Hasanaj: Si do shpërndahet fondi për bashkësitë fetare

Feb 22, 2012 | 11:40

Flet kreu i Kulteve, Rasim Hasanaj: Paratë për zhvillimin e arsimit.

Një ligj për mbështetjen financiare të bashkësive fetare. Në të sanksionohet se do të ketë një fond të posaçëm për këto bashkësi. Në intervistën e tij për gazetën kreu i Komitetit shtetëror të Kulteve sqaron si do të ndahet ky fond.
Zoti Hasanaj, këto ditë qeveria kaloi një fond për bashkësitë fetare. A mund të na thoni diçka më shumë, çfarë është ligji për mbështetjen financiare të bashkësive fetare?
Së pari më duhet t’ju them se është viti i tretë që qeveria “Berisha” mbështet bashkësitë fetare tradicionale me fonde nga buxheti i shtetit. Dhe kjo bëhet për herë të parë në këto vite të demokracisë. Dihet tashmë se Shqipëria ishte i vetmi vend në botë ku feja jo vetëm u ndalua me ligj, por u shkatërrua dhe tjetërsua pothuajse tërësisht infrastruktura fetare. Gjatë këtyre 21 viteve të demokracisë është bërë shumë nga bashkësitë fetare për ringritjen e infrastrukturës së tyre. Rol në këtë drejtim ka luajtur edhe kthimi i një pjese të pronave të tyre, kontributi i besimtarëve, si dhe mbështetja nga disa vende të botës, e cila ka qenë e konsiderueshme.
Mbi bazën e një përvoje që kanë vendet e Europës për mbështetjen financiare të bashkësive fetare, qeveria “Berisha”, në zbatim të ligjit “Për mbështetjen financiare të bashkësive fetare nga buxheti i shtetit”, futi për herë të parë, në vitin 2010, praktikën e mbështetjes financiare të bashkësive fetare tradicionale, të cilat janë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Mbështetja e këtyre bashkësive fetare merr rëndësi të veçantë, pasi Shqipëria qe i vetmi vend në botë ku feja u ndalua me ligj nga regjimi i kaluar dhe ku struktura e infrastruktura e fesë pësuan dëme kolosale.
Sa është fondi i mbështetjes financiare të bashkësive fetare për këtë vit?
Qeveria, nisur nga sa thamë më sipër, i mbështet financiarisht bashkësitë fetare tradicionale për të ndihmuar veprimtarinë e tyre në disa drejtime. Për këtë vit fondi për këto bashkësi është 99 milionë e dyqind e dyzetë e tre mijë lekë, pra gati 100 milionë lekë (rreth 1 milion USD). Është e rëndësishme të vihet në dukje se fondi i akorduar për bashkësitë fetare nuk është prekur, ndërkohë që në të gjithë sektorët e tjerë ka pasur shkurtime. Mbështetur në nenin 3 të ligjit për mbështetjen financiare të bashkësive fetare, shteti mbështet administratat e bashkësive fetare me gjysmë page minimale buxhetore, për 316 veta që janë një pjesë e punonjësve, për të cilët bashkësitë fetare përkatëse paguajnë sigurimet shoqërore. Përparësi këtë vit i është dhënë financimit në fushën e arsimit, mbështetur në nenin 4 të ligjit. Bashkësitë fetare kanë në administrimin e tyre 102 institucione arsimore të të gjitha niveleve, që nga institucionet e arsimit parashkollor deri në universitete. Këto bashkësi fetare arsimojnë 12 129 nxënës e studentë, me një personel prej 936 mësuesish e pedagogësh dhe 305 veta personel  ndihmës.
Ndihma në fushën e arsimit është simbolike, pasi kosto mesatare vjetore për një nxënës është 52 000 lekë (ose 522 USD), ndërkohë që shteti u ka dhënë bashkësive fetare vetëm 3300 lekë (ose 33 USD) për nxënës. Ndërkohë që ka vende në Europë, të cilat, për mbështetje financiare për institucionet arsimore që administrohen nga fetë, japin shuma që arrijnë nga 2-8% të buxhetit të shtetit për arsimin, çka do të thotë që financimi te ne duhet të ishte disa herë më i madh. Pra, bashkësitë fetare janë kontribuese të rëndësishme në fushën e arsimit. E rëndësishme është të theksohet se bashkësitë fetare kontribuojnë në fushën e arsimimit dhe të edukimit të brezit të ri, pa dallime fetare. Niveli i lartë i këtyre shkollave provohet edhe nga fakti se nxënësit që kryejnë këto shkolla më pas studiojnë në universitete nga më të njohurat në botë. Mbështetja për bashkësitë fetare për arsimin do të jetë gjithnjë në rritje, pasi këto bashkësi kontribuojnë në zbatimin e programit të qeverisë në këtë sektor.
