Hagë, Mlladiç taktika për zvarritjen e procesit

Jul 18, 2011 | 9:29

Ndoshta gjyqi më i rëndësishëm për krime lufte nga ish-Jugosllavia, ai i ish të arratisurit prej 16 vjetësh, Ratko Mladicit, vjen në fund të punës së gjykatës së Hagës. Mandati i gjykatës përfundon në vitin 2014.

Mesa duket i vetëdijshëm për këtë fakt, Mladic është duke bërë çmos për të ngadalësuar procesin ligjor.

“Është e qartë, Mladic do të përpiqet të ngadalësojë gjykimin sa më shumë të jetë e mundur, duke shtyrë afatin për zgjedhjen e një avokati dhe duke mos respektuar gjykatën,” tha drejtori i Komitetit të Avokatëve Jugosllavë, Milano Antonic.
Antonic thotë se gjykata duhet ta kishte parashikuar këtë situatë dhe të zhvillonte një strategji për zhvillimin e një gjykimi efikas.

Gjatë paraqitjes së tij të parë përpara gjykatës ndërkombëtare, Mladic refuzoi të mbrohet dhe kërkoi për më shumë se një muaj kohë për të zgjedhur ekipin e tij të mbrojtjes ligjore.

Në paraqitjen e tij të dytë, Mladic nuk deshi të trajtonte pikat e veçanta të akuzës dhe ndërpreu në mënyrë të përsëritur gjykatësit. Si pasojë, gjykatësi Alfons Ori e nxori Mladicin nga salla e gjyqit.

Me gjithë këtë, kryeprokurori i gjykatës, Serge Brammertz, siguron skeptikët se aktakuza është e organizuar dhe e harmonizuar me atë kundër Radovan Karaxhicit.
“Aktakuza është ngritur në mënyrë të qëndrueshme dhe prokuroria bën gjithçka që mundet për të shpejtuar procesin kundër tij,” tha Brammertz për të përditshmen e Sarajevës Dnevni Avaz.

Brammertz tha se prokuroria ka mësuar shumë për procedimet penale në rastet e komplikuara gjatë 17 viteve të fundit, që do të jetë një ndihmë e madhe në çështjen e Mladicit.

Megjithatë, disa ekspertë ligjorë argumentojnë se aktakuza e Mladicit duhet të shkurtohet në mënyrë të konsiderueshme dhe gjykimit të shpejtohet.

Një rekomandim juridik sugjeron organizimin e gjykimit në faza. Pas çdo faze, gjyqtarët do të vendosin mbi një numër të caktuar akuzash. Për shembull, Mladic së pari të gjykohet për gjenocid në Srebrenicë dhe më pas për akuzat e tjera të aktakuzës.
“Mladic nuk është akuzuar për gjenocid vetëm në Srebrenicë, por edhe në komuna të tjera në Bosnje. Prokuroria ka shumë dëshmi për këtë dhe ndoshta do të ishte më e logjikshme të fillohej me ato akuza”, tha studiuesi Zharko Markovic, i Qendrës për të Drejtat e Njeriut të Beogradit (BCHR).

Gati 62 për qind e të gjithë shtetasve të Bosnjës- 44 për qind në Republikën Serbe- thonë se i akuzuari duhet të gjykohet për të gjitha akuzat, pavarësisht nga kohëzgjatja e gjykimit, sipas hulumtimit të BCHR.

Disa shqetësohen se taktikat zvarritëse të Mladicit do të bëjnë që gjyqi i tij të përfundojë ashtu siç ndodhi edhe në rastin e Slobodan Miloshevicit — me vdekjen në burg. Mladic është tani i moshuar, i dobët dhe shëndeti i tij përbën shqetësim.
E vetmja gjë e sigurt është se prokuroria “nuk ka të ngjarë të propozojë që Mladic të gjykohet së bashku me Radovan Karaxhicin”, tha ndihmës prokurori i gjykatës Frederik Svinen.

Sipas ekspertëve, në Beograd ka ankth në lidhje me atë që mund të thotë Mladic për pjesëmarrjen e Serbisë në luftën në Bosnje.

“Ai mund të dëshmojë se ai ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të autoriteteve të Jugosllavisë, gjatë operacionit të Srebrenicës, dhe se asgjë nuk është bërë pa pëlqimin ose urdhrin e tyre,” tha profesori i të drejtës ndërkombëtare Vojin Dimitrijevic.

Sjellja e Mladicit bën që ai të humbë mbështetjen madje edhe të atyre që e konsiderojnë atë si hero, sipas Raportuesit të BE-së për Serbinë, Jelko Kacin.

“Gjyqet nuk mund të sjellin në vetvete pajtimin mes popullit boshnjak, kroat dhe serb; ato individualizojnë fajin dhe heqin përgjegjësinë kolektive,” tha Kacin. (Express)

© Panorama.al

Te lidhura