Hazbiu: Dokumenti sekret që gjetëm në kasafortën e Mehmetit pas vetëvrasjes

Jul 29, 2011 | 10:33
Pamje nga gjyqi i Kadri Hazbiut

“Në kasafortën e Mehmet Shehut, pas vetëvrasjes kemi gjetur një dokument sekret që u interesonte jugosllavëve” Mëngjesin e 22 tetorit 1982, Kadri Hazbiu është kujtuar për ngjarjen e pazakontë, kur ka marrë në dorëzim
zyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe ka kërkuar ta vërë në vëmëndje të dy
hetuesve. “Pasi vrau veten kryeministri, ka dëshmuar ai, u kujtova për këtë dokument dhe më shkoi mendja të verifikoja nëse ishte në vend
apo e kishte marrë tradhtari Mehmet Shehu. Kur gjetëm çelësin sekret e hapëm kasafortën, konstatuam se ishte aty”. Nga mënyra si zbardhet
kjo histori në Hetuesi, të krijohet pështypja e një alibie të sajuar për të devijuar trajektoren e investigimit të veprës kriminale të ish-kreut të
Sigurimit të Shtetit, që vitet e fundit ka ushtruar detyrën e ministrit të Mbrojtjes, por e vërteta nuk është tërësisht kështu. Misteri i dokumentit
sekret në kasafortën e kryeministrit të vetvrarë, nuk është zbuluar i plotë as gjatë procesit gjyqësor. Disa vite më vonë, dëshmitarët e përmendur
nga Kadri Hazbiu në seancën e 22 tetorit 1982, bënë publike përmbajtjen e
tij. Të paktën sipas Veli Llakës, Maliq Sadushit e Kiço Mustaqit, dokumenti misterioz ishte Plani Operacional i Shtabit të Përgjithshëm për
çlirimin e Kosovës, i hartuar në mesin e viteve ’70, me urdhrin e Enver Hoxhës. E kanë pohuar këtë fakt edhe autorët e tjerë të këtij dokumenti,
duke shtuar sakaq karakterin sekret të tij. Pavarësisht fatit që iu rezervua
këtij plani me destinacion çështjen e Kosovës, Kadri Hazbiu gjatë hetimeve dhe seancave gjyqësore shprehej dyshues për rolin e ishkryeministrit
Shehu. Gjithsei, dëshmia e ish- minsitrit të Brëndshëm për dokumentin
e gjetur në kasafortën e Mehmetit, marrë nga libri i Kastriot Dervishit, “Kadri
Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, mbetet një nga episodet interesante të përpjekjeve të Hazbiut për t’iu shmangur përgjegjësisve të veta në proces…
22.10.1982
Pyetje: Ç’problem tjetër keni për të thënë, i pandehur?
Përgjigje: Kur kam qenë ministër i Mbrojtjes, në muajin prill–maj të vitit 1981, sekretarja e kolegjiumit, që regjistronte diskutimet që bëheshin në mbledhje të ndryshme ose në kolegjiumin e Ministrisë, më ngriti problemin se kishte vështirësi të merrte të gjitha diskutimet, pasi mikrofoni
që kishim nuk kapte diskutimet që bëheshin nga gjysma e sallës e poshtë. Për të zgjidhur këtë problem, kam biseduar me tradhtarin Feçor
Shehu dhe i kam kërkuar të më ndihmonte me një mikrofon nga ata që përdorte Ministria e Punëve të Brendshme për punë operative, mbasi
nuk kishim mundur të gjenim mikrofonë të përshtatshëm. Këtë mikrofon, i
dhashë tradhtarit Feçor Shehu ose të na bënte kalim kapital,
ose ta blinim sipas rregullave. Feçori ra dakord dhe më dërgoi specialistin Dajlan Hajdari, i cili e pruri pajisjen që kërkova. Me të ishin edhe
shokë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të sektorit përkatës operativ. E takova Dajlanin dhe ai më tha se këtë mikrofon nuk mund
ta përdornin të gjithë dhe se ai ishte një pajisje sekrete që përdorte Ministria e Punëve të Brendshme. I thashë Dajlanit që ta vendoste mikrofonin
dhe të shtrinim kabllon, deri te vendi ku ishte magnetofoni që regjistroheshin
bisedat dhe diskutimet në mbledhjet. Dajlani më tregoi se e kishte vendosur
mikrofonin në mënyrë të padukshme në mesin e tavolinës. Vendin ku u vendos mikrofoni dhe mënyrën si u vendos e panë edhe sekretarja
Eli Kokushta, Zija Beqiri, Ismet Isufi. E morën vesh këtë edhe zëvendësministrat. Mbas vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, unë
kam kërkuar nëpërmjet Farudin Poçarit, që ndodhej në zyrën e Feçor Shehut ose të ndonjë tjetri, që të vinte tek unë Dajlan Hajdari. Këtij i
thashë që të kontrollonte zyrën time, paradhomën, sallën e mbledhjeve të
Kolegjiumit, zyrën e shefit të Shtabit dhe të shefit operativ me aparaturat e posaçme që kanë ata, për të parë se mos  kishte të vendosur mikrofona
të tjerë sekretë që nuk e dinim ne. Dajlani më tha se këtë kontroll nuk mund ta
bënim në sallën e Kolegjiumit, pa hequr mikrofonin që kishte vendosur më
parë. Unë i thashë ta hiqnin fare atë dhe të bënin kontrollin. Kështu u bë dhe rezultoi që në asnjë nga ambientet e kontrolluara nuk kishte mikrofonë
të tjerë. Dajlani nuk e vendosi më mikrofonin që hoqi. Unë i thashë të njoftonte tradhtarin Feçor Shehu për kontrollin që bëri. Edhe vetë
unë e kam vënë në dijeni Feçor Shehun për kontrollin që bëmë. Vendosja e këtij mikrofoni, që është pajisje sekrete e Ministrisë së
Punëve të Brendshme në zyrën time të mbledhjeve, nuk duhej të ishte bërë, sepse personat që e morën vesh këtë punë nuk janë të autorizuar
të njihen me mjetet teknike sekrete që përdor Ministria e Punëve të
Brendshme.

