
Hetuesit: Pa administruar shkresat në dosje, s’thirren Doshi, Balla e Baraj.
Kuvendi: Vendimi u dërgua një ditë pas votimit në seancë.
Prokurorisë së Për-gjithshme nuk i ka mbërritur deri të premten autorizimi i Parlamentit të Shqipërisë për hetimin e tre deputetëve të Partisë Socialiste, të dyshuar për nxitjen e akteve të dhunshme në protestën e 21 janarit. Të premten, në mbyllje të orarit zyrtar, në organin qendror të akuzës ende nuk kishte mbërritur dokumentacioni nga Parlamenti për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për hetimin e deputetëve Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj. Për rrjedhojë, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka kryer asnjë veprim hetimor, pasi ndodhet në pamundësi procedurale për të vepruar. Nga ana tjetër, burime zyrtare nga Kuvendi thanë mbrëmë se heqja e imunitetit të tre deputetëve i është dërguar Prokurorisë “me shkresë përcjellëse” një ditë pas votimit në seancë plenare më 2 shkurt. Më 23 janar 2012, prokurorja e Përgjithshme deklaroi se i është drejtuar Parlamentit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve: Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj. Kërkesa e Prokurorisë u mor në shqyrtim nga Kuvendi dhe në seancën e datës 2 shkurt deputetët votuan heqjen e imunitetit për tre të zgjedhurit socialistë. Sipas të dhënave, për heqjen e imunitetit të Taulant Ballës votuan pro 118 deputetë, për heqjen e imunitetit të Tom Doshit votuan pro 116 deputetë dhe 107 deputetë ishin pro heqjes së imunitetit për deputetin Besnik Baraj. Pas këtij votimi, sipas Prokurorisë, nga Kuvendi duhet të mbërrijë me shkrim vendimi i seancës për heqjen e imunitetit të deputetëve. Praktika e deritanishme në rastet e heqjes së imunitetit të Ilir Metës, Dritan Priftit apo Fatmir Mediut ka qenë e tillë që shkresat e Parlamentit kanë mbërritur në Prokurori brenda 2-3 ditëve. Mirëpo, në rastin e tre deputetëve të PS-së, edhe pse kanë kaluar dhjetë ditë, Prokuroria thotë se deri të premten nuk i ka administruar në dosje procesverbalet dhe vendimet e Kuvendit për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të PS-së. Zëdhënësi i Prokurorisë, Plator Nesturi, tha se nuk kishte informacion nëse shkresa ka mbërritur dhe nëse ajo ka qenë brenda orarit zyrtar deri ditën e premte. Ai nuk përjashtoi mundësinë që shkresa të ketë shkuar në Prokurori, por protokolli nuk e ka trajtuar pasi ka qenë në përfundim të orarit zyrtar.
Hetimi për organizatorët
Një vit pas ngjarjeve të 21 janarit, Prokuroria kërkoi arrestimin e tre personave, përfshi komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendin, i akuzuar për vrasje, dhe në të njëjtën kohë iu drejtua Kuvendit për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të Partisë Socialiste. Prokurorja e Përgjithshme, në një konferencë për median me ambasadorin amerikan, tha se nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës ka dyshime të bazuara se deputetët kanë organizuar protestën e dhunshme. Hetimi deri në këtë fazë ishte kryer nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa pas kërkesës për imunitetin e deputetëve, pjesa e dosjes për organizimin e demonstratës së 21 janarit kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme. Me hetimin e çështjes është ngarkuar prokurori Alfred Progonati. Sipas burimeve zyrtare, ai nuk mund të kryejë veprime hetimore ndaj tre deputetëve të PS-së pa administruar në dosje shkresat e nevojshme nga Parlamenti, ku dëshmohet heqja e imunitetit për tre deputetët e PS-së.
Organizimi
Hetimet e Prokurorisë kanë gjetur elemente që dyshohet se përbëjnë vepra penale në ngarkim të tre deputetëve të PS-së. Sipas akuzës, deputeti i PS-së, Besnik Baraj, është personi që ka firmosur gjithë shkresat e komunikimit me Policinë për marrjen e lejes dhe organizimit të demonstratës. Deputeti tjetër, Tom Doshi, sipas hetimeve, rezulton se ka organizuar grupe personash nga Shkodra për pjesëmarrje në demonstratë dhe sipas Prokurorisë, duhet të hetohet nëse ka nxitur veprime të dhunshme. Deputeti tjetër, Taulant Balla, gjithashtu ka qenë i pranishëm në organizimin e protestës, ndërsa njërit prej personave të ndaluar pas demonstratës, Prokuroria i ka gjetur një mesazh telefonik të dyshimtë. “Po tani çfarë të bëjmë?”, i ka shkruar ky qytetar deputetit të PS-së, Taulant Balla. Interpretimi i Prokurorisë është se demonstruesit mund të kenë marrë instruksione për veprimet e tyre.
© Panorama.alPërplasja Polici-Prokurori
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në deklaratën e saj të datës 23 janar 2012, por edhe më pas në emisionin “Opinion”, ka deklaruar se Policia e Shtetit ka qenë inaktive në hetimin e organizimit të veprimeve të dhunshme të 21 janarit. Kryeprokurorja përmendi një relacion të Policisë së Tiranës të dërguar në Prokurori në korrik 2011, në të cilin sugjerohej mbyllja e dosjes së organizatorëve të demonstratës me argumentin se nuk ishin gjetur prova dhe elemente të mjaftueshme për vazhdimin e hetimit dhe ngritjen e akuzës. Nga ana tjetër, kryeprokurorja ka pohuar se institucioni i drejtuar prej saj kërkoi që policia të hetonte në këtë drejtim dhe në fund, bazuar në vlerësimin që iu bë provave të mbledhura, u vendos të kërkohet heqja e imunitetit për tre deputetët.











