Hakmarrje për vrasjen e 9-vjeçarit

Jul 20, 2012 | 14:41

Vendi ku ndodhi vrasja e Mark Shkretës

Policia: Jetmir Llani vrau Mark Shkretën për hakmarrje, djemtë e viktimës qëlluan të miturin në makinë.

Tiranë, dy plumba në gjoks babait të vrasësve të fëmijës në Mamurras.

Babai i 9-vjeçarit Endrit Llanaj, i vrarë me armë zjarri në Mamurras më 5 qershor, është hakmarrë dje në Tiranë. Jetmir Llani ka qëlluar dy herë me armë zjarri shtetasin Mark Shkreta, i cili është babai i dy personave që më 5 qershor 2012 vranë në Mamurras fëmijën 9-vjeçar teksa udhëtonte në makinë me xhaxhain e tij, Muharrem Llani. Në orën 06:30 të mëngjesit të djeshëm, shtetasi Mark Shkreta ka dalë nga pallati ku banonte prej pak javësh. Ai ka mundur të hedhë vetëm pak hapa në trotuar, pasi është përballur me një person i cili është afruar përballë 71-vjeçarit nga Mamurrasi dhe e ka qëlluar dy herë me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë në distancë të afërt nga përpara viktimës, në gjoks. Krimi për hakmarrje ka ndodhur në rrugën “Hoxha Tahsim”, pranë Farmacisë Nr. 5, në Tirane. Policia e kryeqytetit, në një deklaratë konfirmoi se aty është vrarë me armë zjarri shtetasi Mark Llesh Shkreta, 71 vjeç, banues në Mamurras. Trupi i pajetë i 71-vjeçarit ra gjysma në trotuar e gjysma në shkallët e hyrjes së pallatit, dhe mbeti aty derisa grupi i hetimit kreu mbledhjen e provave të nevojshme në vendngjarje. “Në vendngjarje u kryen veprimet procedurale si këqyrja e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat, ndërsa në cilësinë e provës materiale në vendngjarje u sekuestruan dy gëzhoja”, theksoi Policia. Sipas hetuesve, gëzhojat i përkasin një kategorie që mund të jenë përdorur ose nga një armë automatike e shkurtër, ose nga një pistoletë.
Hakmarrja
Prej më se 20 ditësh, Mark Shkreta ia kishte arritur të mos binte shumë në sy në zonën ku po banonte që prej muajit qershor, pasi në Mamurras, dy djemtë e tij, Oligert dhe Maringlen Shkreta, vranë fëmijën 9-vjeçar dhe plagosën xhaxhain e tij. I moshuari mësohet së lëvizte herët në mëngjes ose në darkë vonë për nevojat e përditshme, ndërsa banonte me qira në pallatin 9-katësh, në katin e fundit. Shumë banorëve të zonës u kishte shpëtuar prania e të ardhurit nga Mamurrasi në atë lagje, megjithatë, një person ishte informuar në hollësi. Dhe ky person, sipas Policisë, ishte pikërisht Jetmir Llani, i cili prej dy muajsh duket se ka menduar vetëm të hakmerrej për vrasjen e djalit të tij 9 vjeç në Mamurras. Policia e Tiranës tha dje se viktima e vrasjes së ndodhur në orët e mëngjesit është babai i autorëve Oligert dhe Maringlen Shkreta, të cilët janë arrestuar për vrasjen e një femije 9 vjeç dhe plagosjen e një shtetasi, ngjarje e ndodhur para 2 muajsh në Mamurras. “Nga hetimet paraprake dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Jetmir Isuf Llani, 33 vjeç, banues në Mamuras. Vrasja dyshohet se është kryer për motive të hakmarrjes, pasi para 2 muajsh, në Mamurras, djemtë e viktimës i kanë vrarë Jetmir Llanit djalin 9 vjeç dhe i kanë plagosur vëllain, shtetasin Muharrem Llani”, tha Policia e kryeqytetit.
Hetimet
Grupi hetimor i ngritur dje për vrasjen e Mark Shkretës ka pohuar se i dyshuari kryesor për ngjarjen është Jetmir Llani. Sipas Policisë, dy persona e kanë parë autorin e ngjarjes në zonë në momentin kur vrau 71-vjeçarin me dy të shtëna me armë zjarri. Megjithatë, nuk është e qartë nëse dëshmitarët që përmend policia kanë arritur ta identifikojnë viktimën, apo thjesht kanë arritur të shohin nga larg lëvizjet e tij pranë Farmacisë Nr. 5 në kryeqytet. Pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë, policia ka marrë informacion mbi familjarët dhe të afërmit ku mund të fshihej Jetmir Llani dhe pas kontrolleve nuk ka arritur ta lokalizojë atë. Edhe në Mamurras janë kryer kontrolle në disa banesa, por nuk është gjetur asnjë gjurmë e personit të shpallur në kërkim për vrasjen e ndodhur dje në kryeqytet.

Llani në nëntor 2010 shtypi me makinë vëllain e së dashurës
Babai i 9-vjeçarit u lirua pak kohë më parë nga burgu

TIRANE – Emri i Jetmir Llanit, personi i shpallur në kërkim për vrasjen e ndodhur dje në Tiranë, nuk është i panjohur për Policisë së kryeqytet. Në shtator të vitit 2010 ai u bë protagonist i një ngjarjeje pranë Rrugës së Elbasanit në Tiranë, ku humbi jetën një person. Sokol A. u përplas për vdekje në asfalt teksa po përpiqej të ndalonte motrën e tij të largohej me një automjet BMW X5 të drejtuar nga Llanaj, me të cilin ajo kishte një lidhje intime. Pas ngjarjes, Llanaj u arrestua dhe u akuzua për “vrasje nga pakujdesia”. Në nëntor 2011 ai u deklarua i fajshëm dhe u dënua me 3 vjet burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ai u dënua me 2 vjet heqje lirie. “Viktima, i ndjeri Sokol, është mbajtur fort në derën e makinës duke u tërhequr zvarrë rreth 90-100 metra, ndërkohë që shtetasja E. tentonte mbylljen e derës. Për shkak të dinamizmit të ngjarjes dhe kryesisht të shpejtësisë së mjetit, viktima, i ndjeri Sokol, është shkëputur nga dera e makinës dhe është përplasur me forcë në asfaltin e rrugës dhe në pjesën anësore të saj. Viktima ka mbetur në tokë, ndërsa i pandehuri dhe dëshmitarja E. janë larguar nga vendi i ngjarjes”, rrëfehej ngjarja në vendimin e Gjykatës. Gjykimi i tij është zhvilluar fillimisht teksa ai ishte në masën e sigurisë “arrest me burg” dhe më pas në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Llanaj e ankimoi në Apel vendimin e Shkallës së Parë. Për shkak se ai e përfundoi dënimin, në seancën e 7 korrikut 2012 ai paraqiti një kërkesë në Apel për heqjen dorë nga ankimi, kërkesë që u pranua nga togat e zeza.                       a.b.

Djemtë e 71-vjeçarit vranë fëmijën në prehrin e nënës
MAMURRAS – Endrit Llani, 9 vjeç, është vrarë në prehrin e nënës së tij në datën 5 qershor 2012, teksa kthehej nga shkolla. Xhaxhai i tij, Muharrem Llani, nga fshati Shpërdhet i Kurbinit, kishte shkuar të merrte të miturin nga shkolla për ta çuar në shtëpi ndërsa në makinë ndodhej edhe e ëma e Endrit. Në këtë kohë, dy persona i zunë pritë makinës ku ndodhej Muharrem Llani dhe e plagosën atë, por gjatë të shtënave drejt automjetit, mbeti i vdekur në vend fëmija 9-vjeçar. Për ngjarjen u akuzuan dy vëllezërit, Altin dhe Vladimir Shkreta, 29 dhe 33 vjeç. Rreth orës 14:00, më 5 qershor, në kohën kur Muharrem Llani po shoqëronte kunatën e tij dhe nipin 9-vjeçar për në shtëpi, makina “Volkswagen” me targë AA 141 DF është bërë shënjestër e plumbave në dalje të qytetit. Po atë ditë, pak orë pas ngjarjes, policia arrestoi njërin nga autorët e krimit, shtetasin Vladimir Shkreta. Rreth orës 22:00, ai ra në pranga ndërsa nga hetimet u mësua se ai dhe i vëllai i zunë pritë me armë Muharrem Llanit për shkak se mes këtyre dy familjeve ka pasur një konflikt. I plagosuri Muharrem Llani, bashkë me të vëllain kanë debatuar me dy tregtarë të materialeve të ndërtimit në qendër të qytetit të Mamurrasit. Personat e përfshirë në debat kanë qenë dajat e autorëve të dyshuar për vrasjen e 9-vjeçarit, pikërisht djemtë e 71-vjeçarit të vrarë ditën e djeshme në Tiranë. Një muaj pas vrasjes së 9-vjeçarit në Mamurras më 5 korrik 2012, policia arrestoi autorin e dytë të pritës në hyrje të Mamurrasit, ku mbeti i vrarë 9-vjeçari Jetmir Llani dhe u plagos xhaxhai i tij. Altin Shkreta është arrestuar nga Policia e Kurbinit gjatë një aksioni të përbashkët me forcat RENEA. Shkreta, 32 vjeç, është vënë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Taksisti”. Ai po lëvizte me taksi në drejtim të Milotit, ndërsa gjatë kontrollit nuk iu gjetën armë. Postblloku i Policisë dhe RENEA janë vendosur në afërsi të Mamurrasit, përgjatë superstradës Fushë-Krujë – Lezhë, pasi kishin sinjalizime për lëvizjen e tij. Shkreta ra në pranga në shoqërinë e një femre, teksa po shkonte drejt zonave bregdetare të Lezhës për të kaluar mbrëmjen. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk e ka pranuar krimin dhe as pjesëmarrjen në pritë, ndërsa largimin e ka justifikuar me shmangien nga një gjakmarrje e mundshme ndaj tij. Policia tha se pas vrasjes së 9-vjeçarit, Altin Shkreta ka arritur të largohej dhe është strehuar në Elbasan, ku ka përdorur disa miq të tij në këtë qytet për t’u strehuar.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura