Hana: Në listën e rimbursimit edhe emigrantët e rikthyer

Aug 23, 2012 | 12:51
Elvana Hana, drejtoreshe e ISKSH

Emigrantët e rikthyer në vend i janë shtuar skemës së rimbursimit të barnave. Për shkak të kulturës shëndetësore të fituar në vendet perëndimore ku kanë jetuar, ata kërkojnë vetë të jenë pjesë e skemës. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, tha dje se fenomeni është gjithnjë e më në rritje dhe ndjeshmëria e emigrantëve të siguruar apo të vetësiguruar shumë e lartë.
Sipas Hanës, është rritur përfitimi nga rimbursimi i barnave të cilat mbulojnë 95% të sëmundshmërisë kronike të shërbimit parësor. Për këtë vit parashikohen të shpenzohen 8 miliardë lekë për listën e miratuar pak kohë më parë, e cila ka 413 medikamente. “Nga të dhënat tona vihet re rritje e ndjeshmërisë ndaj skemës së sigurimeve shëndetësore, rritje të përfituesve, në shumë raste kemi dyfishim të pacientëve të trajtuar me barna me rimbursim. Arsye të tjera për shtimin e përfitimeve lidhen me ndryshimet e sëmundshmërisë kronike (rritjes së saj në skemë me përfitues të rinj), ndryshimet e terapive me barna alternative më të shtrenjta”, tha drejtoresha e ISKSH-së. Diabeti, sëmundjet e zemrës, të gjakut, tumoret, sëmundjet e frymëmarrjes janë sëmundjet që kanë mbulimin më të lartë nga lista e rimbursimit të barnave. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, përfitimet nga rimbursimi i barnave janë rritur nga 3.5 miliardë lek ne 2007-n, në 6.9 miliardë lekë për 2011-n, rreth 3.4 miliardë lekë më shumë ose dyfishim të rimbursimit. “Për 2012-n parashikohet të arrijnë rreth 8 miliardë lekë të rinj (80 milionë dollarë) shpenzimet për rimbursimin”, tha Hana. Në vijim të kësaj analize, ajo shtoi se  çdo vit, duke filluar nga viti 2007, shpenzimet e rimbursimit rriten me 18.5% në vit. Sa i përket listës së barnave për përiudhën 2007-2012, drejtoresha e ISKSH-së raportoi se ajo është zgjeruar me 114 barna të reja, si dhe doza të barnave të listës. Aktualisht lista e rimbursimit të barnave ka 413 barna. Hana listoi edhe ilaçet me rimbursimin më të lartë, nga të cilat tashmë përfitojnë më shumë pacientë.

© Panorama.al

Te lidhura