NGA XHEVAT MUSTAFA
Kryeministri Edi Rama, në stërmundim të trurit, për të gjetur justifikime për rritjen e çmendur të çmimeve në Shqipëri si dhe të varfërisë dhe emigracionit gjatë mbi 11 vjetëve të qeverisjes së tij, i ka qarë hallin disa herë edhe Gjermanisë si dhe gjithë BE- së, si me “lotë krokodili” apo Enveri. Më freskët edhe më 18 janar 2025. Natyrisht, edhe në Gjermani ka pasur dhe shikohet krizë ekonomike. Rrjedhojat e saj vihen re dhe përjetohen sidomos me rritjen në rreth 10-25% të çmimeve të artikujve kryesorë të ushqimit dhe jetesës së përditshme. Por, me nivelet relativisht të larta të pagave dhe pensioneve e të mbështetjes sociale të rregullt dhe të përjetueshme, kjo rritje e lehtë e çmimeve ndjehet pak.
Kriza është shprehur edhe me falimentimin e një numri të madh biznesesh të vegjël e të mesëm dhe rritjen e nivelit të papunësisë.. Por, deri sa të gjejnë punë të re të papunët paguhen nga punëdhënësit e mëparshëm apo nga burime qeveritare e sociale. Njëherazi, kriza është përjetuar edhe me rritjen e numrit të emigrimit në SHBA dhe vende arabe dhe aziatike me nivele të larta zhvillimi dhe pagash të specialistëve elitarë, sidomos nga fushat e informatikë-elektronikës, inxhinierive të mekanikës, ndërtimit të makinave, industrisë kimike, të arkitekturës, mjekësisë, ekonomi-financave…
Kriza e mungesës së njerëzve profesionistë do të tejkalohet shpejt me thithjen e profesionistëve nga vende të Lindjes ishsocialiste, përfshirë edhe nga Shqipëria e Kosova si dhe nga vende të Azisë, Lindjes së Largët, Afrikës, Amerikës Latine. Ata do të joshen, sidomos nga pagat disa fish më të larta se në vendet e tyre dhe nga të drejtat dhe liritë e përjetueshme të shtetit të fortë e funksional ligjor e social…
Gjermania është në një periudhë krize, në formën e recesionit të moderuar e të monitoruar…, që, pavarësisht se nuk deklarohet, duket sikur lejohet çdo 10 vjet. Nga ulja e ndjeshme e çmimeve deri në 50- 100%, pa u ulur pagesa për orë, ditë e muaj pune, përfitojnë konsumatorët, domethënë qytetarët. Pronarët e mëdhenj, që janë humbësit e përkohshëm më të shumtë, krahas të këqijave zbrazin magazinat nga mallrat stoqe ose me qarkullim të ngadalshëm; investojnë për rinovim dhe modernizim të teknologjisë dhe ristartim me rendimente më të lartë. Kjo krizë padyshim është edhe rrjedhojë e paaftësisë qeverisëse nga kancelari Olaf Scholz dhe ekipi i koalicionit me parti të qendrës së majtë dhe ekologjiste. Jo rastësisht, por si formë zhgënjimi dhe ndëshkimi të merituar qeveria “Scholz” më 16 dhjetor 2024 humbi votëbesimin në Parlament. Kështu, iu hap rruga kalimit në zgjedhje të parakohshme, më 23 shkurt 2025, me shanse më të shumta për rikthim në pushtet të CDU-së, në koalicion me parti të qendrës së djathtë, sipas një tradite dhe praktike të hershme.
Por, ndryshe nga në Shqipëri, bie në sy se edhe gjatë fushatës elektorale nuk shprehet fanatizëm, militantizëm, agresivitet masiv partiak mes kandidatëve dhe anëtarëve të partive kryesore e pretenduese për fitore! As mendohet nga partia në pushtet që të mblidhen dhe investohen dhjetëra miliona për të blerë media, vëzhgues në qendrat e votimeve, vota, mandate deputetësh…! As t’u bëhen presione dhe joshje ushtrisë së administratës për t’i dhuruar partisë kryesore në qeverisje vota individuale dhe familjare, siç është traditë e po duket edhe këto ditë në Shqipëri.
