Heroinë në makinën e emigrantes nga Fieri, do ta çonte në Athinë

Aug 10, 2011 | 11:40
Droga e sekuestruar dje në Kakavijë

GJIROKASTER – Sekuestrohet heroinë në Kakavijë, në tentativë për ta kaluar në Greqi. Gruaja që e zotëronte mallin narkotik 200 gramë, është arrestuar menjëherë, ndërkohë që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale lënda në fjalë. Aurela Doksani, 34 vjeçe, nga Fieri, e zotëronte heroinën në një çantë të cilën e mbante të fshehur poshtë sediljes së pasagjerit, në mjetin ku ajo udhëtonte nga vendlindja e saj në drejtim të Greqisë. Ka qenë Policia Kufitare e Kakavijës ajo që ka zbuluar lëndën narkotike në brendësi të mjetit tip “Hyundai” me targa greke YHO 4924, pronë e 34-vjeçares. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, në stacionin kufitar të Kakavijës, ku efektivët e kësaj pike kufitare, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në automjetin e Doksanit, kanë arritur të zbulojnë heroinën 200. Gjatë momentit të konstatimit të heroinës, Doksani nuk ka reaguar fare, duke qëndruar e heshtur, ndërkohë që u mor në pyetje disa minuta më vonë. Heroina ndodhej në një çantë dore dhe ishte e futur në një pako të rrumbullakët të mbështjellë me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Për të fshehur gjurmët e këtij trafiku, emigrantja që punon dhe jeton në kryeqytetin grek, kishte marrë me vete edhe të birin e saj 10-vjeçar, poshtë këmbëve të të cilit qëndronte i fshehur malli narkotik. Grupi Hetimor certifikoi si heroinë lëndën narkotike të dyshuar për të tillë në momentin e parë. Vetë Doksani, në momentin e parë, pranoi se lënda narkotike nuk ishte gjë tjetër veçse pluhur limoni që shërbente për tretje në ujë dhe pihej nga i biri i saj në momentet e trazirës së stomakut gjatë udhëtimit. Specialistët e sektorit kundër kundër narkotikeve në Drejtorinë e Policisë së qarkut Gjirokastër kanë arrestuar në flagrancë 34-vjeçaren emigrante në Athinë, ndërkohë që heroinën dhe automjetin e kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. I biri 10-vjeçar është marrë nga familjarët e tjerë, të cilët janë lajmëruar nga Policia Kufitare e Gjirokastrës. Policia e Gjirokastrës po punon për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Burime jozyrtare konfirmojnë për gazetën “Panorama” se në këtë trafik janë të përfshirë dy persona nga Fieri dhe Vlora, të cilët mendohet të jenë dhe furnitorët e gruas 34-vjeçare me heroinë. Lënda narkotike e kapur në Kakavije, në tregun grek vlen më tepër se 10 mijë euro. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërkohë që mbi 34-vjeçaren nga Fieri rëndon vepra penale e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.            p.n

© Panorama.al

Te lidhura