“Heroinë për VIP-at”, kapet çifti me 1 kilogram drogë në Tiranë

Feb 22, 2012 | 12:02

Aksioni “Rrugicat”, në pranga Entela Hyka e Fation Kurti.

TIRANE – Një çift të dashuruarish janë arrestuar mbrëmjen e së hënës nga forcat e Antidrogës së Tiranës, pasi u kapën me gjashtë doza lëndë narkotike, të llojit heroinë. Gjatë një operacioni të koduar “Rrugicat”, u krye arrestimi i Fation Kurtit dhe të dashurës së tij, Entela Hyka, në një lokal pranë rrugës “Myslym Shyri”, në kryeqytet. Burime nga Policia e Tiranës thanë se dy të arrestuarit mbaheshin në vëzhgim prej rreth një muaji nga agjentët e Antidrogës, pasi ishin të dyshuarit kryesorë për shitjen e heroinës në kryeqytet. Klientët e tyre, sipas Policisë, ishin personazhe VIP, kryesisht artistë. Pasi janë siguruar se të dyshuarit kishin një sasi lënde narkotike me vete, të cilën po prisnin ta shisnin në një lokal në kryqëzimin e rrugëve “Nikolla Lena” me atë “Myslym Shyri”, policia ka nisur aksionin për kapjen e tyre në flagrancë. Burimet thanë se në lokalin ku ata u ndaluan, po prisnin klientin e radhës, të cilit do i shisnin 2 doza heroinë, në këmbim të 6 mijë lekëve të rinj. Gjatë kontrollit fizik që u krye ndaj Fation Kurtit, policia gjeti gjashtë doza heroinë, me peshë 4.6 gramë. Ndërsa të dashurës së tij, Entela Hykës, nuk iu gjet lëndë narkotike, por vetëm një sasi parash, që dyshohet të jetë përfituar nga shitja e mallit. Më pas, policia kreu një kontroll të imtësishëm në banesën e 25-vjeçarit Fation Kurti, ku u gjet edhe sasia tjetër e lëndës narkotike, me një peshë totale rreth një kilogram. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se nga hetimet e kryera ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike dyshohet se kishte destinacion shpërndarjen kryesisht në zona të ndryshme të Tiranës, si në Rrugën e Kavajës, te “Zogu i Zi”, në rrugën “Myslym Shyri” etj. Por dyshohet se ata arrinin të trafikonin edhe sasi të ndryshme  jashtë vendit. “Lënda narkotike e llojit heroinë ishte e cilësisë së parë dhe përdorej edhe nga klientë VIP, lëndë e cila në momentin e sekuestrimit u gjend e ndarë në disa qese e porcione”, thuhet zyrtarisht në njoftimin e Policisë së Tiranës. Policia tha gjithashtu se operacioni “Rrugicat” ende nuk ka përfunduar, pasi vazhdojnë ende hetimet me metoda speciale për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. e.d

1 kilogram lëndë narkotike e dyshuar heroinë është sekuestruar dy ditë më parë në Tiranë gjatë një operacioni të Antidrogës dhe janë arrestuar dy persona, një djalë dhe e dashura e tij.

 

© Panorama.al

Te lidhura