Havi Martinez: E di si mundet Valencia

Sep 19, 2012 | 12:41

Mesfushori spanjoll i Bajernit debuton në Champions dhe ndihet favorit.

“Janë të fortë taktikisht, Soldado “arma” më e fortë e tyre”

Sezonin e 16-të në Champions, Bajerni i Mynihut do e nisë me sfidën ndaj Valencias. Kanë kaluar 116 ditë nga dështimi historik në finalen e “Alianc-Arenës” kundër Çelsit, por 4 herë kampionët e Europës do prezantohen me një imazh të ri, ku një prej protagonistëve pritet të jetë 40-milionëshi Havi Martinez. 24-vjeçari spanjoll pritet të debutojë në Champions ndaj Valencias nga minuta e parë. Duke qenë njohës shumë i mirë i ekipit spanjoll, gjatë një interviste për sajtin bavarez, Havi Martinez “spiunon” Valencian, ndaj të cilëve është përballur 12 herë (4 fitore, 2 barazime, 6 humbje) si ish-mesfushor i Bilbaos. “Është e veçantë, pasi edhe për mua erdhi momenti të luaj në Champions. Për ne është një sfidë e rëndësishme. Bajerni ishte pjesë e finales sezonin e kaluar dhe ne bëjmë pjesë në ekipet favorite për të fituar trofeun, prandaj duam të startojmë me fitore dhe trepikëshi ka për të qenë detyrim për ne para tifozëve tanë. Valencia? Sigurisht, e njoh shumë mirë, pasi kam luajtur shpesh ndaj kësaj skuadre. Do na e vështirësojnë disi lojën, pasi kanë një superekip. Valencia është një ekip homogjen, që merr flakë në kundërsulm. Nga ana taktike janë shumë të përgatitur. Pika më e fortë e tyre është Soldado dhe duhet markuar në grup. Më vjen mirë që do ritakohem me shokët e mi në kombëtare. Është kënaqësi të luaj ndaj tyre me fanellën e Bajernit. Unë po i jap të gjitha garancitë për të debutuar nga minuta e parë. E rëndësishme është që po integrohem shumë mirë dhe dy ndeshjet e fundit kanë treguar qartë ambiciet e mia”.

Hejnkes: Kujdes! Valencia ka mundur Realin
Teksa trajneri i Bajernit, Jup Hejnkes, pati drejtuar Realin në Spanjë, ai është njohës shumë i mirë i filozofisë dhe mentalitetit futbollistik të Valencias. “Valencia është rivali më i fortë në grup dhe skuadra e tretë më e mirë në Spanjë. Ata kanë treguar rivalitet me ekipe të kalibrit të lartë, pasi ndalën Realin dhe u ndëshkuan me vështirësi nga Barcelona. Mjafton ky rezultat që ne të paralajmërohemi. Vetëm duke u paraqitur në superformë, do kemi shanse të fitojmë. Martinez? Po, mund të luajë nga minuta e parë”, deklaroi Hejnkes.

Pelegrino: Dua hakmarrje edhe pas 11 vitesh
Bajerni është rival i njohur për argjentinasin Maurisio Pelegrino. Në finalen e Milanos 2001, si ish-futbollist i Valencias humbi penalltinë përballë Oliver Kahn-it, duke u dhënë trofeun bavarezëve (4-5 p.). Por, 11 vjet më vonë, ai rikthehet si trajneri i spanjollëve dhe ka shansin të përballet sërish me Bajernin, por këtë herë në “Alianc-Arena”. “Ajo mbrëmje (23 maj 2001) ishte më madhështorja për mua, por Kahn ma ktheu në “makth”. Koha solli një tjetër duel me ta, dhe këtë herë lojtarët e dinë shumë mirë se ç’do të thotë për mua kjo sfidë”, tha Pelegrino.

© Panorama.al

Te lidhura