Hapja e kutive, Gjiknuri: PD anuloi pikën që kishim rënë dakord

May 4, 2012 | 13:36

TIRANË- Kthesë të papritur e kërcënuese për procesin e ka quajtur bashkëkryetari në Komisionin e Reformës Zgjedhore, deputeti socialist Damian Gjiknuri atë që ndodhi sot në mbledhjen e radhës, kur sipas tij, PD quajti të papranueshme pikën e nenit për hapjen e materialeve zgjedhore.

Në një konferencë nga selia rozë, Gjiknuri ka sqaruar se bëhet fjalë për nenin 116 të draftit ku është rënë dakord që kutitë të mos hapen në vendin e numërimit të votave, por vetëm për disa shkaqe të listuara në KQZ gjatë procesit të ankimimit.

“Pala demokrate e mohon këtë, duke thënë se nuk është teksti që është rënë dakord, ndërkohë që mjafton të thonë se cfarë teksti kanë shpërndarë. Teksti është pikërisht ai që i negociuar dhe ai që është rënë dakord. Pika 6 e nenit thotë: ‘kutitë e materialeve hapen në KQZ gjatë shqyrtimit të ankimimit, kur ka mospërputhje me fletët e votimit, kur nuk është përdorur teknologjia në qendra, raste klasike të ankimit, kishim rënë dakord, kemi komunikimet e ekspertëve, teksti ka mbi 1 javë që është në duart e komisionit të reformës dhe sot krejt papritur PD nuk bie dakord”- tha ai.

Sipas tij, kjo kthesë bën që kapitulli për numërimin elektronik dhe marrëveshjen për të eliminuar materialin zgjedhor që e kanë hedhur poshtë të ndryshojë punë; “do të kthehet nga e para materiali zgjedhor në vendin e numërimit të votave që do sjellë vonesat që ne duam t’i shmangim”.

© Panorama.al

Te lidhura