Gjermania e këtyre 10 viteve të fundit është viktimë edhe e vetes! Sidomos, e qeverive Merkel dhe Scholz! Avantazhet dhe idealizimi i Gjermanisë, me vende të shumta të lira për punësim, me pagesën minimale rreth 13 euro për orë pune, me 265 euro për çdo fëmijë në muaj, si dhe politika liberale për emigracionin, sollën përmbytjen e këtij vendi nga rreth 5 milionë refugjatë dhe emigrantë! Vetëm rreth 25% e tyre, sidomos ata me arsim të lartë dhe me profesione me kërkesa, janë integruar dhe çliruar nga të gjitha detyrimet sociale nëpërmjet komunave!
Për të pasur një ide për krizën e Gjermanisë si dhe për përmasat, rrjedhojat, kontrastet dhe paradokset e saj janë shprehës edhe këto fakte! Gjermania kryesonte me 177.2 miliardë dollarë në eksportet e makinave në nivel botëror në vitin 2023, e ndjekur nga Japonia me 110.9 miliardë dollarë dhe Kina me 77.7 miliardë dollarë. Ky klasifikim është ruajtur deri në fund të 6 majorit të parë të vitit 2024! Sipas shifrave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë, Destatis, më 10.12.2024, turizmi në vitin 2024 ka pasur rreth 433 milionë fjetje në Gjermani midis janarit dhe fundit të tetorit të këtij viti. Në gusht 2024, muaji më masiv për turizëm, Destatis raportoi 59 milionë vizitorë gjatë natës. Vetëm Berlini pati gjatë vitit 2024 rreth 9.5 milionë turistë dhe 23 milionë net fjetjeje! Sipas një raporti fare të freskët të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD)më 2024, shpenzimet për frymë për shëndetësinë në Gjermani ishin 5,317 euro për frymë ose 50% mbi mesataren e BE-së. Ndërsa në Shqipëri janë gati 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 3,533 euro dhe 6 herë më të ulëta se Gjermania.
Nëpër autostradat e Gjermanisë, ashtu si të Holandës dhe Belgjikës, me 3-4 korsi në çdo krah, ndryshe nga autostradat e Veriut të Shqipërisë, në asnjë segment nuk ka pika doganore e kontroll dokumentesh, siç ndodh në kufirin Shqipëri- Kosovë e as trarë e kabina për të paguar, qoftë edhe 1 cent taksë!
Gjithsesi, Gjermania e janarit 2025 nuk është si Gjermania e janarit 2015, kur ishte kancelare Angela Merkel! Megjithatë mbetet GJERMANI, sepse ka dhe do të ketë për një kohë tejet të gjatë “shtresa shumë të trasha dhjami”!
Edi Rama me “partizanët e çetave” të tij “harrojnë” gjithashtu se një punëtor i thjeshtë, një infermier apo infermiere, një mjek, një ekonomist i lartë, një inxhinier, një arsimtar…, në Gjermani merr një pagë mujore minimale rreth 5-8 herë më të lartë se ata që bëjnë të njëjtat punë në Shqipëri…! Edhe një kujtesë tjetër për Ramën dhe korin e tij “të të verbërve”: sa herë futem në supermarketet Aldi, Netto, Lidl, Real, Edeka, Kaufland…apo sa herë shikoj pikat e furnizimit me karburante më bën përshtypje se çmimet e artikujve kryesorë të ushqimeve, të elektronikës, veshjeve, higjenë- kozmetikës, karburanteve…në Gjermani janë në rreth 25-200% më të ulëta se në Shqipëri… Kjo shikohet tek çmimet e ujit, coca-colës, fantave, qumështit, djathit të bardhë e kaçkavall, të gjalpit, të kutijave me Filadelpfia dhe ngjashme me atë, të kosrave të frutave, çokolatave, corn flaker-save, sallamrave, kutive me sardele dhe ton, me 190 gr. bruto e 150 gr.neto; të birrërave dhe verërave, mjaltit, reçelrave, salcave të domateve, vajit të lulediellit e të ullirit…! Për më tepër konkretizim, 3 pica me madhësi të mesme, gjysmë të gatshme e me afat të gjatë ruajtjeje në frigoriferë, margarita apo me sallamra, kushtojnë 2.99 dhe 3.59 euro…Me këto mund të shtyjnë një vakt një familje me 3-4 vetë, me dy të rritur e dy fëmijë, nga 5-7 vjeç… Por, edhe çmimet e kutive me 100 copë Aspirina protect 100 mg, Paracetamol, me Vitamina D3, B6 dhe B12,me Magnezium dhe Zink…,janë rreth 2-6 fish më lirë në Gjermani se sa në Shqipëri. Plus kësaj, për fëmijët deri 12 vjeç dhe ata me probleme të zhvillimit fizik, deri 18 vjeç, ilaçet mjekësore janë falas! Ndërsa për pensionistët, me reduktim të ndjeshëm të pjesshëm, sipas niveleve të pensioneve mujore. Për më tepër, artikujt ushqimorë, farmaceutikë, të kozmetikës, higjienës, elekronikës…,duke qenë shumica prodhime gjermane janë ndjeshëm më të sigurt për cilësi se në Shqipërinë e Edi Ramës, ku kontrollorët e AKU-së janë me xhepa shumë e të mëdhenj dhe i lëshojnë vulat si vezët pulat!
Për të qenë objektivë e të sinqertë, Gjermanisë është për t’i qarë hallin vetëm për dy gjëra: së pari, për motin e ftohtë, të paqëndrueshëm dhe me shumë shira e borë, me temperatura të ulëta, sidomos gjatë dimrit të tej zgjatur, me pranverë dhe verë tejet të shkurtra; së dyti, për mungesën e plazheve të shumtë si të Shqipërisë, të shfrytëzueshëm për rreth 7-8 muaj…Ndryshe nga sa i qahet halli nga ca vajtojca qeveritare shqiptare, prej rreth 6 javësh në Gjermaninë në krizë, nuk pashë as lypsa e as varfanjakë-rrëmihësa nëpër kosha plehrash, as qen endacakë! As policë rendi dhe të qarkullimit rrugor, me blloqe gjobash nëpër duar e që nxjerrin “jashtë loje” semaforët, duke e rrëmujëzuar më tepër trafikun dhe duke i nxitur shoferët t’i shajnë shqiptarçe apo t’u bien gjatë borive…! As ujë të papijshëm për 8- 10 orë në ditë, por të pijshëm për 24 orë…As ndërprerje të energjisë elektrike, qoftë edhe për disa minuta, edhe në ditë me shi dhe borë të fortë…As taksë në asnjë segment të autostradave, siç ndodh në autostradat e Veriut të Shqipërisë…! As kulla 20- 40 katesh, edhe mbi teatro e lulishte, në qytetet Aachen, Köln, Dusseldorf, Dortmund, Mülheim, Oberhausen…, sepse kullat “janë degdisur” nëpër zona periferike…! As 1 adriministrativist për 10 banorë; 25 policë, 50 patronazhistë… për 1.000 banorë…As në 10.000 metra katrorë 10 Bar- kafe, 5 agjenci, këmbimi valutor, 5 byrektore, 5 qofteri, 5 suflaqexhinj, 5 piceri, 5 farmaci, 5 klinika dentare, 5 laboratore analizash mjekësore, 5 minidyqane fruta- zarzavatesh dhe 5 ushqimorë…As 5 seli partishë…dhe partiçkash! As nga 4- 5 herë në 20- 30 minuta të emisioneve të lajmeve kancelarin Olaf Scholz dhe ministrat e tij kryesorë, siç ndodh në Shqipëri, ku Edi Rama, Linda Balluku, Elisa Spiropali, Erion Veliaj…,janë bërë nervozues si fytyra dhe për përrallat bajate, qesharake dhe “droguese” si të Enverit dhe të Ramizit…!?
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al