
“Mirupafshim”. “Kështu i thonë në shqip “auf Ëiedersehen”, e nis shkrimin e saj faqja sportive austriake, “Spornet.at”. “Nëse Hamdi Salihi do t’i japë lamtumiren Rapidit apo do të përmbushë kontratën e tij deri në vitin 2012-të, kjo mbetet akoma e paqartë”, shkruan “Sportnet.at”. Sipas saj, sulmuesi shqiptar 27-vjeçar nuk po stërvitet me Rapid, por ndodhet akoma me pushime. Gjithashtu, Salihi pësoi një goditje në kavilje gjatë ndeshjes kualifikuese të Euro 2012-s kundër Bosnjës, ndërkohë që ai nuk mori pjesë as në testin e Shqipërisë kundër Argjentinës. Megjithatë, prapaskenat për transferimin e tij janë më të zhurmshme. Sipas menaxherit të Hamdi Salihit, Erkan Sulejmani, shkodranin e kërkojnë klube nga Gjermania, Turqia, Holanda dhe Rusia. Një nga ekipet që ka kërkuar së fundmi shërbimet e tij, të paktën sipas mediave, është Dinamo e Kievit dhe Soshoja. “Ne do të gjejmë shumë shpejt akordin dhe brenda dy apo tri javësh do të marrim vendimin e duhur”, citohet Sulejmani. Por, menaxheri i Rapid Vjenës, Stefan Ebner, deklaroi se zyrtarisht nuk ka ndonjë oferte për Salihin, të vlerësuar 1.5 milionë euro. Ndërkohë Rapidi i ka marrë masat, pasi ka blerë një tip të ngjashëm si Salihi dhe ky është Dani Alar, i fortë në zonën e rreptësisë.











