Qëndrimi i Kukësit në elitën e futbollit shqiptar, edhe pse sërish mund të cilësohet një dështim për këtë klub, është një lehtësim për të gjithë ambientin në këtë skuadër. Një lehtësim është edhe për trajnerin Rraman Hallaçi, që e mori skuadrën në ditët më të vështira.
Në një intervistën të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai theksoi se rënia do të ishte një dramë e madhe. Hallaçi flet edhe për problemet me të cilat u has skuadra gjatë këtij sezoni, si dhe pengun që ka për çerekfinalen e Kupës ndaj Teutës.
Sa i përket së ardhmes së tij në krye të pankinës, Hallaçi pohon se kontrata që ka me Kukësin është afatgjatë dhe projekti i tij ka nisur që para disa muajsh, duke dhënë sinjalet e vazhdimit të bashkëpunimit me këtë klub. Ai beson se me ruajtjen 60% të grupit dhe duke bërë disa blerje cilësore, Kukësi është gati të rikthehet pretendent në sezonin e ardhshëm.
Rraman, sa jeni lehtësuar tani që së paku Kukësi mbijetoi në Superiore?
Sigurisht që lehtësimi është sadopak, kur mendojmë që kemi kaluar sezonin më të vështirë në elitë. Ka qenë një sezon super i luftuar nga të gjithë skuadrat. Po të kishim rënë nga kategoria, unë do ta quaja një dramë të madhe ndaj Kukësit. Do të kishim prekur fundin, prandaj jemi të qetë, sepse vazhdojmë të jemi në elitën e futbollit shqiptar.
Një sezon me shumë uljengritje, mendoni se bëtë maksimumin me kontingjentin që kishte Kukësi në dispozicion apo kishte mundësi për më tepër?
Sezoni kuptohet nuk ka qenë pozitiv nga fillimi deri në përfundim. Është shumë e vërtetë që kemi pasur luhatje, ku herë kemi marrë rezultatet e duhura dhe herë kemi pësuar disa humbje. Dëgjoni, në fillim erdhi zoti Gega. Skuadra afroi shumë lojtarë dhe është shumë e vështirë të vijë suksesi që në javët e para. Lojtarët duan kohën e tyre dhe kjo dihet.
Më pas erdhi trajneri Dobi, i cili u mundua të bëjë maksimumin me skuadrën, kuptohet vështirësia ishte përsëri, sepse nuk e njihte shumë ekipin dhe më pas u afrova unë si trajner i parë. Kaluan disa javë dhe normalisht kisha marrë informacionin e duhur për çdo lojtar, ndonëse isha tek U-21, por i shihja të gjitha ndeshjet dhe kisha një ide për këdo. Në fakt, u larguan disa futbollistë dhe u afruan disa të tjerë në muajin janar dhe koha nuk premtonte shumë.
Nuk mund të bënim shumë lëvizje në merkato dhe kur e mora skuadrën ju kishte humbur pak besimi te forca e tyre, pasi ishin edhe në fundin e tabelës. Kam punuar shumë me seancat psikologjike, sepse doja t’ju riktheja besimin. Në stërvitje kemi punuar fort dhe kemi qenë shumë seriozë në çdo seancë. Skuadra më ka respektuar në maksimum dhe më është përgjigjur në çdo detaj.
Dua të them që këtë sezon kishim mundësi të bënim dhe më mirë, por e theksoj, sforco që bëmë në fundin e kampionatit, fitorja me Laçin, pika e marrë me Bylisin në limite, barazimi me Erzenin dhe fitorja me Egnatian, ishin sakrifica dhe forca e skuadrës që tregoi për respektin e bluzës që kishin veshur.
Nëse keni një peng nga ky sezon me Kukësin, cili është ai?
Peng kam ndeshjen me Teutën në Kupë. Në sfidën e kthimit kemi bërë një superndeshje, atmosfera ishte perfekte dhe në stadium kishin ardhur shumë tifozë. Tentuam deri në sekondën e fundit me një vrull të jashtëzakonshëm dhe për atë çfarë dhamë mendoj që duhet të kualifikoheshim ne, pasi ishim zotët e fushës. Por, sigurisht Teuta e meritoi kualifikimin, pasi ata vazhduan më tej.
Me mbylljen e sezonit ju ka përfunduar edhe kontrata. Cila do të jetë e ardhmja juaj?
Unë kam kontratë afatgjatë te Kukësi. Ende nuk jemi mbledhur për të bërë analizën e vitit, do të mblidhemi shumë shpejt për të diskutuar për çdo gjë.
Dëshironi të nisni një projekt nga fillimi me Kukësin?
Projekti ka filluar që para disa muajsh dhe e kemi të qartë çfarë duhet të ndryshojmë për sezonin tjetër. E kam thënë që 60% e skuadrës duhet të qëndrojë me patjetër, me disa blerje, jo shumë, por të jenë lojtarë cilësorë dhe me shumë kualitet, të cilët i përshtaten filozofisë së Kukësit.
Është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar, duhen lojtarë me grintë, me eksperiencë dhe mbi të gjitha lojtarë me mentalitet fituesi.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al