Kur ka mbetur pak kohë nga sezoni i korrjes së bimëve narkotike, helikopterë të Ministrisë së Brendshme po patrullojnë nga ajri zonën e Vlorës, por edhe të Sarandës.Tashmë, sektori i Antidrogës ka në dorë hartën e zonave më problematike, të cilat këto ditë po verifikohen një më një. Banorët janë habitur kur në një distancë shumë afër tokës, kanë patrulluar gjatë të gjithë ditës helikopterë, kryesisht në fshatrat e lumit të Vlorës.
“Sektori Antidrogë në bashkëpunim edhe me forcat e rendit po kryejnë një aksion për zbulimin e parcelave që janë mbjellë me bimë narkotike kanabis sativa, shkatërrimin e saj, si dhe vënien para drejtësisë të autorëve të kultivimit”, bëri të ditur Policia e Vlorës. Prej dy ditësh, në veprim është vënë helikopteri i Ministrisë së Brendshme, i cili fluturon shumë ulët me qëllim që të fotografojë zonat e dyshimta. Më pas, në vendet e konstatuara të mbjella me bimën, mbërrijnë efektivët e Antidrogës dhe inspektorët e policisë për të verifikuar dhe asgjësuar bimën.
“Kontrolle të imtësishme për zbulimin e parcelave të kanabis sativës janë kryer kryesisht në fshatrat e lumit të Vlorës, në zona të tjera më të largëta të rrethit, por edhe të Sarandës. Madje, nga helikopteri janë kontrolluar dhe fotografuar edhe zona të dyshuara në brendësi të qytetit”, bëri të ditur Policia e Vlorës. Mësohet se verifikimet janë bërë edhe në terrene mjaft të vështira, në të cilat dyshohej se janë mbjellë kanabis, nisur edhe nga informacionet e siguruara më parë në rrugë operative apo nga sinjalizimet e banorëve. Nga kontrollet e deritanishme, mësohet se janë zbuluar dy parcela të mbjella me bimë narkotike, njëra prej të cilave në malin e Shashicës, si dhe një në zonën e fshatit Mavrovë. Në të dyja rastet, blutë kanë kryer edhe asgjësimin e lëndës narkotike, por aksioni do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, pasi janë edhe plot zona të tjera që nuk janë survejuar dhe fotografuar nga ajri. Në muajin gusht dhe shtator, është sezoni i korrjes së bimëve të mbjella, ndaj policia ndërmori këtë aksion për t’i asgjësuar ato para se autorët t’i kenë kultivuar.
Kontrollet nëpër rrethe
Helikopterët e Ministrisë së Brendshme po kontrollojnë nga ajri edhe në rrethe të tjera të vendit, në fshatra që rezultojnë në hartën e zonave problematike. Pak kohë më parë u krye verifikim nga ajri në zonën e Gjirokastrës, kryesisht mbi Lazarat, por edhe në terrene të thyera të Beratit











