Haxhi Lleshi: S’jam penduar, kosovarët janë reaksionarë

Feb 11, 2012 | 12:25

Haxhi LLeshi dhe Mehmet Shehu

U promovua libri i Uran Butkës, “Masakra e Tivarit”

Historiani tregon bisedën me ish-ministrin e Brendshëm në kohën e masakrës së Tivarit.

“Nuk jam penduar, po të kthehej e njëjta situatë, do të veproja po ashtu”. Kështu do t’i thoshte pak kohë para se të ndahej nga kjo jetë Haxhi Lleshi, historianit Uran Butka, në lidhje me masakrën e Tivarit. Nuk kishte pendesë, deri në fund. Dje, në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, historiani Uran Butka promovoi librin e tij “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”. I pranishëm ministri i MTKRS-së, Aldo Bumçi, historianë e njerëz të letrave. Sipas shkrimtarit Agron Tufa, masakra e Tivarit ngre një mori pyetjesh para historianëve, të cilat nuk marrin dot përgjigje, ndërkohë që asnjë prej përgjegjësve të saj nga pala shqiptare nuk ka dalë para përgjegjësisë, madje nuk u janë hequr as dekoratat që kanë marra nga Shqipëria e Jugosllavia, njëkohësisht. “Akti i pabesë i PKSH-së ndaj bashkëkombësve të vet, edhe sot pas 67 vjetësh ka mbetur pa u zbardhur. Pjesëmarrësit në këtë krim kurrë nuk u vunë para drejtësisë dhe shteti shqiptar i paskomunizmit asnjëherë nuk zbatoi detyrën ligjore për zbardhjen e këtij krimi”, tha Tufa. Në lidhje me këtë që tha shkrimtari Tufa, historiani Butka rrëfeu një episod, që i kishte ndodhur me një nga pushtetarët më të lartë gjatë viteve të diktaturës. Bëhet fjalë për Haxhi Lleshin, i cili në kohën kur ndodhi masakra e Tivarit, ishte në pozicionin e ministrit të Brendshëm. “Kam shumë vite që merrem me zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe, teksa kërkoja nëpër arkiva, më ra në dorë një dokument i firmosur nga Haxhi Lleshi. Ishte një autorizim, që lejonte kalimin e forcave jugosllave nëpër Shqipëri dhe për vrasjen e dezertorëve. Haxhi Lleshi ishte ende gjallë, e marr në telefon dhe i them se kisha gjetur një dokument të tillë, pasoja e të cilit ishte rreth 1000 të vrarë. I thashë se kërkoja një konfirmim në lidhje me këtë dokument dhe në të njëjtën kohë ky ishte një shans i mirë që ai të shprehte pendesën e tij në lidhje me këtë ngjarje. I thashë: tashmë jeni i moshuar dhe do të ishte në nderin e tij të ikte nga kjo botë me një pendesë. Më në fund pranoi dhe unë i nisa një gazetar për t’i bërë një intervistë. Ai e pyeti nëse firma poshtë dokumentit ishte e tija dhe ai u përgjigj: Po. Më tej gazetari e pyeti se si kishte mundësi që u lejuan që të huajt të kalonin përmes territorit shqiptar dhe ai u përgjigj se në atë kohë “ne dhe Jugosllavia ishim një dhe ndiqnim të njëjtën politikë”. Pyetjes se a ndiente ai pendesë në lidhje me këtë ngjarje, iu përgjigj: “Jo, nuk jam penduar, sepse po të ndodhesha sërish në të njëjtën situatë, do të veproja po kështu, sepse kosovarët janë reaksionarë”. Kjo ishte biseda me Haxhi Lleshin, i cili deri në fund nuk u pendua për veprimet e tij”, tha Butka. Sipas tij, fakti që MTKRS u bë mbështetësja e realizimit të këtij libri, do të thotë se më në fund, pas 70 vjetësh, shteti e konsideron këtë ngjarje, ku pushteti i asaj kohe u bë bashkëpunëtor.
Libri
Libri i historianit Uran Butka, “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” sjell një material të bollshëm arkivor. Janë kabllograme të dërguara nga krerët më të lartë të shtetit apo dëshmi të dëshmitarëve okularë, të cilët ndërtojnë pazëllin e shpërndarë në vite. Por përveç fakteve historike, nuk mungon edhe analiza e fakteve. Për gjithë të pranishmit në promovimin e djeshëm, ky libër, i realizuar me shumë profesionalizëm, hedh dritë mbi një nga ngjarjet më të shëmtuara të ndodhura gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Sipas ministrit të MTKRS-së, Aldo Bumçi, “Masakra e Tivarit është dëshmi për nevojën që ka vendi ynë për rishikimin e historisë”. Për historianin Beqir Meta, ky libër sjell përmes dokumentesh, kabllogramesh të asaj kohe se sa është përfshirë në këtë ngjarje Ushtria Shqiptare Nacionalçlirimtare. Sipas tij, ky libër na tregon qartë se po të krahasosh numrin e viktimave të luftës kundër pushtuesve italianë e gjermanë me ato të masakrës së Tivarit, kupton se ka pasur luftë civile, por kjo fatkeqësisht u shtri mes pushtetit komunist shqiptar dhe kosovarëve. Sipas tij, ky është një fakt historik. Meta u shpreh se libri tregon qartë se pushtetarët shqiptarë ishin në dijeni të plotë mbi masakrën dhe po kështu edhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me në krye Fadil Hoxhën. Ndërsa sa i takon çështjes kosovare, pushteti komunist shqiptar nuk bëri asgjë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Historiani Meta, drejtor i Institutit të Historisë, u shpreh se Arkivat e Beogradit mund të hedhin edhe më dritë mbi këtë ngjarje dhe një nga arsyet pse ajo rri e mbyllur për historianët shqiptarë, është pikërisht zbardhja e historisë.

© Panorama.al

Te lidhura