Imuniteti, debate në Këshillin e Legjislacionit

Jul 20, 2012 | 10:16

TIRANE- Këshilli i Legjislacionit është mbledhur sot në seancën e parë për të diskutuar ndryshimet në Kushtetutë lidhur me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Mbledhja është karakterizuar nga debate të ashpra nga përfaqësuesit e opozitës dhe maxhorancës.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli fto opozitën që të japë konsensusin e saj dhe të votojë heqjen e imunitetit, ndërsa shtoi se, çdo pretendim tjetër, është bllokim dhe kufizim.

Kreu i grupit parlamentarë i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, u shpreh se për opozitën nuk e rëndësishme eshte data, por filozofia. Ruçi tha se propozimet e PS-së nuk janë  kushtëzim, pengesë apo formalitet, por nisen nga shqetësime reale.

Maxhoranca ka ftuar opozitën që të gjejnë që sot një konsensus lidhur me ndryshimet kushtetuese për imunitetin, duke u bazuar në projektin e paraqitur nga organizmat europianë, PACA, nga Këshilli i Europës, dhe EURALIUS, nga Bashkimi Evropian. Opozita tha se mbështet në parim procesin ligjvënës për ndryshimin e dispozitave kushtetuese për kufizimin dhe heqjen e imunitetit.

Ne emër të maxhorancës, deputeti Edi Paloka tha se, ne si maxhorancë, për të mos i lënë kohë dhe rrugë përplasjeve, vendosëm të paraqesim para parlamentit projektin tonë, që është një projekt i bazuar në ekspertizën e Këshillit të Europës, PAKA-s, dhe i BE-së, EURALIUS. Paloka tha se maxhoranca ka marrë këtë vendim, me qëllimin e vetëm për të arritur atë që është e domosdoshme, konsensusin.

Përfaqësuesi i PS-së, Fatmir Xhafaj vlerësoi se procesi meriton një vëmendje shumë të  veçantë, për të garantuar një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj tha se ndryshimet duhet të vijnë duke mbajtur në konsideratë realitetin tonë, shkallën e demokracisë, kulturën politike  etj, duke shtuar se, ndryshimet duhet të japin efektet e kërkuara, të zgjidhë një problem, dhe jo të hapë një tjetër.”

Xhafaj tha se  ndryshimet duhet të shërbejnë edhe për ruajtjen e garancive për rolin e çdo opozite, për të mos goditur kundërshtarët politikë apo gjyqtarët për qëllime të caktuara.

Seanca e sotme është e para ndër dy që janë planifikuar që të zhvillohen përpara se Parlamenti të marrë vendim.

Në mbledhjen e djeshme të Kuvendit, kryeparlamentarja Topalli u shpreh: “Në fakt, Komisioni i Ligjeve është i mbingarkuar. Nesër në Këshillin e Legjislacionit, bashkë me Komisionin e Ligjeve, do të punojmë për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. Mbledhja e rradhes u njoftua per diten e neserme, me relatore nga Partia Demokratike, Edi Paloka dhe nga Partia Socialiste, Pandeli Majko.

PROPOZIMI

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar sot në Kuvend propozimet për kufizimin e imuniteteve. Në Komisionin e Ligjeve që do të mblidhet sot, deputetët e PS do të argumentojnë domosdoshmërinë e bashkimit të dy propozimeve, ndonëse debati dhe votimi për to mund të bëhet në kohë të ndryshme.

Në draftin e PS-së propozohet marrja në mbrojtje e deputetëve vetëm në ato raste kur janë duke ushtruar detyrën si përfaqësues të popullit, kur shprehin opinionet dhe votën e tyre. Në rast se kërkohet arrestimi, ai duhet të kryhet me lejen e Kuvendit me përjashtim të rasteve kur deputeti kapet në krim e sipër apo menjëherë sapo ka konsumuar kryerjen e krimit. Propozimet e PS-së që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, parashikojnë të drejtën e imunitetit nga cilido gjyqtar për vendimet dhe opinionet që ata shprehin gjatë kryerjes së detyrës, duke i zhveshur nga çdo lloj imuniteti tjetër.

© Panorama.al

Te lidhura