Të jesh rreth 50 vjeç dhe të humbësh punën, nuk është edhe aq e papritur në kohët e krizës globale. Ky hall e ka zënë edhe protagonistin e komedisë dramatike “Larry Crowne”, i cili nis të të shfaqet sot në kinema Millenium. Larry Crowne (interpretuar nga Tom Hanks), një shitës ekzemplar në një hipermarket amerikanm pushohet krejt papritmas nga puna, ku punonte prej kthimit të tij nga marina. I papunë dhe i trishtuar, Larry vendos të kthehet në universitet për të vijuar studimet e lëna përgjysmë dhe bëhet pjesë e një komuniteti të larmishëm me njerëz të “mënjanuar”. Gjatë kursit për të mësuar se si të flasë në publik, Larry bie ne dashuri më mësuesen e tij Mercedes Tainot (interpretuar nga Julia Roberts), e cila ka humbur jo vetëm pasionin për mësimdhënien, por edhe pasionin për bashkëshortin e saj, Dean (Bryan Cranston). Ky njeri i thjeshtë, që ka të gjitha arsyet për të menduar se jeta e tij ka marrë fund, merr një mësim të papritur: kur mendon se gjithçka që vlente ka ikur, mund të zbulosh arsyen e të jetuarit. Në këtë film, Tom Hanks nuk na vjen vetëm si aktor, por edhe si regjisor i filmit. Regjia e dytë e tij vjen 15 vjet pas “Music Graffiti”. Shkruar nga Tom Hanks dhe Nia Vardalos, protagonistja e “My Big Fat Greek Wedding”, Larry Crowne eksploron një argument tepër të shtrenjtë për kinemanë amerikane: atë të shansit të dytë. “Doja të ekzaminoja temën e rishpikjes, jo vetëm në kuptimin pasiv për shkak të fatit, por në sensin aktiv. Nëse do të humbja punën, do të shkoja në kolegj dhe mësuesja ime të ishte Julia Roberts, çfarë do të bëja? Nuk bëhet fjalë për një krizë të moshës së mesme, por për një katastrofë të moshës së mesme”, është shprehur Hanks. Sa i përket rikthimit si regjisor, ai u shpreh se “Është diçka rraskapitëse. Duhet shumë kohë për të zhvilluar një film e dalëngadalë zhvillohet një ide në mendjen tënde që nuk dëshiron ta ndash me askënd. Shndërrohet në një mision tepër personal”.
Skeda e filmit
Titulli: Larry Crowne
Regjia: Tom Hanks
Skenari: Tom Hanks, Nia Vardalos
Aktore: Tom Hanks, Julia Roberts, Bryan Cranston, Jon Seda
Gjinia: Komedi, dramë, romancë
Kohëzgjatja: 99 minuta











