
Sekretarja e Shanseve të Barabarta në Partinë Socialiste, Edlira Haxhiymeri, sheh përpjekje në PS për ta shkëputur partinë nga baza e saj ideologjike dhe e mbështetësve.Duke folur për kongresin e nëntorit, ajo shprehet se po ngrihen struktura paralele në të gjitha nivelet e organizimit të PS, me qëllim dominimin e kreut aktual të PS pa asnjë kundërshti.
Zonja Haxhiymeri, ju jeni sekretare në PS për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta. Duket se mungon një analizë e zgjedhjeve të 8 majit. Përse, sipas jush, nuk bëhet një analizë për të nxjerrë gabimet dhe dobësitë që PS ka pasur në këto zgjedhje?
Duke ju falënderuar për hapësirën e krijuar, dëshiroj që paraprakisht të shpreh shqetësimin se mungesa e analizës, mosidentifikimi i dobësive dhe mangësive, krijon gjithnjë mundësinë e përsëritjes së gabimeve të deritanishme. Në fakt, një qëndrim i tillë i lidershipit, anashkalimi i analizës, është një eksperiencë e përsëritur për më shumë se 4 vjet tashmë (2007-2011) dhe ka krijuar jo pak probleme në Partinë Socialiste. Shmangia e analizës, mosnxjerrja e përgjegjësive nga rezultatet e garave të deritanishme, qofshin këto të përgjithshme, të pjesshme apo vendore, duket se është zëvendësuar nga një retorikë boshe, pa bosht ideologjik, tepër sempliste dhe ndonjëherë fëminore. Në kushtet kur nuk merremi me problemin, nuk përpiqemi të përmirësojmë strategjitë e punës dhe të inkurajojmë elektoratin nëpërmjet një alternative të besueshme, unë e gjej gjithnjë e më shpesh lidershipin në përpjekje për të gjetur tema debati momental, të parëndësishme për politikën në përgjithësi, të lidhura me interesat e ngushta të tij dhe të grupit që ai përfaqëson, por gjithnjë në dëm të votuesit socialist. Të tilla janë përpjekjet për të sjellë në qendër të vëmendjes Kushtetutën (që vetë e ndryshuam brenda natës), gjoja nevoja për “reflektim”, ngritja e një kursi të “ri” politik etj., artikulime si këto që nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje mjerane për të shmangur vëmendjen e elektoratit dhe anëtarësisë socialiste nga problemet e mirëfillta. Në dallgët e debatit që gjoja krijohen në PS, të bie në sy se mungon debati për bazën ideologjike të saj. Mungon debati për alternativën programore/qeverisëse të forcës sonë politike, për strukturat dhe mekanizmat e saj për maksimalizimin e energjive dhe sigurimin e fitores, për grupet dhe shtresat sociale që kjo forcë politike përfaqëson dhe nga ku kërkon mbështetje etj. Në këndvështrimin tim, kjo është e qëllimshme. Largimi nga debati ideor, mohimi i përballjes së alternativave dhe këndvështrimeve e ka tkurrur mendimin politik brenda PS dhe ka larguar dhe po largon gradualisht shtresat, grupet që tradicionalisht kanë qenë mbështetëse dhe votuese të kësaj force. Mbështetësit tradicionalë të PS, qofshin këto individë, shtresa, klasa apo grupime, ndjehen të tradhtuar dhe të keqpërdorur nga PS. Por, në kushtet e keqqeverisjes së vendit nga e djathta, ata (mbështetësit) po bëhen ose indiferentë (nuk votojnë fare) ose më fleksibël në votën e tyre (votojnë djathtas). Ndryshe nuk ka si shpjegohet zhdukja e 25 000 votave që PS kishte më shumë në rezultatin e 2007-s. Lidershipi i PS ka zgjedhur këtë mënyrë të bërit politikë, besoj, për disa arsye: Ai nuk ka kapacitetin për të bërë politikë (e ka pranuar vetë që nuk është politikan), nuk dëshiron një të majtë të bashkuar dhe fituese (mund të ketë mision shkatërrimin e së majtës në vend) dhe ai beson se populli është turmë që mashtrohet lehtësisht (prandaj nuk ka nevojë as për program, as për strategji, madje as për personalitete përfaqësuese).
Si njeri që merreni me politikë dhe si psikologe, sipas jush, si perceptohet në publik fakti që në një parti të majtë si PS, 8 nga 10 miliarderët e Kuvendit, i përkasin PS?
Dua të them në radhë të parë se kam respekt për njerëzit e punës dhe ata që me punë sigurojnë pasuri dhe të ardhura. Por, në politikë ka pasur dhe ka një ndarje të shtresave, ndarje që lidhet me nivelin e të ardhurave, nevojat, interesat dhe pritshmëritë që kanë këto shtresa nga partitë politike që i përfaqësojnë. Janë tashmë të ravijëzuara qartë këto ndarje. E majta ka qenë dhe është mbrojtëse e shtresave të mesme, të varfra, grupeve në nevojë, komuniteteve dhe grupeve me nevoja specifike, të cilat nuk karakterizohen nga të ardhura të bollshme, por, si të tilla, përbëjnë shumicën në shoqëri. Ata janë njerëzit më pak të privilegjuar, por më idealistë, njerëz të sakrificave dhe shembuj të mbijetesës. Ata presin që e majta politike që ata votojnë t’i mbështesë me politika sociale, me shërbime komunitare, me politika financiare dhe lehtësira të tjera që një e majtë mund të krijojnë në përpjekje për të ngritur një shtet social. Ndërkohë, në politikën e djathtë përfaqësohen grupime me interesa të theksuara ekonomike, pronarë dhe maniatë gjithfarë llojesh që luftën e tyre politike e drejtojnë nga interesat ekonomike. Megjithatë, në kushtet e një politike luajale, unë nuk do të isha për qëndrime të ngurta, por çështja është se sa të interesuar janë këta miliarderë për të mbrojtur shtresat, grupimet dhe komunitetet që presupozohet se përfaqësohen nga Partia Socialiste. Në fakt, po të jemi pak të vëmendshëm, mund të vërejmë se ka ndryshuar dhe artikulimi politik në PS. Në deklaratat politike nga oborri i PS nuk thuhet asnjë fjalë për minatorët, për arsimtarët, për fermerët, për shtresat e varfra, për të sëmurët dhe fëmijët pa mbështetje. Madje, iu thuhet se duhet t’i dalin zot vetes pasi PS nuk ka çfarë bën!!! Është e kuptueshme, ata që erdhën në PS në orët e vona dhe të frikshme të 19 majit 2009, nuk mund t’i dalin zot socialistëve. Ata nuk kanë ardhur për t’iu dalë zot atyre. Ata kanë ardhur për t’iu dalë zot pasurive të tyre. Ky është problemi!
Muajin e fundit kemi parë se zoti Rama i është rikthyer publicistikës në distancë duke botuar editoriale në media preferenciale të tij dhe nuk kemi asnjë dalje fizike. Përse, sipas jush, kjo sjellje?
Natyrisht që është disi e vështirë ta shpjegosh në distancë, por nisur nga eksperienca që unë kam pasur në punë me të, besoj se ai e ka shumë të vështirë ta përtypë humbjen. Ai nuk ka forcën dhe kurajën për të marrë përgjegjësitë e një lideri. Ai është i dobët si intelektualisht, ashtu edhe emocionalisht. Situata rëndohet edhe më shumë po të kemi parasysh se ai jeton në një rreth të mbyllur, i rrethuar nga servilë dhe gënjeshtarë që i ofrojnë një botë ireale. Për një njeri që nuk përdor dot forcën e tij të arsyes, është shumë e lehtë të biesh pre e këtij mjedisi. Kjo i ka ndodhur edhe Ramës. Ai filloi të besonte në një fitore të thellë në Tiranë, madje më të thellë se ajo e 2007-s. Më ka rastisur gjatë fushatës së fundit të takohesha me shumë socialistë dhe simpatizantë. Një pjesë e logjikshme e tyre, nisur edhe nga analiza e situatës, i trembej një rezultati me diferencë shumë të vogël dhe të diskutueshme. Por, kishte dhe nga ata që shpenzonin kohën në kafenenë e PS dhe frymëzoheshin me lugën bosh, të cilët besonin se fitorja do të ishte me një diferencë me 40 mijë vota! Mendoj se këtë lloj besimi Rama e bëri të vetin kur mohoi të gjitha kontributet në parti; tregoi hapur mosbesimin që kishte ndaj strukturave të PS në qytetin e Tiranës; ngriti struktura paralele; shmangu FRESSH-in dhe forumin e GS; i përzgjodhi vetë komisionarët; si dhe e mbështeti të gjithë punën te njerëz që nuk e njihnin partinë, madje që kishin reputacion negativ tk socialistët dhe simpatizantët e saj. Zoti Rama u përpoq të mblidhte vota nga ata që nuk i votonin as familjarët e tyre dhe zhgënjimi që ai ka pësuar është shumë i madh. Në këto kushte, unë vlerësoj që ai është në krizë! Në një realitet si i yni është shumë e lehtë të fillosh e të bësh lojëra me “ma morën”, “ma grabitën ditën për diell e natën me hënë” e të tjera si këto. Por, Rama, para së gjithash, duhet të gjejë kurajën e t’u thotë socialistëve ku shkuan 25 mijë votat që ai fitoi si diferencë në 2007-n?! Edhe në 2007-n ai kishte përballë një Kryeministër hajdut dhe abuzues të votës popullore. Por ia dolëm! Çfarë ka ndryshuar në PS që nga ajo kohë?! Rama e ka të vështirë t’i përgjigjet kësaj pyetjeje dhe prandaj është strukur dhe shkruan artikuj të denjë për fantazinë e një mësuesi vizatimi!
