Masakra në Tiranë, Nikolin Doda gjen vdekjen, plagoset oficeri i Policisë dhe dy persona të tjerë.
Viktima i dënuar në vitin 1997 për plagosje, la burgun në 2005.
Ekzekutohet pas mesnate, vetëm pak metra larg Prokurorisë së Tiranës, pronari i një taverne me muzikë live. Atentati shkaktoi edhe plagosjen e tre personave, dy nga të cilët janë në gjendje të rëndë. Nikolin Deda ka mbetur i vdekur në vend pas breshërisë së armëve në orën 01:15 pas mesnatës të së martës, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, në Tiranë. Kur u qëlluan me armë viktima dhe të plagosurit, ndodheshin tek porta e lokalit “San Marko”, me muzikë live, në pronësi të viktimës Nikolin Deda. Ai ishte liruar nga burgu në 2005-n, pas kryerjes së dënimit për një plagosje të ndodhur në 1997-n. Policia e Tiranës tha dje se ngjarja e rëndë dyshohet të ketë si motiv hakmarrjen. Megjithatë, ende nuk ka një pistë përfundimtare pasi hetimet po vazhdojnë. Një prej të plagosurve, që ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën, Uran Doda, është oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme dhe kushëri i viktimës. Dy të plagosurit e tjerë janë miqtë e tij, Ilmi Meta dhe Agron Doçi, ky i fundit pronar i një tjetër lokali me muzikë live, që ndodhet në zonën e ish-Shkollës së Partisë, pranë Laprakës. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se autorët dyshohet ta kenë pritur 42-vjeçarin Deda në një makinë të parkuar para lokalit dhe, pasi kanë qëlluar me armë automatike, që sipas të dhënave është “Kallashnikov”, janë larguar me shpejtësi drejt Zogut të Zi. Edhe pse ngjarja me bilanc tragjik ndodhi farë pranë dy institucioneve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë dhe Komisariatit Nr.3, forcat e policisë që shkuan brenda pak sekondash në vendin e krimit, përveç gëzhojave, viktimës dhe tre të plagosurve të shtrirë në rrugë, nuk gjetën asnjë gjurmë të të dyshuarve. Autorët ndërkohë kishin arritur të largoheshin nga vendi i ngjarjes duke i shpëtuar arrestimit.
NGJARJA
Krimi i katërfishtë me një të vrarë e tre të plagosur ka ndodhur pas mesnate, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, përballë Prokurorisë së Tiranës. Pronari i tavernës “San Marko”, Nikolin Doda, 42 vjeç, u ekzekutua me breshëri automatiku, ndërsa plumbave nuk i shpëtuan as tre miqtë, që ndodheshin pranë biznesmenit në dalje të buzukut me muzike live. Dy prej “mysafirëve” mbetën të plagosur rëndë, ndërsa i treti sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. Burime nga grupi hetimor thanë se në momentin që ka ndodhur ngjarja, Nikolin Doda kishte dalë nga lokali për të përcjellë miqtë e tij, Uran Doda, Agron Doçi e Ilmi Meta, të cilët më parë ndodheshin në ambientet e brendshme të tavernës në shoqërinë e tij. Në momentin kur 42-vjeçari dhe tre miqtë kanë vënë këmbët në trotuar, jashtë lokalit, autorët, të cilët sipas Policisë ishin pozicionuar me makinë përballë lokalit, kanë qëlluar me automatik në drejtim të tyre. Dyshohet se pas të shtënave autorët kanë lëvizur me shpejtësi me makinën që dyshohet të jetë tip “Golf”, e cila është parë të largohet në drejtim të sheshit “Rilindja” tek Zogu i Zi.
HETIMI
Nga veprimet e grupit hetimor në vendngjarje dyshohet se atentati para tavernës “San Marko” ka si motiv hakmarrjen. Policia bën të ditur se objektivi i atentatorëve ishte pikërisht 42-vjeçari Nikolin Doda, i cili mbeti i vdekur në vend. Në një deklaratë zyrtare, Policia e Tiranës tha dje se gjatë hetimeve të kryera pas ngjarjes së rëndë, është duke u hetuar në disa pista. Burimet e Policisë paraprakisht thanë se dyshohet që vrasja është kryer për motive hakmarrjeje, pasi viktima në vitin 1997 ka kryer një tentativë vrasjeje me pasojë plagosjen rëndë të një shtetasi në Laç. Për këtë ngjarje, viktima Nikolin Doda ka kryer dënimin nga viti 1997 deri në 2005 në burgun e Lezhës. Nisur nga ky motiv, dje janë kryer dhjetëra shoqërime, në Laç, ku ka ndodhur plagosja në vitin 1997, Mamurras, Lezhë dhe Tiranë, por ende nuk ka një person konkret të dyshuar për ngjarjen.
