Një deklaratë e pathënë e Presidentit rumun, Trajan Basesku, për pak sa nuk prishi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Bukureshtit zyrtar. Nëse do të ishte e vërtetë deklarata, e cila rezultoi të jetë vepër e një haberi serb, atëherë ajo do të ishte një skandal i madh diplomatik që cenonte seriozisht marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zemërimin e Kosovës, e cila edhe pse nuk njihet nga Rumania, ishte bërë pika e referimit për këtë “aventurë” mediatike. Lajmi i publikuar nga një portal italian, “JulieNews” on-line, citonte presidentin rumun Trajan Basesku të kishte thënë: “Rumania nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, pasi ajo nuk është arritur përmes një marrëveshjeje dypalëshe mes Prishtinës dhe Beogradit. Ajo është shpallur përmes një akti të njëanshëm nga shqiptaret, që janë të gjithë plehra dhe m.., si magjupët (arixhinjtë)”. Deklarata vuri në lëvizje gjatë paradites së djeshme jo vetëm mediat shqiptare, kosovare e rumune, por edhe rangjet diplomatike, si Ministrinë e Punëve të Jashtme shqiptare, Ambasadën Shqiptare në Bukuresht e atë rumune në Tiranë. Më pas, Ministria e Jashtme ka publikuar deklaratën e përfaqësisë diplomatike rumune, e cila kishte konfirmuar se faqja e internetit e kësaj agjencie lajmesh është sulmuar nga një haker serb (pirat kompjuterik). “Basesku nuk ka pasur asnjë takim dhe nuk ka mbajtur qëndrim të tillë”, ka sqaruar Ambasada Rumune në Tiranë.











