Heqja e imunitetit, mungojnë firmat e Rusmalit dhe Gumit

Jul 10, 2012 | 14:25
Komisioni i Ligjeve

Nga nisja e mble-dhjes së firmave për të zyrtarizuar projektligjin për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, maxhorancës i janë da-shur pak orë. I pari që e ka firmosur propozimin për ndryshimin e Kushtetutës ka qenë kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, dhe më pas renditen edhe 32 deputetë e ministra. Në mesditë propozimi është protokolluar në zyrën e Kuvendit dhe mban nr. 1803, datë 06.07.2012.
Emrat
Në listën e gjatë të deputetëve dhe ministrave bie në sy fakti se nga 33 firma, vetëm katër janë të Komisionit të Ligjeve. Ky komision do të jetë ndalesa e dytë e projektligjit në fjalë, pasi ai të marrë miratimin parimisht nga Konferenca e Kryetarëve dhe të futet në kalendarin e ardhshëm trejavor. Në Komisionin e Ligjeve pritet të zhvillohet edhe debati mbi pesë nenet që propozon maxhoranca. Anëtarët e Ligjeve, të cilët kanë firmosur dokumentin, janë: Tritan Shehu, Luan Skuqi, Ilir Bano, Paulina Hoti dhe deputeti zëvendësues, Fatbardh Kadilli. Bie në sy fakti se nismën nuk e ka firmosur as kryetari i Komisionit të Ligjeve, njohësi i mirë i Kushtetutës dhe ish-ministër i Drejtësisë, Ilir Rusmali, as sekretari i këtij komisioni, ish-drejtori i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Viktor Gumi. Gjithashtu në listën e firmëtarëve nuk figuron as ish-prokurori Dashnor Sula. Me pak fjalë, nga 14 deputetë që ka Komisioni i Ligjeve, vetëm katër e kanë firmosur, ndërsa dhjetë të tjerët nuk e kanë hedhur firmën. Zyrtarisht kjo mund të justifikohet me faktin se për të propozuar një projektligj që kërkon ndryshimin e Kushtetutës mjaftojnë 28 firma, dhe ato të deputetëve të tjerë nuk kanë qenë të nevojshme. Në listë janë gjithashtu emrat e 10 ministrave, shumica dërrmuese e kabinetit qeveritar, si dhe dy aleatë të Partisë Demokratike. Pavarësisht kritikave që kishte sekretari për Çështjet Zgjedhore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, lidhur me draftin, nenet e propozuara mbajnë edhe nënshkrimin e ministrit te Shëndetësisë, Vangjel Tavo. Në listë është gjithashtu edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Nisma tani është rrugë parlamentare dhe në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve do të përcaktohet nëse do të shqyrtohet në këtë sesion parlamentar, apo në atë të shtatorit. Në relacionin e projektligjit thuhet se “teksti i amendamenteve të propozuara është ai që kanë propozuar misioni ‘PACA’ në fushën e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe misioni ‘EURALIUS’ në fushën e imunitetit të gjyqtarëve. Relacionet e hartuara nga Projekti i Këshillit të Europës (PACA) dhe i Bashkimit Europian (EURALIUS) përbëjnë pjesë të relacionit shpjegues të kësaj iniciative, duke shtjelluar me detaje standardet ndërkombëtare, nevojën për reformën e imuniteteve dhe propozimet konkrete. Deputetët nismëtarë shprehin besim se këto ndryshime do të gjejnë mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi”.

Deputetët që kanë firmosur
n    Astrit Patozi
n    Tritan Shehu
n    Fatos Beja
n    Luan Skuqi
n    Astrit Bushati
n    Ndriccim Babasi
n    Lefter Maliqi
n    Adriana Gjonaj
n    Sybi Hida
n    Rrahim Çota
n    Ilir Bano
n    Ridvan Bode
n    Leonard Demi
n    Majlinda Bregu
n    Jemin Gjana
n    Mehmet Xheka
n    Rajmonda Bulku
n    Ramiz Çobaj
n    Vath Tabaku
n    Fatbardh Kadilli
n    Ismail Hoxha
n    Vangjel Tavo
n    Mark Marku
n    Eduard Halimi
n    Myqerem Tafaj
n    Spiro Ksera
n    Aldo Bumçi
n    Arben Imami
n    Flamur Noka
n    Sokol Olldashi
n    Shpëtim Idrizi
n    Paulina Hoti
n    Igli Cara

