Gjykata e Lartë çeli dje procesin gjyqësor me të pandehur ish- zv. kryeministrin, Ilir Meta. Ish-zv. kryeministri u vu nën akuzë për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”, pas publikimit në media të një video-përgjimi të realizuar në zyrën e ish-ministrit Dritan Prifti.Në seancë, mbrojtësit ligjorë të Metës pretenduan shkelje të rënda të kryera nga organi i akuzës në fazën e hetimeve paraprake, duke kërkuar pavlefshmëri veprimesh hetimore, si edhe papërdorshmëri provash. Vetë ish- zv. kryeministri nuk ishte i pranishëm në seancë.
MBROJTJA
Vetëm pak pasi relatoi zëvendësimin e një prej anëtarëve të Kolegjit Penal, Besnik Ymeraj, për shkak të dorëheqjes së tij, Kolegji u kërkoi palëve për paraqitjen e kërkesave paraprake. Në mungesë të kërkesave të tilla nga prokurori Bujar Sheshi, radha i kaloi përfaqësuesve të ish- zv. kryeministrit Meta, avokatëve Petrit Serani dhe Gëzim Veleshnja. Avokatët pretenduan se Prokuroria ka kryer veprime hetimore ndaj një personi me imunitet, pa marrë më parë miratimin e Kuvendit. Më parë ata thanë se procedimi penal kishte nisur nga Prokuroria e kryeqytetit pa e regjistruar në emrin e Metës, ndonëse, sipas tyre, përfaqësuesit e akuzës kishin dijeni se ndaj kujt po zhvillohej hetimi. Sipas avokatëve, referuar këtij fakti, veprimet hetimore të kryera nga data 12 janar 2011 deri në 16 shkurt 2011, janë të pavlefshme. Njëkohësisht, avokatët e Metës pretenduan pavlefshmëri edhe për veprimet hetimore të kryera pas datës 16 prill e deri në 9 maj 2011, me argumentin se ato janë kryer jashtë afateve hetimore 3-mujore, të parashikuara në ligj. Kështu, sipas mbrojtësve, jashtë afateve proceduriale janë kryer veprimet hetimore të kryerjes së ekspertimeve teknike, transkriptimet e bisedave, njoftimi i akuzës, marrja e dëshmive, përfshi ato të Dritan Priftit, si edhe kërkesa për gjykim. Të pavlefshme, sipas mbrojtësve, u pretenduan edhe ekspertimet teknike të kryera ndaj videos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe. Avokatët thanë se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka zbatuar kriteret e përcaktuara nga Konventa Europiane për “Ndihmë Juridike në Fushën Penale” në përcaktimin e ekspertëve të huaj. “Organi i akuzës, duke abuzuar me të drejtën e vetëvendosjes, në mënyrë apriori ka caktuar dy specialistë të huaj, duke anashkaluar të gjitha kërkesat e ligjit”, thanë avokatët. Sipas tyre, në këtë mënyrë të pandehurit Meta i janë mohuar të drejtat për të kërkuar, nëse e gjykonte të arsyeshme përjashtimin e ekspertit, mundësinë për t’i drejtuar pyetje ekspertit apo për të marrë pjesë si palë e akuzuar në kryerjen e ekspertimit. Po ashtu, avokatët pretenduan papërdorshmëri të provave materiale të sekuestruara nga prokuroria, “lap-top”, një “orë tavoline”, një “usb” dhe një “fish cable usb” me ngjyrë të zezë. Sipas mbrojtësve, ato nuk përmbushin kushtet e kërkuara nga ligji. Njëkohësisht, mbrojtësit pretenduan se rezultatet e përgjimit, të realizuar nga shtetasi Dritan Prifti, kurrsesi nuk mund të përdoren si provë, sepse përgjimi nuk është bërë sipas dispozitave ligjore përkatëse.
“Mbrojtja nuk ka mohuar asnjëherë kryerjen e bisedës ndërmjet personave me status zyrtar epror vartës, zv. kryeministër dhe ministër, kryetarit dhe zv. kryetarit të një partie politike parlamentare, por ka këmbëngulur dhe vazhdon të këmbëngulë se zbardhja e së ashtuquajturës bisedë në këtë filmim është komplet e manipuluar, me qëllim denigrimi dhe shantazhi nga shtetasi Dritan Prifti, për përfitime personale. Transmetimi i videos dhe zbardhja e bisedës ka karakter politik dhe u përdor për qëllime politike”, thanë avokatët para Kolegjit Penal.
