Heqja e imunitetit, LSI depoziton nismën

Jul 11, 2012 | 14:42
Nasip Naço

Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar dje në Parlament dy nisma për ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale në nenet që kanë të bëjnë me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Konkretisht, LSI-ja propozon që tri dispozita të Kushtetutës, që përcaktojnë procedurën me të cilën hiqet imuniteti i deputetit, të shfuqizohen. Ndërkohë që në Kodin e Procedurës Penale shtohet një paragraf në nenin 230, në të cilin thuhet se “Arresti me burg mund të vendoset për deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, titullarët e institucioneve kushtetuese, të cilët nuk gëzojnë imunitet ndaj arrestimit, vetëm kur masat e tjera të sigurisë nuk vlerësohen si të efektshme”. Në të njëjtën kohë, LSI-ja ka propozuar ndryshimin edhe të paragrafit të dytë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ku flitet për pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik. Sipas variantit aktual, kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Nga ana e saj, LSI-ja propozon që “kjo masë nuk zbatohet për Presidentin, deputetët dhe Kryeministrin. Për zyrtarët e tjerë, ministrat dhe të titullarët e tjerë të institucioneve kushtetuese të emëruar nga Kuvendi, kjo masë vendoset për gjatë gjithë kohës së ushtrimit të ndjekjes penale, si dhe për akuza që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës”. Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, tha dje se reforma për heqjen e imunitetit duhet të jetë e plotë, duke prekur dhe Kodin e Procedurës Penale. “Bashkë me amendimet për deputetët, ne paraqesim dhe një paketë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, duke menduar se nëse bëjmë ndryshime në Kushtetutë sot, do të duhen disa muaj, apo një vit për të bërë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, dhe heqja e imunitetit nuk do të jepte asnjë efekt. Prandaj, ne themi që reforma duhet të jetë reale, e plotë dhe e thellë”, u shpreh Naço. Për nënkryetarin e Kuvendit, këto ndryshime s’duhen bërë vetëm nga klasa politike, por në to të përfshihen dhe faktorë të tjerë, si shoqëria civile, media, sigurisht Gjyqësori dhe veçanërisht organi i akuzës. “Prokuroria e Përgjithshme duhet të japë mendimin e saj, sepse në raportin e fundit që ky institucion ka paraqitur në Kuvend, ka shprehur shqetësime lidhur me imunitetet për klasën politike dhe nuk e ka luftuar si duhet korrupsionin”, u shpreh Naço.

Propozimet e LSI
Ndryshimi i Kushtetutës
Neni 61, paragrafi 3 shfuqizohet.
Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
Paragrafët 2. 3 dhe 4 të nenit 73 shfuqizohen.
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
Neni 103 paragrafi 3, shfuqizohet.
Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.
Neni 165, paragrafi 2, shfuqizohet.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

Kodi i Procedurës Penale
Neni 242 ishte
Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, Gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Neni 242 bëhet:
1. Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
2. Kjo masë nuk zbatohet për Presidentin, deputetët dhe Kryeministrin. Për zyrtarët e tjerë, ministrat dhe të titullarët e tjerë të institucioneve kushtetuese të emëruar nga Kuvendi, kjo masë vendoset për gjatë gjithë kohës së ushtrimit të ndjekjes penale, si dhe për akuza që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka kërkuar ndryshime të thella në ligjin për këtë gjykatë, madje duke mos përjashtuar edhe ndërhyrjet në Kushtetutën e vendit.

© Panorama.al

Te lidhura