“Një gol i çmendur, thuajse i pabesueshëm dhe që kishte kohë që nuk shënohej në skuadrat e Bundesligës austriake”.Ky ishte komenti i uebsajtit sportiv “Laola” dje, për golin që shënoi Hamdi Salihi me Rapidin e Vjenës në javën e parë të kampionatit austriak. Ai ka dhënë edhe asistin e golit të dytë të shënuar nga Atdhe Nuhiu.
Surpriza
Bomberi shqiptar e nisi nga stoli ndeshjen kundër Admira Vakerit dhe deri në minutën e 66-të, kur ai nuk kishte zbritur ende në fushë, ndeshja nuk ishte zhbllokuar. I janë dashur vetëm 24 sekonda bomberit shqiptar që të zgjidhte gjithçka. Ai është aktivizuar në minutën e 66-të të ndeshjes dhe, pas 24 sekondash, duke shfrytëzuar një goditje këndi, 27-vjeçari e ka dërguar topin në rrjetë. Ai ka shfrytëzuar një vendosje jo të mirë të mbrojtjes kundërshtare dhe, pas një kërcimi me kokë e ka devijuar topin, duke ndëshkuar kështu portierin kundërshtar e njëkohësisht duke zhbllokuar rezultatin, që ishte mbërthyer në shifrat e bardha 0-0.
“Kanibal”
“Ka një diferencë të madhe mes një ‘gjahtari’ goli dhe një ‘kanibali’ të golit. Salihi bën pjesë në specien e dytë dhe duhet thënë se pak ka si ai. Është bërë makthi i portierëve dhe i mbrojtësve prej dy vitesh në kampionatin tonë dhe tashmë e ka bërë stil të vetin se është akoma më vrasës kur hyn si rezervë. Nuk fal kurrë para portës dhe vendos thuajse vetëm ai në momentet e vështira. Vitin e kaluar realizoi 6 gola kur e niste nga pankina, tani bën sërish të njëjtën gjë, por më shpejt dhe më egër”, – shkruante dje e përditshmja prestigjioze “Kurier”.
Nuhiu
Te Rapidi ishte dita e shqiptarëve, ndaj nuk mund të mungonte edhe vepra e Atdhe Nuhiut. Gjiganti kosovar me pasaportë austriake ka shënuar golin e dytë të Rapidit në minutën e 90-të. Ai ka mposhtur në duel fizik dy mbrojtës dhe, pasi i ka parakaluar ata, me majën e gishtave ka devijuar topin që po vinte në gjysmë lartësi, duke e devijuar dhe duke zënë në befasi portierin e Admira Vakerit. Asistin e golit e ka dhënë sërish Hamdi Salihi, duke u bërë protagonisti absolut në sfidën e djeshme.
25 Gola shënoi sezonin e kaluar Hamdi Salihi me fanellën e Rapidit të Vjenës. Ai realizoi 19 gola në kampionat, 5 në Kupën e Austrisë dhe 1 në Ligën e Europës.
3 MLN euro kërkon Rapidi për kartonin e Hamdi Salihit. Drejtuesit e klubit, pavarësisht se kanë deklaruar shpeshherë se nuk është në shitje, janë gati ta sakrifikojnë për një shumë të majme parash.