Nëpërmjet zbatimit të këtij ligji, qeveria i ka ndihmuar bashkësitë fetare edhe duke iu legalizuar falas ndërtimin e objekteve të kultit apo social-kulturore, si dhe duke u dhënë me mijëra metra katrorë tokë falas. Po kështu, qeveria u ka kthyer apo kompensuar mjaft prona, ndërkohë që procesi është në vazhdim.
Shteti mbështet financiarisht Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në zbatim të nenit 5 të ligjit, për faktin se Shqipëria është vendi ku ndodhet selia qendrore botërore e bektashizmit. Kjo mbështetje jepet pikërisht për të ndihmuar veprimtarinë e Kryegjyshatës si qendër drejtuese botërore e bektashizmit. Gjithashtu, shteti, nëpërmjet një neni të veçantë të ligjit dhe në përputhje me mundësitë që ka, mundet të mbështesë financiarisht bashkësitë fetare në raste nevojash të ngutshme për rikonstruksion, mirëmbajtje e deri për ndërtim objektesh të reja të kultit.
Kryeministri tha se qeveria do të mbështesë financimin e përfundimit të Tempullit të Bektashizmit. Ç‘mund të na thoni lidhur me këtë?
Këtë vit, qeveria do të mbështesë financiarisht Kryegjyshatën Botërore Bektashiane për përfundimin e ndërtimit të Tempullit të Kryegjyshatës, që do të jetë objekti më i madh fetar i bektashizmit në botë. Këtë mbështetje, si një kontribut të shtetit për ndërtimin e kësaj qendre botërore, e bën të domosdoshme fakti që ndërtimi i këtij objekti duhet të përfundojë në vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë, po edhe sepse vëllezërit Frashëri e bektashinj të tjerë të shquar, së bashku me rilindësit e tjerë të të gjitha besimeve, kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për çështjen kombëtare shqiptare.
Po trashëgimia kulturore fetare, a do të ketë mbështetje?
Për shkak të lashtësisë së ekzistencës së saj dhe të pozicionit gjeografik, Shqipëria ka qenë gjithmonë në udhëkryq të qytetërimeve, kulturave dhe besimeve fetare më të rëndësishmet në historinë e njerëzimit. Janë mbi 225 monumente kulture të periudhave të ndryshme, duke filluar nga lashtësia – kisha, manastire, xhami, teqe, sinagoga etj., që dëshmojnë për një histori fetare shumë të pasur e të larmishme në Shqipëri. Investimet shumë të mëdha dhe puna e vazhdueshme e strukturave të specializuara për ruajtjen dhe restaurimin e objekteve të kultit që kanë statusin “Monument kulture”, janë një tjetër ndihmë e konsiderueshme e Shtetit shqiptar për bashkësitë fetare.
Shteti ka kryer investime të mëdha prej dhjetëra miliona lekësh edhe për ndërtimin apo përmirësimin e infrastrukturës rrugore që çon në vendet e pelegrinazhit fetar, të cilët janë të shumtë në Shqipëri. Vlen për t‘u përmendur investimi për rrugën e Kishës së Shna Nout në Laç, rruga e Voskopojës, e cila është një qendër turistike me shumë objekte fetare monument kulture, rruga e Sari Salltikut.
Edhe kjo mbështetje që iu bëhet bashkësive fetare është në shërbim të turizmit fetar, pasi Shqipëria është një ndër vendet më të vizitueshme në Europë. Këto objekte monument kulture dhe pelegrinazhi tregojnë se Shqipëria është një ndër vendet me të lashtë të Europës.
Mbështetja financiare është edhe një kontribut që bën shteti ndaj vendit të tij, i cili është edhe model në botë për bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, vlerë kjo që meriton të promovohet, pasi është një kontribut i madh edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë, në të cilat nuk janë të pakta konfliktet fetare.
Mbështetur edhe në fjalën e Kryeministrit dhe në kontributet që ka dhënë kjo qeveri, kemi besim të plotë se në të ardhmen bashkësitë fetare do të gëzojnë një mbështetje gjithmonë në rritje.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura