Hasmëria, vritet 45-vjeçari

Jun 13, 2011 | 11:04

Vret për hasmëri kushëririn e autorit që i ekzekutoi të atin dy vjet më parë.Asqeri Merkaj, 45 vjeç, gjeti vdekjen mesditën e djeshme në Poçem të Mallakastrës, i qëlluar me një çifte nga ana e 43-vjeçarit Lefter Malaj. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se të dy shtetasit ishin hasur në fshatin Poçem e pikërisht këtu ka filluar edhe debati. Të ndodhur përballë njëri-tjetrit, të dy janë grindur fillimisht me fjalë. Dëshmitarë okularë kanë treguar për Policinë se 43-vjeçari Malaj pas grindjes, në gjaknxehtësi e sipër ka shkuar pranë automjetit të tij dhe ka nxjerrë prej andej armën e gjahut, të cilën e mbante me leje. Ka qenë ky momenti fatal, pasi Merkaj është qëlluar një herë me armën e gjahut, por që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autori Malaj është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Megjithëse Merkajt i është dhënë ndihma e parë, ai nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes për shkak të plagës së marrë, fakt që e kanë konfirmuar edhe mjekët. Ndërkohë, pranë vendit ku ndodhi krimi kanë mbërritur edhe uniformat blu, të cilat pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes, janë vënë në kërkim të autorit të saj, të identifikuar tashmë. Shtetasi Lefter Malaj është ndaluar nga uniformat blu, jo shumë larg vendit të ngjarjes, vetëm një orë pas kryerjes së saj. Një grup hetimor do të marrë në pyetje 43-vjeçarin për të hedhur dritë mbi rrethanat e sakta të krimit. Nga hetimet e para rezulton se konflikti i djeshëm, që shkaktoi një viktimë, ishte pasojë e një hasmërie të lindur prej 2 vitesh mes dy fiseve, të afërt mes tyre, pas vrasjes së të atit të autorit të ngjarjes së djeshme. Në vitin 2009 rezulton të jetë vrarë 69-vjeçari Aliko Malaj, pas një konflikti për motive pronësie. Ngjarja në atë kohë ndodhi po në fshatin Poçem të Mallakastrës dhe autori i identifikuar e i arrestuar është Përparim Merkaj. Nga të dhënat e kësaj ngjarjeje rezultoi se dy personat ishin grindur mes tyre, për shkak të ndërtimit të një godine nga ana e 69-vjeçarit. Për këtë rast, Përparim Merkaj pretendonte se ndërtimi i cenonte pronën që e kishte me dokumentacion të rregullt. Të njëjtën gjë mësohet të ketë pretenduar edhe viktima. Në gjaknxehtësi e sipër, Përparim Merkaj qëlloi me pistoletë Malajn, babanë e autorit të ngjarjes së djeshme. Që nga ajo kohë, në fshat qarkullonin fjalë që i biri i viktimës kishte thënë se do e falte gjakun, por vetëm nëse pala tjetër nuk do të përballej me të. Duket se ballafaqimi i djeshëm ka qenë fatal për kushëririn e personit që po vuan tashmë dënimin për vrasje, Alfred Merkaj.

2 viktima
janë shënuar vetëm nga një konflikt i nisur për shkak të një ndërtimi në fshatin
Poçem të Mallakastrës, e para në vitin 2009 dhe tjetra ditën e djeshme, duke tronditur zonën

 

BALLSH/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura