
Bello: Më kanë thyer xhamin anësor të automjetit, s’kanë vjedhur asgjë.
Tiranë, dy mjete të tjera u vodhën te “Kopshti Botanik”
Automjeti i deputetit të PS-së, Marko Bello, është kthyer së fundi në “shë-njestrën” e hajdutëve të makinave. Makina e deputetit Bello është thyer gjatë natës në garazhin e pallatit pranë Kopshtit Botanik në Tiranë, ku banon familja e tij. Sipas Policisë, brenda në makinë nuk është konstatuar të jenë vjedhur sende, me përjashtim të dëmtimeve që janë bërë me thyerjen e xhamit të mjetit. Ende nuk dihet nëse për ndonjë arsye kanë qenë grabitësit ata që dështuan në planin e tyre, apo Marko Bello është treguar i kujdesshëm duke mos lënë asgjë me vlerë brenda mjetit të tij. Por, ndryshe nga automjeti tip “Mercedez” me targë TR 0402 M, në pronësi të Bellos, pronarët e dy makinave të tjera që i kishin parkuar pranë saj nuk kanë pasur të njëjtin “fat” me deputetin. Në të njëjtën kohë policia ka konstatuar se hajdutët u kishin thyer xhamat edhe dy makinave të tjera, në pronësi të Belul Zaimit dhe Genc Pinarit, ku kishin vjedhur një kasetofon dhe një telefon celular. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, deputeti Marko Bello konfirmoi thyerjen e xhamit anësor të makinës së tij, por shpjegoi se nuk i është vjedhur asgjë brenda saj.
VJEDHJA
Policia është njoftuar për thyerjen e tri makinave mëngjesin e së martës nga personat e dëmtuar, ndër të cilët edhe deputeti Bello. Sipas burimeve nga Policia, persona ende të paidentifikuar kanë hyrë gjatë orëve të vona të natës në garazhin e një prej pallateve të reja pranë Kopshtit Botanik në Tiranë dhe kanë thyer xhamat trekëndësh të makinave. Të njëjtat burime thanë se janë thyer makinat me targë TR 0402 M, në pronësi të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Marko Bello, me targë TR 1256 U, në pronësi të Belul Zaimit dhe TR 5659 F, në pronësi Genc Pinari, banorë të pallatit në garazhin e të cilit kishin parkuar mjetet. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr. 1, që kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, fiksimin e gjurmëve dhe shenjave në makinat e dëmtuara. Nga verifikimet ka rezultuar që në dy prej makinave hajdutët kishin arritur të vidhnin një kasetofon dhe një celular. Ndërsa në automjetin e Bellos nuk ishte vjedhur asgjë. Policia ka nisur hetimin për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes. Vetëm muajt e fundit katër politikanë janë bërë “viktima” të grabitësve në kryeqytet. Ata filluan në dhjetor me makinën e deputetit Eduard Shalsi e ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi. Ndërsa së fundi, objekt i sulmit të tyre u bë apartamenti i ministrit të Punës, Spiro Ksera dhe makina e deputetit socialist Marko Bello.
3 AUTOMJETE janë thyer njëkohësisht në garazhin e pallatit te Kopshti Botanik në Tiranë, mes të cilave edhe makina e deputetit socialist Marko Bello
4 politikane janë sulmuar nga grabitësit në Tiranë vetëm gjatë tre muajve të fundit, që nga deputeti Shalsi, ministrat Bumçi e Ksera dhe së fundi deputeti Bello
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











