Lamtumira/ “Ishte shumë emocionuese, s’munda t’i mbaja dot lotët”
E shtunë, 5 maj 2012. Altin Lala ka mbajtur veshur për herë të fundit fanellën me numër 8 të Hanoverit, në një ndeshje zyrtare. Aventura e 36-vjeçarit me klubin gjerman përfundoi pas 14 vitesh, dhe saktësisht në orën 17:20 të ditës së djeshme.
Lamtumirë madhështore, përkrahje spektakolare e 49 mijë tifozëve të pranishëm në stadium, të cilët dhanë mesazhin e tyre para fillimit të ndeshjes. “1998-2012, Danke Altin!” (Falemnderit Altin!), shkruhej në të gjithë pjesën ballorë të stadiumit. 14 vite të mbushura me emocione të forta, me suksese që nuk i kishin imagjinuar, të përjetuara së bashku me ish-kapitenin e tyre, me luftëtarin shqiptar. Ai hyri në fushën e lojës në minutën e 84-rt dhe i gjithë stadiumi e duartrokiti për minuta të tëra. Kjo ishte hera e fundit që ai përballej me ta si lojtar dhe pa diskutim ishte edhe një moment tepër emocionues. Gjithsesi, “amaneti” që kishte për ndeshjen e fundit u realizua për Lalën. Ai donte që skuadra të fitonte patjetër dhe ata ia dolën mbanë duke siguruar kështu pjesëmarrjen në Ligën e Europës për sezonin e ardhshëm. Në përfundim të takimit, e gjithë skuadra u drejtua tek Altini dhe pas përqafimeve, ku nuk munguan as lotët për futbollistin shqiptar, ata e morën dhe e ngritën në ajër duke treguar madhështinë e shtatshkurtrit dhe e falënderuar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për shembullin e tij, për gjithçka. Stadiumi nuk reshti së duartrokituri pikërisht atë, futbollistin shqiptar. Një moment krenarie jo vetëm për 36-vjeçarin, por për të gjithë bashkatdhetarët e tij. Një stadium gjerman i tejmbushur, i veshur me “Lala”, fanella kuqezi, të cilat kishin emrin dhe imazhin e mesfushorit, duke dhuruar momente të paharrueshme. Një shqiptar që fitoi zemrat e mijëra gjermanëve dhe që, sipas vetë atyre, pati lamtumirën më madhështore që është bërë ndonjëherë për një futbollist. Mikael Balak, Lukas Podolski e shumë lojtarë të tjerë zyrtarizuan largimet e tyre nga klubet ku kanë kontribuar për vite me radhë, por u përshëndetën vetëm me një buqetë me lule dhe me disa duartrokitje. “Ishte shumë emocionuese. Drejtuesit, shokët e skuadrës dhe tifozët më bënë një surprizë të jashtëzakonshme. Përjetova momente të bukura dhe të vështira njëkohësisht. Nuk është e lehtë të ndahesh nga diçka që e ke në zemër, ndaj nuk i mbajta dot as lotët. I falënderoj të gjithë, pasi ishte e paharrueshme”, deklaroi Altin Lala.
© Panorama.alLargimi, Augsburgu përshëndet Kapllanin
Klubi i Augsburgut i ka dhënë lamtumirën edhe Edmond Kapllanit. Së bashku me disa shokë të tjerë të ekipit, të cilët do të largohen në fund të këtij sezoni, ai u duartrokit nga tifozët dhe iu dha nga një buqetë me lule. Para ndeshjes, të gjithë tifozët e pranishëm në stadium kanë përshëndetur futbollistët, ndërkohë që bomberi kuqezi pritet të shqyrtojë ofertat për sezonin e ardhshëm. Ai u transferua në vitin 2009 te Augsburgu, por nuk arriti që të fitojë një vend si titullar stabël, ndërkohë që është huazuar dy herë, te Koblenzi dhe te Paderboni. Sulmuesit i përfundoi kontrata dhe largohen si lojtar i lirë.











