METE gjobë 8 kompanive: Nuk respektuan afatet

Jul 19, 2011 | 17:44

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka penalizuar sot me gjoba 8 kompani të cilat nuk kanë plotësuar detyrimet e përcaktuara në kontratat koncensionare që kanë lidhur me METE për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, METE njoftoi se ministri, Nasip Naço vendosi aplikimin e penalitetit për këto shoqëri koncensionare për mos respektim të afateve, edhe pse kompanitë ishin paralajmëruar më parë.

Sipas METE, subjektet që janë penalizuar janë, : Tulla T shpk; Belesove shpk; By Best Duty Free & Vortex; Çaushi K; Komp Energi shpk; Stgc Corp Inc; Merga & Shansi Invest & Lala shpk; Qeramika e Jugut shpk.

Shumat e penaliteteve për këto subjekte shkojnë deri në 2 547 400 lekë.

Ministria njofton se janë paralajmëruar edhe 30 subjekte të tjera për mosrespektim afatesh.

 

“Referuar dhe kontratave të koncensionit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kërkon shlyerjen e detyrimeve brenda 30 ditësh dhe në rast të mosshlyerjes në kohë të këtij penaliteti, do të kërkojë pagesën e kamatave ligjore dhe zgjidhjen e kontratave.”- thuhet në njoftimin e METE.

© Panorama.al

Te lidhura