Drejtoria Juridike e Ministrisë së Brendshme padit civilisht dhe penalisht një organizatë, e cila dyshohet se ka pajisur me dokumente policorë të falsifikuar persona të cilët më pas kanë abuzuar me këtë tagër. Qendra Shqiptare e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit është paditur penalisht nga Ministria e Brendshme në sektorin e Antikrimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ndërkohë që një padi civile është bërë edhe në Gjykatën e Tiranës. “Lufta” e Ministrisë së Brendshme nga Qendrës së vetëshpallur si e tillë, ka nisur pas gjashtë rasteve të arrestimit nga policia të shtetasve që kanë kryer vepra penale me dokumentet e lëshuara nga Qendra Shqiptare e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit. Disa prej këtyre personave, për krimet që kanë kryer janë arrestuar dhe më pas janë lënë në burg nga gjykatat. Nën pretekstin e trajnimeve në fushën e policisë dhe të sigurisë, qendra në fjalë pajis shtetasit me distinktivë identikë me ata të policisë. Por jo vetëm kaq, pasi Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit në vazhdimësi kanë marrë ankesa nga qytetarët dhe institucionet për disa persona të prezantuar si oficerë policie, punonjës të Policisë Kriminale, agjentë të SHISH etj, që kanë abuzuar duke mbajtur dokumente të tilla. Ministria e Brendshme i ka hetuar këto raste dhe pas verifikimeve, ka dalë se personat abuzues ishin pajisur me dokumente nga Qendra Shqiptare e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit. DY PADITË Pas konstatimit të disa rasteve të personave që janë pajisur me dokumente nga Qendra Shqiptare e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit, Drejtoria Juridike e Ministrisë së Brendshme ka bërë dy padi. Njëra padi është bërë për ndjekje penale dhe është dorëzuar në Sektorin e Antikrimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit dhe padia e dytë është bërë në Gjykatën e Tiranës. Në gjykatë kërkohet që togat e zeza të nxjerrin një urdhër ekzekutimi, me të cilin të kërkojnë shpërbërjen e qendrës në fjalë, për shkak të abuzimeve me dokumentet e lëshuara prej saj. Me dokumente të tilla, shtetas të ndryshëm kanë tentuar të abuzojnë dhe të përfitojnë duke u hequr si oficerë policie, agjentë të Policisë Kriminale e SHISH. Ndonëse Gjykata e Tiranës ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me padinë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Brendshme, Policia e Shtetit mësohet se ka nisur procedim policor për akuzën e përvetësimit të titullit. Imitimi apo kopjimi i stemave, imazheve dhe titujve e gradave të Policisë së Shtetit apo institucioneve të tjera shtetërore, konsiderohet si vepër kriminale dhe është e dënueshme nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. ABUZIMET Policia greke dhe më pas policia shqiptare kanë arrestuar vitin që shkoi në qershor dy persona që po tentonin kalimin nga kufiri tokësor për në Greqi. Shtetasit Erand Duka dhe Mikel Xheta janë prezantuar në kufi si “agjentë të Antiterrorizmit ndërkombëtar” dhe kanë deklaruar se do të shkonin në Greqi e më pas në Itali, për shkak të “detyrës” së tyre. Mirëpo, për të justifikuar titullin agjentë, ata kanë nxjerrë dokumentet e marra pikërisht te Qendra Shqiptare e Studimeve të Luftës kundër Terrorizmit. Duke konstatuar se një Qendër e tillë nuk njihet, nuk është e licencuar dhe e autorizuar për gjëra të tilla, policia i arrestoi dy personat, të cilët më 18 qershor 2010 u lanë në masën “arrest me burg” nga gjyqtarja Nevire Duka me kërkesë të prokurorit të çështjes Julian Çafka. Pas arrestimit, dy “agjentët” Erand Lika dhe Mikel Xheta deklaruan në gjykatë se kanë kryer një kurs trajnimi tremujor me drejtim për agjenturë. Sipas dëshmisë së dhënë në Prokurorinë e Sarandës, dy “agjentët” kishin nxjerrë në kufi dokumentet që kishin marrë që ditën e parë që ishin paraqitur në Qendrën e Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit.
