
Ekspertët e dy partive kanë vazhduar edhe gjatë fundjavës të gjejnë zgjidhje për nenin e debatuar.
Bylykbashi: Po diskutojmë edhe për KQZ, mbarojmë brenda 15 majit.
Ekspertët e PD-së dhe PS-së në Komisionin e Reformës Zgjedhore vazhdojnë prej dy ditësh kontaktet mes tyre për të zhbllokuar ngërçin e krijuar në mbledhjen e fundit, ku nuk u ra dakord për një nen që ka të bëjë me hapjen e kutive.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se ka pasur komunikim mes palëve, por ende nuk është arritur asgjë për shkak se të dyja partitë vazhdojnë të mos tërhiqen nga qëndrimet e tyre fillestare. Mosmarrëveshja mes tyre u krijua për nenin 116, pika 6, që ka një sërë rastesh se kur duhen hapur kutitë. Partia Demokratike kërkoi që kutitë e votimit të hapen në të gjitha rastet kur ka ankim dhe provat gjenden në kuti. Nga ana e saj, PS-ja shprehet se përveç këtyre rasteve, kutitë e votimit duhet të hapen edhe në situatat kur ka mospërputhje të numrit të fletëve të votimit të gjetura në kuti me numrin e votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje, apo edhe në rastin kur zgjedhjet janë zhvilluar pa përdorur pajisjen elektronike të kontrollit të kartave të identitetit. Pavarësisht këtij ngërçi të krijuar, eksperti i PD-së, Oerd Bylykbashi, thotë se ekzistojnë të gjitha mundësitë që komisioni ta përfundojë punën brenda afatit të vendosur nga Parlamenti, që është 15 maji. Ditën e martë është parashikuar mbledhja e radhës e komisionit, ku do të shqyrtohet kapitulli i ankimimeve në KQZ dhe Kolegj. “Ajo që mbetet është administrata zgjedhore. Ka filluar diskutimi për elemente të caktuara, qoftë të niveleve të mesme apo të ulëta, apo edhe të KQZ-së. Gjithashtu edhe për qartësimin e kompetencave, në mënyrë që të kemi një proces i cili të jetë pa ndalesë drejt përfundimit dhe shpalljes së rezultatit. Unë besoj se janë të gjitha mundësitë që duke bërë propozime të arsyeshme brenda rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe pa kërkuar gjëra absurde, që janë politikisht të papranueshme, afati 15 maj është i mundshëm”, shprehet Bylykbashi. Sa u përket kapitujve të miratuar deri tani, ai vlerëson futjen e numërimit elektronik, i cili do të shmangë bllokimin me dashje të procesit dhe vonesat në nxjerrjen e rezultatit. “Futja e teknologjisë në numërim bën të mundur që palët që duhet të shprehin besimin tani me miratimin e Kodit, më pas të njëjtin besim duhet t’ua japin rezultateve që dalin nga numërimi. Momente the-melore janë heqja e komisionerëve politikë nga grupet e numërimit dhe e dyta materiali zgjedhor, i cili në fillim ishte pjesë e procesit të numërimit, tani është rënë dakord që të jetë vetëm pjesë e një procesi ankimor në KQZ, duke lehtësuar numërimin dhe tejzgjatjen e procesit”, përfundoi eksperti i PD-së.
Numërimi nga personeli teknik
Numërimi elektronik i votave në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme do të mbikëqyret vetëm nga personeli teknik i emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pas insistimit të LSI-së, Komisioni i Reformës Zgjedhore vendosi që numërimin elektronik ta ndjekin vetëm ekspertët e teknologjisë dhe jo përfaqësuesit e partive politike. Në variantin e parë ishte parashikuar që përveç personelit teknik, PS-ja dhe PD-ja të kishin nga një përfaqësues secila në mbikëqyrjen e procesit.Drafti i PR- PDS, ende jo në axhendë
Komisioni i Reformës Zgjedhore nis sot javën e fundit të funksionimit të tij, pas vendimit të Parlamentit për ta shtyrë afatin deri më 15 maj. Por, deri tani ende nuk është bërë e ditur se kur do të merren në shqyrtim propozimet e partive të vogla për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pak ditë më parë, PR dhe PDS depozituan në komision katër variante për ndryshimin e sistemit, pa prekur Kushtetutën.
Mesazhi gjatë vizitës në Tiranë
Fyle: Reforma zgjedhore para zgjedhjes së Presidentit

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, tha pak ditë më parë gjatë një vizite disaorëshe në Tiranë se reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare duhet të miratohen përpara se në Kuvend të nisë procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, ai tha se kishte marrë garanci si nga kreu i maxhorancës, edhe nga ai i opozitës për mbylljen brenda afatit të reformës elektorale. “Po ashtu, ne diskutuam për një çështje tjetër të rëndësishme, që është zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, e në fakt më duhet të them se jam i kënaqur që ne kemi arritur në një mirëkuptim të përbashkët për dy çështje kryesore lidhur me këtë pikë. Së pari, dëshiroj të them se kjo ka të bëjë me vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë, nga njëra anë. Por, në të njëjtën kohë, edhe një vendosmëri dhe angazhim që unë e mora gjatë takimit me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Rama, për të përfunduar punën që duhet bërë për sa i përket reformës zgjedhore,por edhe reformës parlamentare për Rregulloren e procedurave të Parlamentit, në mënyrë që kjo të përfundohet përpara së të fillojnë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të vendit”, tha Fyle. Ambasadorët e akredituar në Tiranë kanë apeluar disa herë kohët e fundit për të mbyllur sa më shpejt reformën zgjedhore. Komisioni do të punojë deri të hënën e ardhshme, përpara se t’ia paraqesë Kuvendit produktin përfundimtar.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











