Hamdi Salihit gjen golin e parë në kampionatin amerikan. Pas 400 minutash pritjeje, sulmuesi shkodran e ka bërë më në fund sefte te DC Junaitid. Zhbllokimi i 28-vjeçarit ka ardhur në humbjen e thellë të skuadrës së tij, me shifrat 5-3 ndaj San Jose në transfertë. Në ndeshjen që u luajt të mërkurën në orët e vona të mbrëmjes, Salihi shënoi në minutën e 88-të, pas një pasimi të saktë të De Rozarios. Lojtari i Kombëtares shqiptare, i ndodhur brenda zonë, gjuajti me të majtën, duke shkurtuar rezultatin. “Salihi ishte një plus i madh për ne. Ai punoi mirë dhe shënoi një gol të bukur. Është kjo që ai di të bëjë më mirë”,- deklaroi trajneri i DC Junaitid, Ben Olsen, pas sfidës. Për mediat amerikane, vetë Salihi u shpreh: “Kam qenë i mërzitur, por tani e di se mund të shënoj dhe kam besim te vetja. Nuk është hera e parë që kam pasur një situatë të tillë. Kam 10 vjet që luaj rregullisht dhe më ka ndodhur që të mos shënoj në 5 apo më shumë ndeshje”. Ndërkohë, Salihi pranoi se nuk e ka problem nëse dikush tjetër shënon. Sipas tij, e rëndësishme është që skuadra të ecë mirë. “Ndoshta ky gol do të më ndihmojë nga ana mendore për të qenë pak më i fuqishëm. Kur nuk shënon, atëherë presioni është i madh, sidomos te sulmuesit. Kjo është normale, por ka më shumë rëndësi që ekipi të fitojë”, shtoi sulmuesi shqiptar.
Hair Zeqiri, drejt Leçes në Itali
Hair Zeqiri mund të luajë te Leçe në Itali sezonin e ardhshëm. Sipas asaj që raportojnë mediat turke, mesfushori vlonjat i Rizsporit po ndiqet me interesim nga ana e drejtuesve të klubit që militon në Serinë A. Bisedimet mes palëve janë konkrete, dhe Leçe kërkon shërbimet e lojtarit që në sezonin e ardhshëm. Në fakt, ish-mesfushori i Flamurtarit ka një kontratë me Rizesporin deri në fund të vitit 2014. Kjo përbën problem, pasi nuk dihet se çfarë shume do të kërkojë Rizespori për ta lënë të lirë Zeqirin. Mesfushori është aktivizuar gjatë këtij sezoni në 18 ndeshje me skuadrën turke.











