Helikopter 5.35 milionë euro për VIP-at e shtetit

Jul 13, 2011 | 10:55

Komisioni i Sigurisë miratoi dje kontratën mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Eurocopter” për blerjen edhe të një helikopteri të ri. Nën praninë e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, deputetët vendosën ta kalojnë në seancë për miratim këtë kontratë. Në bazë të kontratës, shteti shqiptar do të harxhojë 5.35 milionë euro për këtë helikopter, i cili do të shërbejë vetëm për transportimin e VIP-ve, pra personaliteteve të shtetit shqiptar apo të huaj që do të vijnë në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vlera e helikopterit është më e lartë, por falë kontratës për blerjen e 5 helikopterëve ushtarakë për 78 milionë euro, ku i gjashti do të blihet pak më lirë. Në relacion thuhet se blerja e këtij helikopteri është një domosdoshmëri për shtetin. “Projekti i blerjes së Helikopterit EC 125 VIP, është i rëndësishëm për shkak të operacionalitetit të ri që krijon në kryerjen e transportit të personaliteteve të larta shtetërore. Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, mbështetur në gjendjen e helikopterëve ekzistues, domosdoshmërinë e përmirësimit të transportit të personaliteteve të larta shtetërore, inicioi blerjen e një helikopteri të ri tip EC 145, në versionin VIP”, thuhet në relacion. Po cilat janë të dhënat teknike të këtij helikopteri të dedikuar vetëm për shoqërimin e personaliteteve VIP? Vetë kompania bën me dije disa nga të dhënat, megjithëse shumica e tyre konsiderohen si sekret dhe dihen vetëm nga palët që blejnë helikopterin. Jo më kot kompania “Eurocopter” do të trajnojë pilotët dhe teknikët shqiptarë mbi përdorimin e këtij helikopteri. Kështu, kompania bën me dije se në pjesën e brendshme helikopteri ka një luks dhe një sistem të vetë kontrollit të kabinës nga vetë personaliteti VIP. Brenda helikopterit pasagjeri VIP do të kenë shërbim interneti, kontroll të dritave, TV, radio, ajër të kondicionuar që kontrollohet me një ekran me prekje dhe një komfort vetëshërbimi nga më të mirët. Praktikisht, çdo personalitet do të ketë brenda helikopterit çdo shërbim që nga komunikimi e deri tek nevojat e tij më minimale.

5.35 milionë euro do të kushtojë blerja e këtij helikopteri për shoqërimin dhe transportimin e personaliteteve të shtetit shqiptar

© Panorama.al

Te lidhura