22.10.1982
Pyetje: I pandehur, përse na keni kërkuar?
Përgjigje: Unë kam për t’ju thënë disa çështje, të cilat mendoj se janë të vlefshme në lidhje me veprimtarinë armiqësore të tradhtarit Mehmet
Shehu, për ta sqaruar atë. Kur më bëri dorëzimet e Ministrisë së Mbrojtjes, ndër të tjera tradhtari Mehmet Shehu më dorëzoi edhe disa
çelësa, të cilët ishin në një  kasafortë, brenda së cilës ishtenjë sirtar edhe ai i mbyllur e më tha se brenda në sirtar ishte një kuti, në të cilën ndodhej një dokument që u interesonte shumë jugosllavëve. Tradhtari Mehmet
Shehu më tha se këtë dokument mund ta hapja vetëm me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm. Përmbajtjen e këtij dokumenti dhe
vendin ku ndodhej e dinte edhe Veli Llaka e Kiço Mustaqi. Pasi vrau veten  tradhtari Mehmet Shehu, unë u kujtova për këtë dokument dhe
më shkoi mendja të verifikoja nëse ishte në vend apo e kishte marrë tradhtari Mehmet Shehu. Thirra të dy shokët që kishin dijeni për këtë problem, por ata kur panë çelësat, më thanë se më  mungonte çelësi i sirtarit. Për të sqaruar ku ndodhej çelësi, pyeta shokun që kishte marrë çelësat që i ishin gjetur
tradhtarit Mehmet Shehu pas vetëvrasjes, i cili m’i dërgoi ato. Veli Llaka dhe Kiço Mustaqi, kur i panë në tufën e çelësave, njohën çelësin që
më mungonte. Me lejen e udhëheqësit të partisë e hapëm sirtarin dhe kutinë e
verifikuam që dokumenti ishte në vend. Unë për këtë ndodhi u thashë shokëve që ishin me mua kur hapëm kasafortën, të mbanin një
procesverbal. Mendoj se armiku Mehmet Shehu çelësin e sirtarit ku ruhej dokumenti që përmenda më sipër, e ka marrë me qëllime
të caktuara. Me anë të tij, kontrollonte nëse ky dokument do të kërkohej nga
udhëheqësi kryesor i partisë, sepse për ta marrë atë do të duhej të kërkonim çelësin te ai (Mehmeti) ose nëse do ta hapnim me mënyra të tjera,
do të thoshte se sekreti është nxjerrë nga ne, për problemin që bëhej fjalë në dokument dhe kështu nuk do të merrej vesh që këtë sekret ua kishte
bërë të njohur jugosllavëve tradhtari Mehmet Shehu. Këto mendime ia kam thënë partisë.
10.12.1982
Pyetje: Na shpjegoni, i pandehur, ç’veprimtari armiqësore keni zhvilluar kundër partisë dhe shtetit?
Përgjigje: Unë nuk kam zhvilluar veprimtari armiqësore kundër partisë dhe shtetit.