Berisha: PS të votojë heqjen e imunitetit
Kryeministri kërkon konsensusin e opozitës: Nisma, siç e kërkoi PS
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje opozitës që të japë votat për të miratuar në Parlament ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Duke folur në mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i maxhorancës tha se propozimi i firmosur nga 33 deputetë të shumicës është në fakt ajo çfarë ka kërkuar në gjithë këtë periudhë opozita. “Një çështje madhore që është në diskutim, është çështja e imunitetit. Unë, edhe një herë, e ftoj zotin Rama që të vendosë për heqjen e imunitetit, pasi maxhoranca ka dërguar në Parlament variantin që opozita e ka mbështetur publikisht, dhe ky është varianti me ndryshimin e Kushtetutës. Unë e kuptoj që kundër këtij vendimi janë absolutisht ata që kanë frikë nga vetja e tyre, dhe frikë nga vetja e tyre kanë ata që përzihen në gjëra që nuk duhet të përzihen. Pra, unë e ftoj zotin Rama ta votojë, sepse ne kemi sjellë në Parlament variantin që ka kërkuar vetë opozita”, u shpreh Berisha në pjesën me dyer të hapura të mbledhjes së qeverisë. Duke iu referuar një raporti të botuar dje në gazetën “Panorama”, mbi kushtin e vendosur nga PS-ja që të miratohen edhe gjyqtarët me 84 vota, Berisha tha se kjo nuk ka kuptim kur vetë Presidenti votohet me shumicë të thjeshtë. “Ndërsa pretendimet që lexova sot në media, në qoftë se janë të vërteta, janë absurde, sepse të kërkosh të votohet gjykatësi me 3/5, ndërkohë që Presidenti i Republikës votohet me 50+1, do të thotë të tallesh dhe të përpiqesh ta bllokosh këtë proces, do të thotë të dëgjosh ‘këshillin e miliarderëve’, dhe jo zërin e qytetarëve, sepse në mënyrë absolute nuk ka asnjë qytetar shqiptar, qoftë ai i pa parti, demokrat, socialist, apo i çdo lloj force politike, që nuk do të votonte me gjithë zemër për heqjen e imunitetit të zyrtarëve për disa vepra të caktuara. Kjo është gjëja më evidente”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij: “Por, kur përdoren pretekste të cilat nuk qëndrojnë, atëherë mbetesh i vetmi njeri apo të vetmit njerëz që kërkoni të mbani qeveri me imunitet, kërkoni të mbani ministra me imunitet, kërkoni të mbani deputetë me imunitet. Dhe këtë nuk e bëni për interesat tuaja. Sigurisht jo, por bëhet thjesht, strikt, për interesat e një grupi të ngushtë në krye të kupolës së partisë”. Ai i bëri thirrje gjithashtu opozitës që të mos e përdorë heqjen e imunitetit për kapital politik teksa shtoi se maxhoranca e ka hedhur hapin e parë drejt arritjes së konsensusit. “Ky do të ishte një lajm shumë pozitiv dhe një hap i madh përpara për qytetarët shqiptarë edhe në rrafshin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, sepse do t’i barazonte qytetarët shqiptarë para ligjit për disa çështje madhore të jetës dhe veprimtarisë së tyre”, tha më tej kreu i maxhorancës.

Manjani: LSI, sot nisma për imunitetet
Sekretari për Çështje Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, është shprehur dje se Grupi Parlamentar i kësaj partie do të dorëzojë sot një nismë ligjore në Kuvend për heqjen e imunitetit. I ftuar në emisionin “Prizëm” të gazetarit Aleksandër Furxhi në “AS”, Manjani tha se kjo nismë ligjore është e ndryshme nga ajo që ka paraqitur PD, edhe pse dokumenti i PD është firmosur nga deputeti i LSI, Vangjel Tavo. Sipas propozimit të LSI, për çdo të zgjedhur apo të emëruar politik, duhet të ketë zero imunitet. “Askush që kryen detyrë përfaqësuese në politikë nuk ka pse të ketë më mbrojtje nga ndjekja penale, madje edhe nga arrestimi. Kjo do të thotë se Prokuroria duhet të jetë e lirë të hetojë e të arrestojë cilindo politikan për të cilin ekzistojnë të njëjtat arsye ligjore si për çdo qytetar të thjeshtë”, është shprehur Manjani. Por, ndryshe nga PD, LSI propozon që gjykatësit duhet të gëzojnë imunitet të kufizuar, aq sa për t’u mbrojtur nga shantazhi politik, por jo për t’iu fshehur shkeljes së ligjit.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura