Hetimi, arkëtari i zhdukur vuante nga depresioni

Aug 12, 2011 | 12:49
Shpëtim Bocerri, arkëtari i zhdukur prej katër ditësh

Zbardhja e tabulateve telefonike të ditëve të fundit para zhdukjes së mistershme të Shpëtim Bocerrit, arkëtari i një pike karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, nuk kanë mundur të kanalizojnë hetimet në një pistë konkrete.Në këtë mënyrë, hetuesit po u mëshojnë më tepër dyshimeve që kanë lidhje me gjendjen depresive të të zhdukurit. Familja e Bocerrit ka humbur kontaktet me familjarin e tyre që prej ditës së premte. Përpos angazhimit të policisë për gjetjen e tij, deri mbrëmjen e djeshme nuk ishte gjetur asnjë gjurmë e tij. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se nga analizimi i tabulateve telefonike nuk ka rezultuar asgjë e dyshimtë që mund të çonte në zbardhjen e vendndodhjes së tij. Bëhet e ditur se kontaktet e tij telefonike kanë qenë të pakta në numër. Sipas prokurorisë, të paktën për 6 muajt e fundit ai ka marrë mesatarisht 2-3 thirrje telefonike në ditë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në ditët e fundit para zhdukjes. Por, asnjëra prej tyre nuk është konsideruar kërcënuese, pasi janë vetëm thirrje të realizuara nga pjesëtarë të familjes së tij. Nga ana tjetër, burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se të pyetur në prokurori, familjarët e Bocerrit kanë pohuar se ai ishte tip i vetmuar. Sipas rrëfimeve të familjarëve, Shpëtim Bocerri, babai i një fëmijë 6 vjeç, qëndronte i vetmuar, fliste pak dhe kohët e fundit kishte shfaqur shenja minimale të depresionit. Njëkohësisht, personat e fundit që e kanë parë Shpëtim Bocerrin në afërsi të urës së Limuthit, kanë deklaruar se ai ishte duke ecur më këmbë me kokën ulur dhe në gjendje të hutuar. “Zhdukja e Shpëtim Bocerrit u denoncua në policinë e Vorës mbrëmjen e së premtes nga familjarët e tij. Që prej mesditës ata kishin humbur çdo kontakt me të dhe telefoni i tij u rezultonte i fikur. Përpara se të humbte pa gjurmë, 37-vjeçari Bocerri ka arkëtuar paratë e xhiros ditore të karburantit. Më pas ai është larguar më këmbë drejt urës së Limuthit dhe më pas nuk dihet gjë mbi fatin e tij.                            ar.ba

Nishani: Ndjekje penale shkaktarëve të zjarreve

TIRANE – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, urdhëroi dje drejtuesit e Policisë së Shtetit që të nisin hetimet dhe të çojnë për ndjekje penale të gjithë personat që janë shkaktarë të rënies së zjarreve në vend. Madje, Nishani, gjatë mbledhjes së djeshme, që u zhvillua pas situatës së krijuar nga zjarret, kërkoi që të hetohen jo vetëm ata që mund të vendosin zjarre në pyje, por edhe zyrtarë të administratës lokale që janë përgjegjës për ruajtjen e pyjeve dhe kullotave. Gjatë mbledhjes me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe të Emergjencave Civile në qendër dhe në qarqe, ai kërkoi një angazhim maksimal në parandalimin dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rastet e rënies së zjarreve. “Hetoni, zbuloni dhe dërgoni për ndjekje penale të gjithë personat përgjegjës për rënien e zjarreve. Këto procedura hetimore e ligjore duhet t’i kryeni si ndaj individëve të caktuar që kanë shkaktuar zjarre, ashtu dhe për mosveprim të personave përgjegjës të administratës vendore të ngarkuar për mbrojtjen e pyjeve e kullotave, pronë të pushtetit vendor”, u shpreh Nishani në mbledhjen e posaçme në Ministrinë e Brendshme. Nishani vlerësoi punën e deritanishme të strukturave të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, por kërkoi koordinimin e veprimtarisë me të gjitha strukturat përgjegjëse për përballimin e situatave të rënies së zjarreve. Gjithashtu ai kërkoi vijimin e raportimit javor për nivelin e gatishmërisë të të gjithë strukturave, deri në përfundimin e periudhës me rrezik për rënien e zjarreve.

© Panorama.al

Te lidhura