Pyetje: Si e konsideroni i pandehur vlerësimin që ju ka bërë partia që ju cilësoi si tradhtar?
Përgjigje: Këtë cilësim që më ka bërë Partia, unë e quaj të gabuar. Unë nuk jam tradhtar. Konkluzioni që ka arritur udhëheqësi i partisë mbi tradhtinë time është rzultat i një vendimi të gabuar, për të më cilësuar tradhtar.
Pyetje: Si është e mundur, i pandehur, që partia të vendosë për një problem kaq serioz në mënyrë të gabuar?
Përgjigje: Kam bindjen se Partia me udhëheqësin e saj do ta kthjellojë plotësisht të vërtetën mbi çështjen time, pavarësisht nëse do të jem apo
jo unë gjallë.

Pyetje: Partia dhe udhëheqësi i saj mbi bazën e veprimtarisë sate armiqësore dhe analizave të bëra mbi bazën e fakteve të ka flakur me neveri prej radhëve të saj si tradhtar. Çfarë prisni tjetër, ju i pandehur, nga partia?
Përgjigje: Unë pres që partia të rishikojë vendimin e saj dhe kam bindjen se do të kthjellojë çështjen dhe të vërtetën, se unë nuk jam
tradhtar.
Pyetje: A ia thatë partisë mendimet tuaja rreth problemeve që u akuzuat, ju i pandehur?
Përgjigje: Ia kam thënë partisë dhe në Hetuesi. Ia kam thënë Byrosë Politike të KQ të Partisë, udhëheqësit dhe Hetuesisë.
Pyetje: A keni lënë ndonjë argument ose fakt pa thënë për shfajësimin tuaj?
Përgjigje: Nuk ka mbetur gjë pa thënë.
Pyetje: Si i vlerësoi partia dhe udhëheqësi këto gabime e justifikime tuajat, i pandehur?
Përgjigje: Nuk i përgjigjem dhe nuk ka pse t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Pyetje: Ju i pandehur, në proceset e mëparshme keni thënë se do të shpjegoni lidhur me një urdhër për të mos lëvizur tanket, të dhëna nga tradhtari Mehmet Shehu, si është ky problem?
Përgjigje: Nga fundi i gushtit të vitit 1982, unë kam mësuar deponimin që kishte bërë Fiqrete Shehu, të cilin e kam dëgjuar të incizuar në magnetofon,
nga ministri i Punëve të Brendshme, sipas të cilit rezultonte që tradhtari Mehmet Shehu, pas Kongresit VIII të partisë, me sa kujtoj, kishte urdhëruar
Veli Llakën dhe Nazar Berberin që tanket të mos lëviznin pa urdhrin e tij. Unë, pasi dëgjova këtë, nuk bëra ndonjë veprim verifikimi, por
prita sa të vinte udhëheqësi. Pas ardhjes së tij, unë i kam raportuar për këtë çështje, por nuk jam marrë më me të, sepse filloi të diskutohej edhe çështja
ime. Unë them se kjo është një çështje me rëndësi të madhe, që ka të bëjë me planin e Mehmet Shehut për të përdorur tanket ose për t’i bllokuar ato në një situatë të caktuar, kur do të vepronte ai. Unë për këtë çështje kaq di.
Për të u diskutua edhe në plenumin e K.Q, por si Veliu edhe Nazari nuk dhanë shpjegime. Ky veprim është bërë pa dijeninë time, në shpinën time nga
tradhtari Mehmet Shehu e Veli Llaka me Nazar Berberin, prandaj kjo çështje duhet të hetohet me hollësi. Dua të saktësoj se në deponimin e të
pandehurës Fiqrete Shehu, unë nuk mbaj mend mirë nëse bëhej fjalë që urdhri është dhënë para apo pas Kongresit VIII të partisë.             vijon

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura