
Politika e rritjes së pagave që ka zbatuar qeveria prej vitit 2005, sipas zëvendësministrit të Financave, Nezir Haldeda, ka sjellë dyfishim të tyre. Gjatë një konference për shtyp, ditën e djeshme, Haldeda vlerësoi se rritja e pagave mbështetet edhe nga një sërë faktorësh pozitivë, siç janë stabiliteti makro-ekonomik, qëndrueshmëria e ritmi pozitiv i të ardhurave të derdhura në arkën e shtetit në periudhën janar-gusht. Duke iu referuar shifrave, Haldeda solli në vëmendje rritjen e pagave për kategori të tilla si arsimtarët dhe mjekët. Këto kategori janë trajtuar me përparësi në politikat e qeverisë për vetë impaktin social që ka puna e tyre. Me rritjen e fundit të pagave në muajin korrik, paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm, sipas Financave, shkoi 59 235 mijë lekë, ose 2.2 herë më e lartë se në 2005-n, kurse paga mesatare e mësuesit në arsimin 9-vjeçar shkoi në 50 563 lekë, ose 2.6 herë më e lartë krahasuar me 2005-n. “Paga mesatare e mjekut bëhet 58 098 lekë ose 2.6 herë më e lartë se në 2005-n, ndërsa paga e infermierit shkon në 35.688 lekë nga 15.44 lekë në 2005-n. Të gjitha kategoritë e pagave të tjera kanë pësuar të njëjtin trend rritës, duke mbështetur me precedencë rritjen e pagave të ulëta. Rritje më të moderuar kanë pasur pagat e larta, duke mundësuar kështu ngushtim të mëtejshëm në diferencimin e pagave që ka ekzistuar në vitin 2005”, tha zëvendësministri Haldeda. Referuar raportit që ekziston mes pagave të larta dhe atyre mesatare, sipas Financave, rritja ka ndikuar në ngushtimin e kësaj diference.
© Panorama.alPagat
. Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm, 59.235 mijë lekë, 2.2 herë më e lartë se në 2005-n. Paga mesatare e mësuesit në arsimin 9-vjeçar, 50.563 lekë, 2.6 herë më e lartë krahasuar me 2005-n
. Paga mesatare e mjekut, 58,098 lekë, 2.6 herë më e lartë se në 2005-n
. Paga e infermierit shkon në 35.688 lekë











