
Kryeministri i Kosovës: E kemi për detyrë t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë me homologun serb, Boris Tadiç, për të shqyrtuar të gjithë gamën e problemeve që rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Në një prononcim për televizionin maqedonas “Alfa TV”, Thaçi tha se “qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk janë të drejta dhe ne dëshirojmë që njëherë e përgjithmonë ta vëmë në rend dite gjithë situatën. Serbia duhet të ndryshojë qëndrimin, jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit”. Kryeministri i Kosovës ka shtuar se “ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe së bashku, si rajon, të hyjmë në strukturat euroatlantike. Unë dhe Boris Tadiç, si liderë, kemi për detyrë që t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit. Unë jam i gatshëm të ulem me zotin Tadiç për të biseduar për këto çështje. Dua të theksoj se për politikën e brendshme të Kosovës do të vendosim ne e jo Serbia”. Sipas lajmit të publikuar në të përditshmen kosovare “Koha Ditore”, Thaçi i ka vlerësuar pozitivisht marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni, duke theksuar se e pret Kryeministrin Nikolla Gruevski për vizitë zyrtare në Kosovë. Ndërkohë, disa politikanë serbë kanë folur me një gjuhë më të butë për Kosovën. Zëvendëskryeministri dhe ministri serb i Policisë, Ivica Daciç, ka deklaruar se: “Është e domosdoshme të gjendet një qëndrim i përbashkët ndërmjet Serbisë dhe SHBA-ve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse raporti ndaj Serbisë është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin rajonal”. Deklarata e Daçiç, sipas agjencisë “Blitz”, u bë në Uashington. Ndërsa lideri i Partisë Liberal Demokratike, Çedomir Jovanoviç, tha se “në Kosovë s’mund të shkosh pa kërkuar lejen e Thaçit”. Deklarata e tij i ishte drejtuar Presidentit të Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, në një debat të ashpër në qendrën e agjencisë së lajmeve, “Tanjug”.
Raporti i GNK
Konflikti për sovranitetin e Kosovës vazhdon të ushqejë tensionet, ndërsa përleshjet e dhunshme në Veriun e Kosovës pengojnë dialogun e brishtë mes Kosovës e Serbisë, si dhe rrezikojnë kandidaturën e Serbisë për në BE. Ky ishte përfundimi i raportit të fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave: “Kosova dhe Serbia: Me pak vullnet të mirë mund të ecet përpara”.
Dy takimet
Nga mediat e dy vendeve dhe nga dokumente të “WikiLeaks” është zbuluar se Thaçi dhe Tadiç janë takuar deri tani dy herë të tjera në takime të mbajtura sekret për publikun. Njëri prej tyre thuhet se është mbajtur në vitin 2006 në Athinë me ndërmjetësim të Jorgo Papandreut, para se Kosova të shpallte pavarësinë, dhe tjetri në vitin 2008 në Nju Jork. Zyra e Tadiçit i ka konfirmuar këto takime, duke i justifikuar si takime në samite ndërkombëtare.











