HEC i Ashtës, si po ndërtohet mbi Drin gjiganti energjetik

Jun 11, 2011 | 10:45
Gjatë punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës

Hidrocentrali i Ashtës është më i riu dhe i fundit i cili po ndërtohet në kaskadën e lumit Drin, tërësisht modern dhe bashkëkohor.Punimet e tij nisën në mars të 2010 dhe pritet të përfundojnë në fund të vitit 2012, ndërsa deri tani është kryer 55% e investimit madhështor. “Energji Ashta”, projekt-kompania që po ndërton këtë vepër energjetike, po investon më se 200 milionë euro në këtë projekt që pritet të gjenerojë 242 milionë kilovat/orë energji në vit dhe të sigurojë elektricitet për më se 100 mijë familje shqiptare dhe të shmangë përmbytjet në zonat e komunës Bushat. Gjatë një interviste për “Panoramën”, Dietmar Reiner, drejtori menaxhues i projekt-kompanisë “Energji Ashta”, thotë se ky HEC i është dhënë nga qeveria me koncesion për 35 vjet dhe më pas do t’i kthehet shtetit shqiptar. Ai sqaron dhe problemin e shpronësimeve me banorët, duke thënë se gjithçka ka përfunduar, pasi kompania ka shlyer çdo detyrim.
Mund të bëni një përshkrim të shkurtër të ecurisë së tyre deri tani?

Dietmar Reiner

Megjithëse zyrtarisht punimet datojnë të kenë filluar në muajin shkurt të vitit të kaluar, punimet reale kanë nisur në muajin qershor, pra një vit më parë. Në përgjithësi, ecuria e projektit ka qenë e kënaqshme. Me gjithë problemet që kemi hasur nga përmbytjet e vitit të kaluar, ne përsëri jemi optimistë se kjo vepër energjetike do të përfundojë brenda afatit. Deri tani mund te themi se është arritur rreth 55% e vëllimit të përgjithshëm të punimeve. Stacioni Ashta 1 ka arritur kuotën maksimale të ndërtimit të strukturës. Progresi ka qenë mjaft i shpejtë. Deri tani në stacionin Ashta 2 janë instaluar 35 tuba thithës të turbinave, nga 45 të tillë dhe në seksionin e parë të digës pothuajse është arritur kuota maksimale. Kanali lidhës mes Ashta 1 dhe Ashta 2 pothuajse ka përfunduar. Brenda 7 muajsh kemi planifikuar që të bëjmë instalimin e pajisjeve elektrike dhe mekanike e më pas ne mund të lidhemi me rrjetin e shpërndarjes energjetik të Shqipërisë, duke shpërndarë energjinë e prodhuar nga ky hidrocentral. Në mars të vitit 2012 mund të nisim me ndërtimin e digës dhe depërtimin e ujërave, duke bërë përmbytjen e stacionit e devijuar ujin në kanalin e hidrocentralit dhe në fund është faza e testimit nën ujë. Një risi teknike për Shqipërinë është përdorimi i Digës së Gomës, pranë digës së Spatharit. Kjo zgjidhje është aplikuar për të bërë të mundur që të merret më shumë energji dhe niveli i rezervuarit të Spatharit do shkojë deri në 23 m mbi nivelin e detit (në gjendje pune). Avantazhet e kësaj dige janë: ndërtimi i shpejtë në kohë dhe falë kësaj teknologjie të re do të pakësohet në maksimum përmbytja e zonave përreth rezervuarit të Spatharit, sidomos në momentet e prurjeve të mëdha.
Cilat kanë qenë vështirësitë që kanë sjellë përmbytjet?
Fillimisht, probleme kemi hasur me gropën e ndërtimit, e cila menjëherë pas hapjes u përmbyt. Kështu që ne u detyruam ta ngremë atë 2.5 m më lart seç e kishim planifikuar. Më pas, gropa e ndërtimit u modifikua në një formë vaske, e cila u betonua në praninë e ujit. Ky proces u realizua me anë të zhytësve. Njëkohësisht, gjatë periudhës së përmbytjeve, një pjesë e mirë e makinerive dhe e specialistëve tanë kanë punuar pranë digës së Spatharit, e cila ishte në rrezik dëmtimi nga gërryerja e ujërave të fuqishëm që shkarkonin aty. E sikur të mos mjaftonin këto, të gjitha rrugët që të çonin në kamp ishin të përmbytura në ujë. Fatmirësisht, uji nuk arriti të depërtojë në ambientet e kampit, i cili ishte i ngritur lart, pasi në të kundërt dëmtimet do të ishin serioze.
Çfarë impakti ka ndërtimi i kësaj vepre tek banorët e zonës?
Në periudhën e kulmit të punimeve, ne kemi arritur të kemi rreth 250 punonjës, ku nga këto rreth 100 ishin shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër specialistë nga Austria dhe vende e tjera. Të ardhurit nga vendet e tjera kanë sjellë një të mirë tjetër për zonën, pasi shpenzojnë këtu për shërbime të ndryshme.
Është folur në media në lidhje me pakënaqësitë e disa familjeve për vonesa në likuidimin e shpronësimeve. Cila është përgjegjësia e kompanisë “Energji Ashta” në këtë mes?
Si fillim, duhet të përmend faktin që projekti i HEC-it të Ashtës po ndërtohet në një sipërfaqe prej afërsisht 320 ha tokë, ku 98 % e saj është në pronë shtetërore, ndërsa vetëm 2% është pronë private, kryesisht në fshatin Kosmaç. Me këto familje, që në fillim të punimeve, ne kemi bërë një marrëveshje që ne të lejoheshim të vazhdonim punën dhe më pas të bëjmë shpronësimin e tyre, sipas të gjitha parashikimeve te kontratës koncesionare dhe sipas ligjeve të shtetit shqiptar. Që në majin e vitit të kaluar, ne kemi depozituar pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës dokumentet përfundimtare të këtij procesi. Ndërkohë që, në qershorin e kaluar, Këshilli i Ministrave mori vendimin sipas së cilit u vendos që pronat private të kalonin në pronësi shtetërore dhe jo pronë private e “Energji Ashtës”. Detyra jonë në këtë mes ishte të financonim shtetin për shumën e shpronësimeve, duke i depozituar shumat financiare përkatëse pranë METE-s. Pra, ne i kemi plotësuar detyrimet tona që vitin e kaluar. Tani është METE ajo që po merret me procesin e kompensimit të ish-pronarëve kundrejt dokumentacionit korrekt dhe ligjor që kërkohet në raste të tilla. E njëjta situatë e ngjashme me Kosmaçin është edhe në zonën e Vau Dejësit, ku rreth 41 familje do të shpronësohen, pasi tokat e tyre do të përmbyten gjatë përfundimit të punës në hidrocentral.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura