Fshehja e gjinisë së foshnjës deri në lindje. Kjo është një nga mënyrat për të eliminuar abortin selektiv në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, preferencat e prindërve për të sjellë në jetë kryesisht djem vazhdojnë të jenë prezente.
Vendimi nëse do të lejohet apo jo që prindërit të shohin nëse bebja është vajzë apo djalë do të merret vetëm pas përfundimit të një debati të gjerë mes ekspertësh të kësaj fushe, i cili sapo ka nisur. Gjithçka e konfirmoi dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Në këtë mënyrë ai i është përgjigjur kërkesës së Komisionit Europian, i cili ka kërkuar që disa shtete të Europës ta ndalojnë tregimin e gjinisë, për të mos pasur aborte në bazë gjinie. Këto deklarata ministri i Shëndetësisë i bëri pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për shëndetin riprodhues me organizatën World Vision. Pas kësaj marrëveshjeje kjo organizatë do të kujdeset për sensibilizimin e nënave dhe stafeve mjekësore për të çuar drejt zeros vdekshmërinë foshnjore dhe amtare.