TE PLAGOSURIT
Gjatë atentatit ku mbeti i vrarë 42-vjeçari Nikolin Doda, u plagosën edhe tre personat që ai po përcillte jashtë lokalit. Sipas Policisë, një prej të plagosurve, që është edhe kushëriri i viktimës, 42-vjeçari Uran Doda, oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, vazhdon të qëndrojë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, në gjendje mjaft kritike. Po ashtu në gjendje të rëndë vazhdon të jetë edhe pronari i një tjetër taverne në Laprakë, Agron Doçi, 41 vjeç. Ndërsa e ka kaluar rrezikun për jetën 40-vjeçari Ilmi Meta.
POLICIA
Në një deklaratë zyrtare, Policia e Tiranës tha dje se: “Gjatë ecurisë së hetimit me synim zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje, është duke u hetuar në disa pista, ndërkohë që pista kryesore dyshohet të jetë për motive hakmarrjeje, pasi viktima në vitin 1997 ka kryer një tentativë vrasjeje me pasojë plagosjen e rëndë të një shtetasi. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur, pasi viktima, njëherazi pronar i tavernës, ka qenë duke dalë nga lokali nën shoqërinë e miqve të tij, ku është qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tyre”.
SHOQERIMET
Burime nga Policia e Tiranës thanë se përgjatë gjithë ditës së djeshme janë shoqëruar dhjetëra persona, në cilësinë e personave që kanë dijeni, por edhe si të dyshuar. Shoqërimet janë kryer në bazë të pistës kryesore që ka ngritur grupi hetimor, atë të vrasjes për motive hakmarrjeje. Policia tha se janë marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhjetëra persona, që janë shoqëruar në Laç, Lezhë, Mamurras dhe Tiranë. Persona që kanë dijeni për plagosjen e kryer nga Nikolin Doda në Laç, në vitin 1997.
Njëri nga të plagosurit merret në pyetje në spital
Dëshmia e të mbijetuarit: Autori u largua me një “Golf” të bardhë
TIRANE – Pasi ndodhi vrasja e pronarit të lokalit me muzikë live dhe u plagosën tre miqtë e tij, policia shoqëroi nëntë dëshmitarët e parë të ngjarjes, mes tyre gjashtë vajza që ndodheshin në lokal. Ata janë marrë në pyetje për disa orë nga oficerët e hetimit të Krimeve të Rënda, në lidhje me rrethanat e ngjarjes, apo nëse kishin parë ndonjë person të dyshuar. Por me sa duket, dëshmia e tyre nuk ka qenë shumë e dobishme për grupin hetimor, pasi nëntë të shoqëruarit ndodheshin brenda në lokal në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Ndërsa paraditen e djeshme, oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar në Spitalin Ushtarak për të marrë në pyetje tre të plagosurit. Burimet thanë se kanë arritur të flasin vetëm me njërin prej tyre, 40-vjeçarin Ilmi Meta, shëndeti i të cilit ishte përmirësuar, ndërsa dy të tjerët vazhdojnë të jenë në gjendje mjaft kritike për jetën. Meta u është përgjigjur disa pyetjeve të oficerëve të Policisë, megjithëse ka pohuar se nuk ka arritur të shohë autorin apo autorët e ngjarjes. Ai ka treguar se është qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre, nga persona që ndodheshin brenda një makine tip “Golf”, me ngjyrë të bardhë dhe tavan të zi. Pasi është qëlluar disa herë, makina ka lëvizur me shpejtësi drejt Zogut të Zi. I plagosuri nuk ka mundur të fiksojë më shumë se kaq, qoftë targë automjeti apo sa persona ndodheshin brenda, pasi sipas tij janë gjendur në befasi dhe janë qëlluar sapo kanë dalë nga lokali.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











