Helikopterë mbi Damask kundër protestuesve

Jul 18, 2012 | 13:41

Në kryeqytetin e Sirisë, Damask, janë intensifikuar përleshjet mes luftëtarëve të opozitës dhe forcave të Presidentit Bashar Al Asad. Ka pasur të shtëna përpara Bankës Qendrore të vendit, sipas aktivistëve, por edhe në lagjet ku janë vendosur prej së hënës tanket e regjimit. Asad ka përdorur helikopterët për të vënë nën kontroll rebelët opozitarë, sipas mediave perëndimore. Çështja e  Sirisë ka përçarë komunitetin ndërkombëtar, me Rusinë që mbron interesat e Asad njëkohësisht edhe të vetat dhe SHBA që kërkon ndërhyrje, madje edhe ushtarake, për t’i dhënë fund vrasjes së mijëra civilëve nga forcat e regjimit. I dërguari i OKB dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan, pritet të takohet me Presidentin rus, Vladimir Putin, në përpjekje për ta bindur atë që të ketë një qëndrim të unifikuar ndërkombëtar. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se shpresonte që Anan ta bindë të paktën për ashpërsimin e masave.

© Panorama.al

Te lidhura