
FIER/ Pranga autorit. Një javë më parë qëlloi me thikë një 18-vjeçar.
Tenton të grabisë skrap në një sektor të Albpetrol-it, plagos me armë zjarri rojën. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në fshatin Kuqar të Fierit, kur 37-vjeçari Ardian Muhametaj nga Patosi kishte shkuar për të vjedhur me armë gjahu skrapin. Por ai është pikasur nga roja, çka shkaktoi edhe plagosjen e tij.
“Shtetasi Ardian Muhametaj, 37 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Patosit, ka shkuar i armatosur me armë gjahu për të grabitur mbetje metalike në vendin e quajtur sektori nr. 6 i Albpetrol-it”, bëri të ditur dje Policia e Fierit. Mësohet se rreth një ore pas ngjarjes, blutë kanë arritur të arrestojnë 37-vjeçarin si autor të dyshuar. Ndërkaq, i plagosuri është transportuar për në spitalin e Fierit, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime të Policisë bënë të ditur se roja i plagosur me inicialet A.S. ka marrë dëmtime të lehta nga këmbët. Autori e ka qëlluar nga këmbët rojën e sektorit me qëllim që ta kërcënonte. Por pas të shtënës, aty kanë mbërritur banorë të fshatit, për t’i ardhur në ndihmë të plagosurit. Ata sinjalizuan edhe policinë, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Autori arrinte të largohej me shpejtësi, pa mundur dot të kryejë vjedhjen e planifikuar. Por ai u arrestua në kushtet e flagrancës. Sipas Policisë, 37-vjeçari Muhametaj ka qenë i shpallur në kërkim prej disa ditësh nga policia. Dyshohet se të dielën e javës që kaloi, ai ka plagosur një tjetër person në qytetin e Patosit. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ngjarja për të cilën kërkohej Muhametaj, ka ndodhur paraditen e të dielës, në qendër të qytetit të Patosit, kur ai ka qëlluar disa herë me thikë një 18-vjeçar. Fatmirësisht, plagët e shkaktuara me thikë kanë qenë të lehta duke mos rrezikuar jetën e adoleshentit. Por autori i krimit arriti të largohej duke u shpëtuar prangave. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një debati të momentit. Tashmë, i arrestuari Ardian Muhametaj do të procedohet për dy vepra penale “plagosje e lehtë me dashje” dhe “vjedhje me armë”. Blutë kanë marrë në pyetje edhe rojën e plagosur, i cili ka pohuar se ngjarja kishte ndodhur pasi ai e kishte pikasur duke vjedhur në sektorin që ai ishte i punësuar për ta ruajtur.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











