeve kompetente, ai ka deklaruar se monedhat i merrte nga shtetasi Edmond Çela, të cilin e njihte pasi shkonte për gjueti në Mirditë”.                                           ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura