Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto po qëndron në një vizitë dy ditore në Kanada. Nga takimet e deritanishme të ministrit të Jashtëm është konfirmuar klima e shkëlqyer e marrëdhënieve, ndërsa është folur për bashkëpunimi ekonomik në disa sektorë.
Në takimin e Haxhinastos me ministrin e Jashtëm kanadez, John Baird u konfirmua klima e shkëlqyer e marrëdhënieve dhe u shpreh vullneti i përbashkët për të materializuar ato në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
Haxhinasto i ka thënë homologut të tij kanadez se, Shqiëpria ofron mundësi të mëdha për investime në fusha të tilla si: energjia hidrike, minierat, burimet natyrore, naftë e gaz, turizëm dhe shumë fusha të tjera.
Po në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, bashkëbiseduesit theksuan se mbetet e një rëndësie prioritare përfundimi i bazës ligjore të këtij bashkëpunimi, duke përfunduar marrëveshjet që tashmë janë në proces, si ajo e mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve.
Me mjaft interes u diskutua mbi nënshkrimin, në një të ardhme të afërt, të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, nga e cila do të përfitojnë kryesisht shqiptarët që kanë emigruar në Kanada.
Lehtësimi i lëvizjes, ishte një nga temat e diskutuara në takim, njofton MPJ.
Ministri Haxhinasto ka kërkuar që pala kanadeze të vlerësojë mundësinë për të lehtësuar procedurat për vizat për shqiptarët.
“Nga kjo nuk do të përfitojnë vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kanada, sepse do të ruajnë më tepër lidhjet me Shqipërinë dhe të afërmit e tyre.”- tha ai. Lehtësimi i vizave, vazhdoi më tej Haxhinasto, mund të fillojë me kategori të caktuara dhe më tej të shtrihet për të gjithë qytetarët, praktikë që është përdorur edhe me vende të tjera.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm Kanadez, Baird tha se zhvillimet në fushën ekonomike në Shqipëri janë të dallueshme dhe kjo duhet të shërbejë si bazë që ekspertiza kanadeze në fusha të tilla, si energjia apo minierat, të përdoret edhe në Shqipëri.
Haxhinasto i kërkoi mikut kanadez angazhimin e vendit të tij për njohjet e reja për Kosovën, si dhe për përfshirjen e saj në organizatat ndërkombëtare
© Panorama.al