Hetimi ndaj Metës
Prokuroria shqiptare filloi hetimet kryesisht ndaj ish-zv. kryeministrit Ilir Meta pas publikimit të videos në emisionin “Fiks Fare”. Hetimi fillimisht u krye në Prokurorinë e Tiranës dhe më vonë dosja shkoi në Prokurorinë e Përgjithshme për të hartuar kërkesën për heqje imuniteti. Prokuroria e Përgjithshme kërkoi më pas heqje imuniteti edhe për Dritan Priftin, pasi në kompjuterin e tij u gjet një video, të cilën ai e kishte fshirë. Në këtë video, Dritan Prifti merrte 70 mijë euro nga ish-zv. ministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri. Prokuroria e ka ende në hetim dosjen e Priftit.
Letër-porositë
Letër-porositë konsiderohen si akte procedurale që realizohen nga Prokuroria dhe Policia Gjyqësore për rastet e marrjes ose kërkimit të një prove jashtë shtetit. Sipas rregullores, letër-porosia duhet të kalojë nga Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë dhe të përcillet më pas në shtetin përkatës me anë të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë. Në rastin e dosjes penale të hapur mbi bazën e përgjimeve të bëra nga Dritan Prifti, Prokuroria e Përgjithshme ka shmangur Ministrinë e Drejtësisë, pasi e ka dërguar vetë letër-porosinë në SHBA dhe Angli për ekspertizat e videos.
Kërkesat e avokatëve
1. Veprimet hetimore të kryera nga data
12.1.2011 deri në datën 16.2.2011 janë të pavlefshme. Kjo sepse janë kryer ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të cilin akoma nuk ishte dhënë autorizimi për ndjekje penale nga organi kompetent, Kuvendi i Shqipërisë.
2. Veprimet hetimore të kryera nga data
12.4.2011 deri në datën 9.5.2011 janë të pavlefshme. Ato janë kryer jashtë afateve ligjore
të hetimit, të parashikuara në dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.
3. Aktet e ekspertimeve teknike të kryera në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe janë të pavlefshme, sepse
këto akte janë kërkuar të kryhen pa respektuar kërkesat e Konventës Europiane për Ndihmën Juridike në Fushën Penale.
4. Provat materiale të administruara nga organi i
akuzës gjatë fazës së hetimeve paraprake nuk janë origjinale. Për pasojë, ato nuk përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kodit i Procedurës Penale dhe janë të pavlefshme. Për rrjedhojë, janë të papërdorshme.
5. Videoja e regjistruar fshehtazi, e cila ka
shërbyer si materiali bazë për fillimin e procedimit penal, është e pavlefshme, sepse
nuk dihet burimi i prodhimit të saj dhe në
prodhimin e saj nuk janë zbatuar kërkesat e ligjit në lidhje me përgjimet.
Prokurori: Mbrojtja ka shumë pretendime, dua kohë
TIRANE – Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme në proces, prokurori Bujar Sheshi, kërkoi kohë dje për të paraqitur mendimin e tij mbi kërkesat paraprake të avokatëve mbrojtës të ish-zv. kryeministrit Ilir Meta. Menjëherë pas përfundimit të pretendimeve të avokatëve të Metës, relatori i çështjes, gjyqtari Ardian Dvorani, ia dha të drejtën e fjalës prokurorit. “Duke pasur parasysh numrin e shumtë të pretendimeve të mbrojtjes, me duhet kohë për t’u përgatitur për dhënien e mendimit”, kërkoi prokurori. Në vijim, Kolegji Penal pranoi kërkesën e tij dhe ndërpreu seancën. Seanca e radhës do të zhvillohet më 27 qershor 2011. Në këtë datë pritet që Prokuroria të shprehet në lidhje me kërkesat e bëra dje nga avokatët. Sipas procedurës, më pas do të vijohet me vendimin nga ana e gjykatës.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











