
Plumbi rikoshet qëllon në kokë fëmijën 8 vjeç, që flinte jashtë për shkak të vapës. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 02:30 në lagjen “24 Maji”, ku viktima, Jurgen Lukaj, po flinte në verandë bashkë me të atin dhe vëllain e tij. Sipas dëshmisë së dhënë nga babai i fëmijës, Albert Lukaj, ngjarja ndodhi pasi ai zbuloi dy persona që po ngjiteshin në murin rrethues të banesës së tij. Në momentin që ai i ka pikasur, ata i janë drejtuar në emër dhe më pas kanë qëlluar dy herë me armë zjarri. Njëri plumb ka qëlluar murin e ballkonit dhe më pas bëri rikoshet duke qëlluar në kokë fëmijën që ndodhej në gjumë. Me gjithë tentativën e familjarëve për ta çuar në spital, bluzat e bardha të Vlorës e nisën me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë pasi plumbi i kishte dëmtuar rëndë kokën. Sipas Policisë, 8-vjeçari ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në Spitalin Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se personat ishin nisur për të vjedhur një tjetër banesë dhe se murin rrethues të shtëpisë së familjes Lukaj do ta përdornin si urë kalimi.
Z.Albert, përse ndodheshit jashtë ju bashkë me fëmijën në momentin kur pati të shtëna?

Brenda është shumë vapë dhe unë nuk kam asnjë mjet freskues, ndaj vendosa të flija në verandë me dy fëmijët. Rreth orës 02:30, ndjeva se diçka po lëvizte. U ngrita dhe pashë dy persona që kishin hipur në murin rrethues të banesës. Njëri prej tyre më tha: Na ndjeve Albert! Tani që na ndjeve, ke punë me ne, dhe filluan të më shanin. Ata më njihnin, sepse m’u drejtuan në emër. Ndërsa unë vetëm sa iu thashë se jam i varfër dhe nuk keni çfarë të vidhni tek unë.
Po më pas çfarë ndodhi?
Njëri qëlloi dy herë drejt ballkonit ku isha unë dhe fëmijët që flinin. Pasi zbritën nga muri dhe u futën rrugicave të lagjes, dola me shpejtësi te dera nëse do të mund t’i njihja, por nuk arrita dot.
Më pas konstatuat se fëmija kishte marrë plumb?
Nga krismat u ngrit e gjithë familja dhe komshinjtë. U ngritëm të gjithë, vetëm Jurgeni nuk po lëvizte. Mendova se po flinte, por kur iu afrova pashë se kishte marrë plumbin në kokë. E mora djalin dhe e dërgova në spital, por e nisën me urgjencë drejt Ushtarakut në Tiranë. Mjekët aty nuk mundën të bënin asgjë, pasi fëmija vdiq sapo mbërriti.
Policia bëri të ditur se fëmija u vra nga një plumb rikoshet. E mbani mend nëse personat qëlluan drejt jush apo në drejtim tjetër?

Unë dëgjova që mbushën armën dhe qëlluan. Pasi ndezëm dritën, pashë se kishin qëlluar në drejtimin tonë, sepse kishte një vrimë plumbi në murin e ballkonit. Më pas pashë djalin që nuk po ngrihej dhe ishte mbuluar me gjak. Nuk më takon mua të them nëse personat qëlluan me armë direkt në drejtimin tonë për të na vrarë apo kanë qëlluar në mur dhe plumbi bëri rikoshet e qëlloi djalin.
Unë mendoj se ata qëllua për të na vrarë se i dëgjuam kur hipën më mur dhe ndoshta menduan se unë i njoha. Policia të kryejë veprimet dhe të përcaktojë nëse fëmija u qëllua direkt apo me rikoshet.
Nuk mundët t’i dallonit personat, të paktën rreth çfarë moshe ishin?
Mesa munda t’i shoh, njëri kishte kapele, tjetri kishte rroba të zeza. Nuk kishin maska, mund të ishin 20 deri në 23 vjeç.
Mendoj se ata mund të jenë banorë të kësaj lagjeje. Unë jam familje e varfër dhe nuk i kam borxh askujt. Nuk kam konflikt me askënd, punojmë ku të mundim për të ushqyer familjen. I kërkoj policisë të gjejë autorët që vranë fëmijën tim në gjumë.
Familja Lukaj në varfëri
Familja Lukaj përbëhej nga dy prindërit dhe tre fëmijë. Jurgeni bashkë me vëllain e tij ishin nxënës në shkollën “Ibrahim Kushta”, ndërsa i treti është në moshë më të vogël. I zoti i shtëpisë punonte ku të mundej për të mbajtur fëmijët, ndërsa bashkëshortja e tij është e papunë. Në banesën e tyre njëkatëshe nuk ofrohen as kushtet më minimale, ndërsa fqinjët pohuan se ata jetonin në kushte mjaft të vështira. I vetmi dëshmitar i ngjarjes është babai i fëmijës, i cili rrëfeu gjithçka ndodhi teksa ata flinin.
Policia: Ngjarja, jo sulm kriminal ndaj fëmijës
Policia e Vlorës bëri të ditur se ka nisur hetimin për identifikimin e autorëve të ngjarjes së rëndë. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se dy personat mendohet të kenë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ballkonit të familjes Lukaj, nga muri i një banese ngjitur, për t’i trembur. Por, fatkeqësisht, një nga plumbat që ka kapur në mur ka pësuar rikoshet duke qëlluar në kokë djalin 8-vjeçar të kësaj familjeje. “Nga hetimet e deritanishme të grupit hetimor ka rezultuar se nuk ka qenë sulm kriminal i drejtuar ndaj fëmijës, por bëhet fjalë, edhe sipas ekzaminimeve e hetimeve paraprake të ekspertëve kriminalistë, për një plumb rikoshet. Fëmija J.L. ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku është transportuar për një ndihmë më të specializuar”, bëri të ditur Policia. Po sipas Policisë, dyshohet se autorët kanë shkuar me armë zjarri në këtë zonë për të vjedhur në banesat afër asaj ku ndodhi ngjarja. Dyshohet se ata do ta përdornin murin rrethues të banesës së familjes Lukaj vetëm për të kaluar për më tej, në ndonjë banesë tjetër që ishte në gjendje ekonomike më të mirë se ajo e viktimës. Por, në momentin që janë diktuar nga i zoti i shtëpisë, ata kanë qëlluar.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











