Hapet kutia e Rrëshenit, PD e PS vjedhin të vegjlit

Jun 4, 2011 | 10:47

Hapja e kutive vijon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa vihen re manipulime në rezultatet e proporcionalit.Ashtu si një ditë më parë me kutinë e votimit në Bashkinë Belsh, edhe në rrëshen u vu re i njëjti fenomen. Partitë që kanë numërues, pra partitë e mëdha, kanë shtuar artificialisht vota në procesverbal për njëra-tjetrën, duke ua marrë votat partive më të vogla. Nga ana tjetër, kandidatë të pavarur dhe disa parti të tjera të vogla kanë marrë më shumë vota seç u takon, duke nënkuptuar qartë se miqësia me numëruesit e votave ka vlejtur në të tilla raste. Ashtu si me komisionerët e Belshit, edhe katër numëruesit e Rrëshenit që numëruan kutinë me numër 0831 do të paditen penalisht në Prokurori. KQZ rrëzoi dje kërkesën ankimore për Rrëshen të dy subjekteve të tjera dhe një kandidati të pavarur që kërkon rinumërim në shumë kuti dhe pranoi vetëm kërkesën e Partisë Demokracia Sociale për të rinumëruar vetëm kutinë 0831, e cila kishte 0 vota në procesverbal, por që pretendonte se aty kishin votuar edhe vetë kandidatët.
Kutia e Rrëshenit
Pretendimi i kandidatëve për këshillin e Bashkisë Rrëshen nga Partia Demokracia Sociale doli i drejtë, pasi kjo parti kishte shënuar realisht 27 vota në kuti, dhe jo 0 vota siç ishte shënuar nga katër numëruesit. Kjo tregon se nuk ka pasur gabim njerëzor, por të qëllimshëm, çka do të çojë për ndjekje penale këta komisionerë. Nga ana tjetër, u vu re fenomeni që partitë që kanë numërues, kishin shtuar vota. Kështu, Partia Socialiste i kishte shtuar 10 vota vetes së saj, ndërsa PD i kishte shtuar 6 vota më shumë. Pak vota më tepër kishte edhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane, duke marrë respektivisht 9 dhe 7 vota më shumë për secilën. Në këtë kuti ishte e dëmtuar PDIU si forcë politike si dhe PBDNJ, duke marrë 6 vota më pak. Në të njëjtën kohë, një kandidat i pavarur kishte në procesverbal dy herë më shumë vota seç kishte marrë realisht. Disa prej partive kishin të njëjtin rezultat, por disa prej atyre që kishin vota modeste, ishin shënuar me 0. Po dje, KQZ i cilësoi si të pabazuar në prova kërkesat për hapjen e mjaft kutive të tjera për Bashkinë e Rrëshenit, duke u mjaftuar vetëm me këtë kuti, por pa bërë me dije nëse ky rezultat i dalë nga rinumërimi do të ketë efekt tek vendet e këshilltarëve në këtë Bashki.
Guri i Zi
Një tjetër kuti u hap dje në KQZ dhe i përkiste komunës së Gurit të Zi në Shkodër. Kandidati i PS ishte shpallur në avantazh në këtë komunë, por aty nuk ishte numërua një kuti votimi me 517 fletë votimi brena. PD kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në këtë komunë, pasi, sipas saj, qendra e votimi që u shpall e pavlefshme nga KZAZ, pasi ka fletë votimi më tepër se diferenca e kandidatit. Sipas PD, kutia e votimi kishte vetëm 2 kode sigurie nga 4 që duhet të kishte dhe duhej të shpallej e pavlefshme, me pretendimin se fletë të tjera mund të jenë hedhur brenda. Por kutia i kishte kodet në pjesën anësore dhe KQZ vendosi të hapë atë duke bërë një hetim të plotë. Nga hetimi rezultoi se kutia ishte e rregullt dhe u numëruan votat, nga ku kandidati i PD-së mori 139 vota, ndërsa ai i PS-së 369 vota, duke u shpallur fitues, madje me një diferencë më të lartë.

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje shtyrjen e disa kërkesave ankimore për ditën e hënë, duke vendosur për herë të parë që pas zgjedhjeve, që fundjava do të jetë e plotë pushim për këtë institucion. Kur kanë mbetur vetëm pak kërkesa ankimore për t’u shqyrtuar nga ky organ, anëtarët vendosën dje pas mbledhjes në orën 21:00 të mbrëmjes, që dita e shtunë dhe e diel të jetë pushim për ta, pas një muaji të lodhshëm zgjedhor me orar të zgjatur. Nga ana tjetër, puna do të nisë ditën e hënë, kur presin edhe disa kërkesa ankimore nga partitë politike për procesin në të gjithë vendin.

Rrëzohen kërkesat, nuk hapen kutitë në Bulqizë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje disa kërkesa ankimore të ardhura nga parti politike në lidhje me procesin. Kështu, KQZ rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste duke votuar 6 me 0, duke e cilësua si të pabazuar kërkesat e saj për Bashkinë e Bulqizës. Opozita u shpreh se kandidati i djathtë, i cili është kryetar i Bashkisë së Bulqizës, ka shtuar votues artificialisht në listat e votuesve. Por ky pretendim u rrëzua poshtë, pasi pretendimet duhet të bëheshin më herët. Në të njëjtën kohë, KQZ rrëzoi edhe kërkesën e LZHK-së për komunën e Shushicës në Vlorë. Kjo komunë e madhe, me mbi 7 mijë votues, është fituar nga PDIU me një diferencë prej 130 votash për kandidatin e saj. Por kandidati i LZHK-së pretendoi se në listat e zgjedhësve ka parregullsi dhe është votuar në emër të personave që nuk ndodhen në Shqipëri. KQZ hapi kutinë e materialeve zgjedhore në një prej kutive dhe vërejti se në shumë prej emrave të votuesve nuk kishte numra kartash dhe firma e votuesit ishte e ngjashme. Por sipas anëtarëve, dukej më shumë me një votim familjar, se sa me një manipulim të supozuar nga LZHK. Duke pranuar shkeljet, KQZ vendosi që të rrëzojë kërkesën, për pavlefshmëri të votimit në këtë komunë. KQZ rrëzoi dje edhe kërkesën e PD-së për shqyrtim në disa kuti votimi në komunën Proptisht në Pogradec, ku kandidati i saj kishte humbur vetëm për 7 vota. Sipas të gjithë anëtarëve të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, kërkesa nuk kishte asnjë provë të bazuar dhe u rrëzua në unanimitet.

120 kerkesa
ankimore kanë ardhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga shumë parti politike, duke pasur ankesa në lidhje me procesin dhe rezultatin në shumë zona të vendit. Deri tani, KQZ ka bërë hetim për shumë raste, duke vërejtur se ka pasur probleme në numërim të votave, veçanërisht në këshillat komunalë dhe bashkiakë

Nën akuzë, edhe 4 komisionerë në Belsh

Armand Hysa, Alban Nipolli, Besmir Uruçi dhe Edlir Dervishi do të vihen në akuzë për falsifikimin e rezultatit. Ata ishin numëruar për Bashkinë Belsh dhe, në një kuti që hapi KQZ dy ditë më parë, u vunë re parregullsi të shumta. Hapja e kutisë tregoi se Partia Socialiste, e cila sipas tabelës së falsifikuar rezultonte forcë e parë në këtë qendër, kishte përvetësuar jo pak, por 96 vota
nga ato të partive të tjera. PS-ja kishte marrë 54 vota, ndërkohë që pas manipulimit dilte me 150 vota. Pas saj nuk ngelej as Partia Demokratike, e
cila fillimisht kishte marrë 33 vota, por pas kompromisit mes numëruesve,
rezultonte me 90 vota. I fituari i madh i hapjes së kësaj kutie dilte pikërisht kandidati i Partisë Bashkimi Demokratik, Hamit Kasa. Në këtë qendër, që sipas
numëruesve të PD-së, PS-së dhe LSI-së ai nuk kishte votuar as për veten e tij,
në të vërtetë kishte marrë jo pak, por 128 vota. Këtyre votave, pasi iu shtuan
edhe 70 vota të tjera, të cilat Kasa i kishte marrë në qendrat e tjera, e nxorën atë fitues të mandatit në këshillin e bashkisë Belsh.

Numerimi i votave

Rezultati i Falsifikuar
Partia Socialiste e Shqipërisë               65
Zef Mark Simoni                   47
Bashkimi Liberal Demokrat               40
Aleanca Arbnore Kombëtare               35
Ndrec Shkurt Biba                   33
Partia Socialdemokrate               30
Lidhja Demokristiane Shqiptare           29
Partia Demokratike                   27
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet           23
Partia Republikane Shqiptare               20
Lëvizja Socialiste për Integrim               20
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut         19
Pashk Ded Krepi                   14
Aleanca Demokratike                   12
Partia e Unitetit Kombëtar               11
Partia Bashkimi Republikan Shqiptar           7
Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë      5
Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë         5
Partia Lëvizja e Legalitetit               4
Zef Ndrece Marku                   1
Partia Aleanca Demokristiane               0
Partia Socialiste e Vërtetë 91               0
Partia Demokristiane e Shqipërisë           0
Partia Demokracia Sociale               0

Rezultati i vërtetë
Partia Socialiste                 55
Ndrec Shkurt Biba                 34
Partia Demokratike                 21
Partia Bashkimi Republikan Shqiptar         7
Aleanca Arbnore Kombëtare               30
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut         27
Partia Demokracia Sociale             27
Zef Mark Simoni                   27
Partia Agrare Ambjentaliste             13
Partia Republikane                 11
Lëvizja Socialiste për Integrim             13
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet          30
Partia Aleanca Demokristiane               1
Partia Socialiste e Vërtetë 91               1
Partia Demokristiane                 2
Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë         5
Partia Lëvizja e Legalitetit               4
Pashk Ded Krepi                   14
Aleanca Demokratike                   12
Partia e Unitetit Kombëtar               11
Partia Socialdemokrate               30
Lidhja Demokristiane Shqiptare           29
Bashkimi Liberal Demokrat               40

© Panorama.al

Te lidhura