Qendra: Në distinktivët tanë, jo flamuri i Italisë dhe BE-së
TIRANE – Drejtuesi i Shoqatës së Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit, siç përmendet në padinë e Ministrisë së Brendshme, është Maksim Ferra, ish-punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror. Pas arrestimit të të dy anëtarëve të shoqatës së tij një vit më parë, qendra në fjalë ka reaguar në media duke deklaruar se dy të arrestuarit në kufi me Greqinë i kishin shtuar “distinktivit edhe flamurin italian dhe atë të BE-së”, flamuj që nuk ishin vendosur në dokument nga qendra. “Karta që u është dhënë nuk e përmbante përcaktimin “agjent sekret”, përveçse konstatohet se në të “është shtuar flamuri italian dhe ai i BE”, ka thënë qendra në fjalë vitin që shkoi. Ndërkohë, drejtori i saj, Maksim Ferra, një vit më parë ka reaguar në media duke thënë se dy personat nga Dibra, përveçse kanë shkelur ligjet e shtetit, duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, i kanë shkaktuar dëm moral edhe organizatës në të cilën ishin anëtarësuar prej një muaji. “Ata ishin anëtarësuar në shoqatën tonë përpara një muaji, ishin pajisur me kartën e anëtarësimit dhe me një certifikatë njohurish që jepet pas një kursi disaditor, që konsiston në njohjen me rregullat e organizatës dhe funksionimin e saj”, ka deklaruar Maksim Ferra, drejtor i qendrës. Ai ka thënë se kartat e anëtarësimit janë keqpërdorur nga dy personat dhe ka këmbëngulur se ato nuk garantojnë asnjë lloj statusi për mbajtësin e tyre. “Të dy ata nuk ishin ngarkuar nga ne me asnjë detyrë për të shkuar në Greqi”, ka thënë drejtori i qendrës.
Qendra, Konferencë në Tiranë
“Terrorizmi, sfida e inteligjencës”. Kështu është titulluar konferenca kombëtare e organizuar nga qendra që është paditur prej Ministrisë së Brendshme. Konferenca është mbajtur pak kohë më parë në Tiranë dhe të ftuar kanë qenë përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Holandeze e Rumune, deputetët Leonard Demi, Jak Ndoka, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ish-këshilltari i Presidentit për sigurinë, Zabit Brokaj, kryetari i të drejtave të njeriut, Sami Starova, shefa komisariatesh, krimesh, të rendit të Tiranës dhe të komisariateve të rretheve të tjera. Kryetar të organizatave të ndryshme jo fitimprurëse, si dhe pedagogu i psikologjisë, Edmond Dragoti, ishpërfaqësuesi i SECIT për Shqipërinë, z. Agron Sojati, Indrit Aliu drejtor i donacioneve, si dhe fizikanti Sokrat Amata.
Kunati i Dritan Dajtit
Një dokument të falsifikuar me titullin e oficerit të policisë e ka mbajtur për shumë kohë edhe Ergest Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit. I shumëkërkuari, i cili në vitin 2009 vrau katër policë në Durrës gjatë aksionit për arrestimin e tij, për shumë kohë kishte mbajtur me vete dokumentin e policisë me emrin Agron Z. Distinktivi përmbante një fotografi të personit të veshur me rroba policie dhe për shumë kohë u dyshua se dokumenti ishte prodhuar në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Më pas rezultoi se dokumenti i policisë në fjalë ishte i falsifikuar, por imitim i përafërt me dokumentet e vërteta të policisë. Ky rast, ndonëse i ngjashëm në natyrë, nuk ka lidhje me qendrën e paditur nga Ministria e Brendshme.
Precedenti në Tiranë
Në dy raste të ndryshme, në qytetin e Tiranës policia ka vënë në pranga dy shtetas, të cilët mbanin distinktivë të ngjashëm me atë të policisë e madje prezantoheshin si punonjës të rendit. Ata hynin në kontakt me qytetarët, të cilëve u premtonin ndërhyrje, ndihmë dhe favorizimi nga më të ndryshmet, duke u marrë shuma parash. Pas ankesave të qytetarëve, Ministria e Brendshme dhe policia i ka dokumentuar rastet e përvetësimit të titujve dhe atributeve të policisë dhe i ka ndjekur penalisht autorët e këtyre krimeve në dy raste në kryeqytet. Në të dyja rastet, hetimi ka nisur sikur autorët e abuzimit të ishin policë, por më pas gjatë verifikimeve është mësuar se ata kanë pasur dokumente false.
© Panorama.al