Në muajin nëntor do të kemi kongresin e PS, një kongres zgjedhor, ndryshimesh programore, organizative dhe statutore. Ka zëra që në këtë kongres pritet të ketë “prerje kokash” dhe anëtarë të rinj si në delegatë, ashtu dhe në forumet drejtuese të PS. Çfarë prisni nga kongresi i nëntorit?
Me shpirt unë do të dëshiroja që ky kongres të ishte një kongres që do të mundësonte dhe realizonte terrenin për ta kthyer PS në një forcë fituese. Por, nisur nga vlerësimi i sjelljes politike të lidershipit dhe e njerëzve që e rrethojnë atë, gjasat janë të pakta. Nuk dua të jem paragjykuese, as pesimiste, dua të mbetem realiste. Faktet flasin për një përpjekje të tij për t’i dhënë grushtin përfundimtar PS, grusht që do të çojë me siguri në tjetërsimin e saj si në përmbajtje, ashtu dhe në formë. Faktikisht, ai ka filluar të ndërtojë struktura paralele që nga nivelet më të larta, deri poshtë në bazë. Nuk funksionojnë më as Kryesia, as Sekretariati, as FRESSH-i, as Forumi i GS. Nuk bëhet më fjalë për “një anëtar, një votë”! Nuk bëhet më fjalë për votime brenda partisë! Madje, një situatë e tillë po fillon të takohet edhe në disa rrethe. Mos e dhëntë Zoti që të arrijë të bëjë edhe një kongres të tillë! Kjo do të shënonte tjetërsimin përfundimtar të PS. Përsa i përket pozicionit tim, unë besoj se nuk duhet të shqetësohem. Shqetësimi është kur bëhet fjalë për normat, rregullat dhe standardet që do të vendosen në PS. Është gjëja më e lehtë që Rama, i ndihmuar nga numëruesit e tij të votave në kongres, të më përjashtojnë nga strukturat. Por nuk më përjashton dot nga partia. Ka ikur koha e PPSH (pavarësisht se sa shumë qejf mund ta ketë Rama atë kohë)! Jemi në kohë të tjera dhe unë kam zgjedhur të kontribuoj në politikë dhe në PS jo rastësisht. Unë do të vazhdoj të kontribuoj dhe them fjalën time ashtu siç e mendoj unë. Në fund të fundit, jam njeri i lirë dhe marr frymë pavarësisht nëse i pëlqen apo jo klanit të kryetarit.
Edhe në këtë rast, e keqja nuk është me mua. Keq për të. PS është rrudhur, është mbledhur dhe ka zvogëluar energjitë e saj që me ardhjen në krye të z. Rama. Ai ka inkurajuar largimin e LSI-së nga PS, largimin edhe të disa personaliteteve që kanë krijuar parti të tjera, largimin e figurave dhe personaliteteve me kontribute historike në PS dhe nëse ai e “mpreh shpatën edhe njëherë për situatën”, kjo do të dobësonte energjitë e PS, që si e tillë “siguron” humbjen e 2013-s, por dhe më tej.
ARISTIR LUMEZI











